
Shqipëria kërkon fitoren e tretë radhazi në Nations League, por përballë do të ketë Finlandën, rivalen direkte për kreun e grupit. Në Helsinki, përveç rëndësisë së sfidës, vëmendja është edhe te ekipi i arbitrimit dhe te stadiumi legjendar që do të presë këtë përballje.
Pas dy fitoreve në dy ndeshjet e para të grupit, Shqipëria shkon në Helsinki me një objektiv të qartë: të bëjë një tjetër hap drejt kreut. Përballë është Finlanda, që pas barazimit me Bjellorusinë ka 4 pikë dhe e sheh duelin direkt me kuqezinjtë si një mundësi për të ndryshuar ekuilibrat e grupit. Në një ndeshje të tillë, ku çdo detaj mund të marrë rëndësi, drejtësinë do ta vendosë irlandezi Rob Hennessy, një arbitër që në fund të vitit 2025 u promovua në kategorinë e parë të UEFA-s. Hennessy do të ketë në krah bashkëkombësit Dermot Broughton dhe Emmett Dynan, dy asistentët që do të ndjekin nga afër çdo episod në vijat anësore. Ekipi i arbitrimit plotësohet nga skocezët Kevin Clancy dhe John Beaton, përkatësisht arbitri i VAR-it dhe asistenti i tij, ndërsa Aaron O’Dowd do të jetë arbitri i katërt.
Sfida nuk do të luhet në një stadium të zakonshëm. Stadiumi Olimpik i Helsinkit është një prej simboleve sportive të Finlandës. I inauguruar në vitin 1938, ai u bë një nga arenat kryesore të Lojërave Olimpike të vitit 1952, ndërsa në atë kohë regjistroi edhe një rekord prej 70 mijë e 435 spektatorësh në ceremoninë e hapjes. Sot stadiumi ka rreth 36 mijë e 200 vende, ndërsa pas një rikonstruksioni të madh të përfunduar në vitin 2020, ai ndërthur arkitekturën origjinale të viteve ’30 me elementë modernë. Dhe një nga pamjet më karakteristike është kulla e stadiumit, e cila ngrihet 72 metra mbi tokë dhe është kthyer në një nga simbolet e Helsinkit. Dikur e lidhur edhe me maratonën olimpike, ajo sot është një prej pikave më të njohura panoramike të qytetit.
Në këtë arenë me histori olimpike, atmosfera pritet të jetë e fortë edhe këtë herë. Mbi 20 mijë bileta janë shitur tashmë, ndërsa me kapacitetin prej më shumë se 36 mijë spektatorësh, “Olimpico” pritet të jetë thuajse i mbushur për duelin Finlandë-Shqipëri. Një stadium me histori, një kundërshtar direkt dhe një arbitër i kategorisë së parë të UEFA-s. Në Helsinki, kuqezinjtë luajnë për më shumë se tri pikë: luajnë për kreun e grupit.
