
Nga Oliver Wainwright, The Giardian, 2 tetor 2026
Vjeshtën e kaluar, isha ulur me një arkitekt të njohur në Nju Jork, ndërsa celulari i tij nuk pushonte së vibruari. Pasi kontrolloi mesazhet ai qeshi.
“Ah, ‘ushtria e arkitektëve’ shqiptarë po vlon përsëri,” tha ai. “Duket se Edi ka projekte të reja për ne.”
Edi ishte Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë që prej vitit 2013, i cili ka mbikëqyrur transformimin e shpejtë të ish-vendit komunist përmes një morie projektesh ambicioze arkitekturore.
Tirana është mbushur me kulla me forma të lakuara, hapësira publike me çmime të shtrenjta, resorte mbresëlënëse, ndërsa shumë projekte të tjera spektakolare janë duke u realizuar – të gjitha të përmbledhura në një botim referencial, “The Albanian Files”.
Rezulton se transformimi i vendit koordinohet pjesërisht përmes një grupi WhatsApp-i – “Ushtria e arkitektëve shqiptarë” – ku bëjnë pjesë disa prej arkitektëve më të famshëm të botës.
Grupi shërben si një forum ku ndahen sukseset, festohen projektet e reja dhe kryeministri, si patmdroni i madh i vendit, mbulohet me lavdërime për guximin dhe vizionin e tij.
Një arkitekt nga Nju Jorku e përshkruan situatën si të huazuar nga një film me superheronj: Rama bën një thirrje dhe arkitektët yje nga e gjithë bota mobilizohen për ta “shpëtuar” me krijimet e tyre të guximshme. Duke e parë nga afër, madje mund të dallosh edhe shqiponjën dykrenare shqiptare që projektohet në qiellin e natës.

Projekti i zhvillimit të portit të Sarandës nga XDGA, i paraqitur në “The Albanian Files”.
Biseda në WhatsApp mund të jetë private, por “The Albanian Files” është gjëja që i afrohet më shumë asaj. Është një dokument i jashtëzakonshëm, njëkohësisht i qëllimshëm dhe i paparashikueshëm.
Në parathënien e tij, Rama e përshkruan librin si “një dëshmi të çmuar nga prapaskenat” e një procesi që “po e transformon Shqipërinë në një mënyrë krejtësisht të papritur”.
Është një katalog magjepsës projektesh, ku 60 studio ndërkombëtare – dhe asnjë studio shqiptare – paraqesin planet e tyre për më shumë se 500 projekte në të gjithë vendin.
Për kundërshtarët e Ramës, megjithatë, libri është një dosje provash tronditëse.
Ata vënë në dukje mungesën e transparencës në procesin e vendimmarrjes, shkatërrimin e trashëgimisë, dëbimet e detyruara të banorëve, shkeljen e peizazheve të mbrojtura dhe rolin e sektorit shqiptar të ndërtimit në pastrimin e parave të krimit të organizuar.
Botimi përmban shumë dëshmi të drejtpërdrejta të arkitektëve që tregojnë përvojat e tyre. Një deputet i opozitës e ka cilësuar atë si “provë të pakundërshtueshme” – megjithëse ai nuk kishte pretendime për dyshime ndaj vetë arkitektëve.
Rama ka pasur të drejtë në një pikë: askush nuk e kishte parashikuar këtë.
Shumica e projekteve të paraqitura në libër janë të panjohura për popullsinë vendase, e cila ka reaguar me zemërim.
“Arkitektë yje, kthehuni në shtëpi!” – shkruhej në një pankartë gjatë një proteste të zhurmshme në qershor, përpara një mjedisi në Tiranë ku ishin mbledhur shumë prej arkitektëve të përfshirë në libër, për një aktivitet ekskluziv që festonte punën e tyre dhe promovimin e botimit. “Ku është publiku?” – pyeste një tjetër pankartë.
Biletat për festivalin e arkitekturës, të titulluar “Peizazhe të bollëkut”, kushtonin deri në 200 euro, në një vend ku paga mesatare mujore është rreth 700 euro.
Aktiviteti zhvillohej në një klimë të tensionuar, vetëm disa javë pas protestave të mëdha kombëtare të shkaktuara nga projekti madhështor për shndërrimin e rezervatit natyror të Zvërnecit dhe ishullit fqinj të Sazanit në një kompleks turistik luksoz, projekt i mbështetur nga familja Trump dhe me vlerë miliarda dollarë.
I emërtuar “Revolucioni i Flamingove”, për shkak të habitateve të brishta që kritikët thonë se kërcënohen nga projekti, protesta ka vazhduar prej më shumë se 120 ditësh dhe thirrjet për dorëheqjen e Ramës janë bërë gjithnjë e më të forta.
Kështu, arkitektura është gjendur papritur në qendër të polemikës.
“Duket sikur jetojmë në një mbretëri autokratike”, thotë Lorin Kadiu, drejtues i Citizens.al, një platformë investigative që ndjek projektet e ndërtimit në Shqipëri që prej vitit 2018.
“Jo vetëm që ka mungesë transparence, por të gjithë jemi të detyruar t’u nënshtrohemi shijeve estetike të një personi të vetëm. I gjithë vendi duhet të rilyhet sipas dëshirave të tij.”
Rama, i formuar si piktor, u bë i njohur si kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitet 2000, kur tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare me programin e rinovimit të ndërtesave të zymta të epokës sovjetike, duke i mbuluar ato me një ylber ngjyrash të ndezura.
Ky transformim, njëkohësisht ekonomik dhe plot gjallëri, pati sukses dhe Rama u vlerësua për qasjen e tij artistike origjinale.
Por sot, shumë prej mbështetësve të tij të dikurshëm mendojnë se ambiciet e tij arkitekturore kanë shkuar shumë larg.
Një letër e hapur, e shpërndarë gjatë protestave, dënonte “përvetësimin artistik të një politike shkatërruese” dhe u kërkonte arkitektëve të pranishëm të përgjigjeshin nëse po përfitonin nga “liria për të bërë këtu atë që do të ishte e ndaluar, e kundërshtuar ose e pamundur në vendet e tyre të origjinës”.
Nga arkitektët e kontaktuar nga Guardian, vetëm njëri u përgjigj, duke thënë se ata nuk bëjnë në Shqipëri asgjë që nuk do të lejoheshin ta bënin diku tjetër.
Ai shtoi se “liria në Shqipëri është sigurisht joshëse dhe, për këtë arsye, përgjegjësia personale është edhe më e madhe”.
Siç shkruan Rama me të drejtë në parathënien e The Albanian Files, arkitektët tërhiqen nga puna në Shqipëri për shkak të “mungesës së refuzimit në të gjitha format e tij”.
Faqet e librit janë të mbushura me pamje të brigjeve të virgjëra, pyjeve të gjelbra, dunave dhe lagunave të paprekura.
Në Gjipë, një gji që shumë e konsiderojnë plazhin e fundit të virgjër të jugut të Shqipërisë, studioja holandeze MVRDV ka propozuar një hotel me xham pasqyrues që do të lidhë dy anët e kanionit, “si një xhevahir mbi bregdet”.
Ky projekt vjen pas ndërtimit të kullës së tyre me apartamente në Tiranë, forma e së cilës i ngjan kokës së Skënderbeut, heroit kombëtar shqiptar – dhe që gjithashtu ka një ngjashmëri të habitshme me Ramën.
Në zonën e mbrojtur të dunave të Ranës së Hedhun, arkitekti i famshëm portugez Álvaro Siza, ka projektuar një godinë mbi faqen e kodrës, me teleferik dhe një kullë buzë detit.
Disa faqe më tej, maestro zviceran Valerio Olgiati propozon një kompleks kullash prej betoni që dalin nga rëra, të shpuara me dritare që duken si frëngji mbrojtëse.

Duket sikur po përgatitet të zmbrapsë një pushtim nga deti.
Zhvillimi i bregdetit vazhdon me projektuesin fiorentin të jahteve luksoze Luca Dini, misioni i të cilit është “të mahnisë edhe më guximtarët”.
Ai na ofron një udhëtim të ilustruar përmes 17 projekteve të tij, ndër të cilat kompleksi Life Marina, që shtrihet shtatë kilometra përgjatë një bregdeti të virgjër pranë Sarandës, dhe resorti Atara, i kurorëzuar me një “kurorë” të artë që qëndron mbi shkëmbinj si një pikë vrojtimi ushtarak.
Gjithçka shkon drejt parodisë kur ilustrimet e tij, të ngjashme me ato të një libri komik, përfundojnë me imazhin e një super-jahti që përshkon me shpejtësi horizontin, ndërsa vetë projektuesi deklaron nga kuverta: “Ne krijojmë hapësira në harmoni me mjedisin.”

Anneke Abhelakh, drejtorja e botimit, u kërkoi arkitektëve të paraqisnin vetë tekstet e tyre dhe sinqeriteti i tyre është befasues.
Në disa momente duket sikur po lexon një bisedë të improvizuar.
“Meqenëse nuk ka shumë rregulla dhe klientët e mi nuk shqetësohen shumë për kontekstin”, shkruan arkitekti berlinez Sam Chermayeff, “ne jemi të detyruar të reflektojmë mbi vlerat tona”.
Ai tregon përvojën e tij “vërtet të jashtëzakonshme” në Shqipëri, përfshirë mënyrën se si një bashkëpunëtor i Ramës e kontaktoi papritur dhe i propozoi shumë shpejt të projektonte dy kulla në Tiranë, me një sipërfaqe totale prej 45 mijë metrash katrorë – një sfidë e madhe për një projektues i cili njihet më tepër për kuzhinat e tij eksperimentale.
“Sigurisht që pranova”, shton ai, “pa e kuptuar vërtet se çfarë po ndodhte.”
I kontaktuar për koment, Chermayeff tha: “Unë u bëj klientëve shqiptarë të njëjtat pyetje që u bëj klientëve të mi në çdo vend tjetër dhe jam po aq i qetësuar nga përgjigjet e tyre”.
Ai shtoi se, “ashtu si në Gjermani apo në Shtetet e Bashkuara, nuk di më shumë se sa më thuhet” dhe se nuk punon në zona të mbrojtura ose pranë tyre.
“Unë nuk bëj asgjë”, shtoi ai, “që nuk do ta bëja diku tjetër.”
Arkitekti austriak Chris Precht tregon se u kontaktua në Instagram personalisht nga Rama, i cili e pyeti nëse do të ishte i interesuar për një projekt në Shqipëri.
Sot ai ka 29 projekte në vend, ndër të cilat “Kopshtin ei Edenit” me vlerë 4 milionë euro, i ndërtuar në oborrin e brendshëm të Kryeministrisë.
“Është një realitet i paimagjinueshëm”, theksohet nga një kolektiv arkitektësh dhe urbanistësh shqiptarë që ka krijuar një bazë të dhënash online me të gjitha projektet – e publikuar në shqip, ndryshe nga libri.
“Një grup i vogël arkitektësh të huaj kontaktohet drejtpërdrejt nga zyra e kryeministrit dhe u jepen projekte pa tender”.
Arkitektët e huaj e përshkruajnë situatën ndryshe.
“Rama nuk i emëron kurrë vetë arkitektët”, më thotë një anëtar i grupit ArchArmy. “Por ai i lidh ata me zhvilluesit. Dhe kuptohet se, nëse zhvilluesit zgjedhin një prej arkitektëve të tij, ata do të marrin lejen për të ndërtuar atë që dëshirojnë.”
Rama i ka mohuar gjithmonë këto pretendime. Në një intervistë të ashpër për CNN në qershor, ai i denoncoi akuzat për korrupsion si “lajme të rreme”.
Prej kohësh ai ka argumentuar se protestat masive janë nxitur nga armiqtë e presidentit amerikan, përfshirë Iranin.
“Nëse nuk do të ishte Jared Kushner”, tha ai, “askush nuk do të shqetësohej për flamingot, Shqipërinë, as për asgjë tjetër. Është urrejtja e përgjithshme ndaj Trumpit ajo që qëndron pas gjithë kësaj vëmendjeje mediatike.”
I kontaktuar nga Guardian, kabineti i kryeministrit nuk iu përgjigj në mënyrë të detajuar kërkesave për koment, duke i cilësuar pretendimet si “thashetheme” dhe “gjykime të ashpra”.
Në një fjalim këtë javë, me rastin e shpalljes së konkursit për ndërtimin e një kulle të re, Rama këmbënguli se juritë janë “kryesisht të përbëra nga arkitektë, urbanistë dhe akademikë plotësisht të pavarur”, se “pala shqiptare është në minorancë” dhe se “nuk ka kurrë orientim apo ndikim” mbi jurinë.
Ai shtoi se sot Shqipëria është “universiteti më i madh i hapur i arkitekturës”, pasi arkitektët e rinj shqiptarë kanë mundësinë “të takojnë, të ndjekin dhe të punojnë konkretisht me mjeshtra”.
Nëntitulli i librit është “Liri dhe Arkitekturë”, dhe shumë prej projekteve dëshmojnë për një liri të madhe krijuese.
“Të punosh si arkitekt në Shqipëri është çliruese”, shkruan belgu Xaveer De Geyter, duke prezantuar projektin e tij për tri kulla kolosale në formën e germës M në portin e Sarandës, “gjë që sjell një liri ndonjëherë marramendëse”.
Studioja spanjolle Arquitectura-G vlerëson procedurën shqiptare të autorizimit, të cilën e konsideron “dukshëm më të shpejtë dhe më pak kufizuese” se kudo tjetër, falë “një vizioni të qartë që vjen nga kryeministri”.
Portugezi Manuel Aires Mateus shkon në të njëjtën linjë: “Ka momente kur vendimet duhet të merren nga lart.”
Entuziazmi i dukshëm që shkakton ndërtimi mbi një tokë të paprekur është gjithashtu i qartë.
Emri i madh i arkitekturës japoneze, Kengo Kuma, përshkruan emocionin që ndjeu gjatë një fluturimi me helikopter mbi Shqipëri.
“M’u duk shumë emocionuese”, shkruan ai, “sepse natyra këtu është në pjesën më të madhe ende e paprekur.”
Në Azi, shton ai, “është shumë e vështirë të gjesh një projekt mbi një tokë kaq të ruajtur”.
Arkitektja indiane Anupama Kundoo, e vendosur në Berlin, flet për mundësinë për të krijuar “e çliruar nga pesha” e Evropës dhe e vendeve të tjera “të zhvilluara”.
Kundoo po punon mbi një plan të përgjithshëm për një “qytet-laborator” me 50 mijë banorë brenda Parkut Kombëtar të mbrojtur të Divjakë-Karavastasë.
Një projekt i tillë u bë i mundur vetëm falë një ligji të diskutueshëm të vitit 2024, i cili lejon ndërtimin e komplekseve hoteliere me pesë yje në zonat e mbrojtura – një ligj nga i cili përfiton gjithashtu projekti i mbështetur nga Trump në Zvërnec.
Nuk ka asgjë që të sugjerojë se arkitektët e përmendur në këtë artikull po shkelin ligjin.
“Zhvilluesit janë me nxitim”, thotë Kadiu. “Ata po përpiqen të ndërtojnë sa më shumë që të jetë e mundur përpara se këto ligje të shfuqizohen.”
Presioni po rritet.
Shqipëria ka hyrë në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësimin në BE, por kjo rregullore liberale mbetet një pengesë.
Ligji i vitit 2024, së bashku me legjislacionin e vitit 2015 që u jep trajtim preferencial “investitorëve strategjikë”, u kritikuan vitin e kaluar nga një raport i BE-së, i cili i konsideronte në kundërshtim me standardet e saj.
Një rezolutë e Parlamentit Evropian, e miratuar në qershorin e kaluar, “shprehu shqetësim të madh” dhe kërkoi një “moratorium të menjëhershëm mbi procedurat e reja të autorizimit, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore” në zonat e mbrojtura.
Rama vazhdon t’i mbrojë këto dy ligje si politika pragmatike dhe modernizuese, që pajtojnë mbrojtjen e mjedisit me një zhvillim ekonomik me vlerë të lartë.
Përtej shqetësimeve mjedisore dhe mungesës së transparencës në procedurat e lejeve dhe prokurimeve, mbetet një tjetër pyetje thelbësore:
Si mundet një nga vendet më të varfra të Evropës të financojë projekte të tilla ekstravagante?
Ndërsa çmimet e pasurive të paluajtshme janë rritur në mënyrë spektakolare, pagat dhe numri i kredive hipotekore nuk janë rritur në mënyrë të krahasueshme. Kjo ka bërë që kritikët të dyshojnë për përfshirjen e financimeve të fshehta.
Global Initiative Against Transnational Organized Crime i identifikon sektorët e pasurive të paluajtshme dhe turizmit në Shqipëri si platforma të rëndësishme për pastrimin e parave, duke theksuar se sektori i ndërtimit është “fuqimisht i infiltruar nga fonde të paligjshme”.
Raporti i saj i vitit 2020 vlerësonte se 1.6 miliardë euro “para të pista” ishin pastruar përmes sektorit shqiptar të pasurive të paluajtshme gjatë tre viteve paraardhëse.
Siç zbulova në vitin 2022, përgjimet telefonike të publikuara nxorën në pah biseda midis anëtarëve të mafias italiane, të cilët e shihnin bumin e pasurive të paluajtshme në Tiranë si një mundësi ideale për të pastruar paratë e tyre.
Çmimet e ndërtimit, rreth 500 euro për metër katror, dukeshin qesharake në krahasim me çmimet e shitjes, të cilat mund të arrinin deri në 4 mijë euro për metër katror.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po avancon me hetimet e saj.
Në qershor, ajo sekuestroi pasuri me vlerë 150 milionë euro, përfshirë apartamente, vila dhe prona komerciale, të lidhura me një rrjet të dyshuar të trafikut të kokainës.
Në të njëjtin muaj, Pëllumb Gjoka, i cilësuar dikur nga qeveria shqiptare si “investitor strategjik” dhe i autorizuar të ndërtonte një kompleks turistik me vlerë 52 milionë euro në bregdet, u burgos për porositjen e vrasjeve.
Një hetim i Citizens.al zbulon se disa projekte të paraqitura në The Albanian Files lidhen me hetime në vazhdim të SPAK-ut. Asnjë nga arkitektët e përmendur në këtë artikull nuk është i përfshirë.
Këto hetime flasin për pastrim parash përmes shoqërive guaskë, kontratave të ndërtimit dhe transaksioneve të pasurive të paluajtshme.
Më shumë se 40% e projekteve të përshkruara në libër nuk përmendin fare identitetin e klientit, gjë që i ka bërë shumë njerëz të pyesin: pse një opacitet i tillë?
Një ish-anëtar i ArchArmy-t shpreh keqardhje për mënyrën se si kanë shkuar gjërat.
“Si të tjerët, edhe unë iu bashkova projektit me bindjen e thellë se ai mund të sillte një ndryshim pozitiv në vend”, më thotë ai.
“Rama e dinte se Shqipëria do të zhvillohej shumë shpejt dhe nuk donte ta komprometonte këtë zhvillim. Është më mirë të përfshihen arkitektë të mirë për të garantuar një rezultat të pranueshëm, sesa të shohësh njerëz që ndërtojnë ndërtesa dhe apartamente pa karakter përgjatë bregdetit, pa asnjë kontroll.”
Ky arkitekt shpjegon se u largua nga projekti pasi kishte qenë pjesë e jurisë në një konkurs që “nuk i dukej demokratik” dhe përballë paqartësisë që rrethonte çështjet e pronësisë së tokës.
Ai shton:
“Rama ende beson fort se po vepron në interes të vendit. Ky është një shembull klasik i asaj që ndodh kur e konsideron veten një udhëheqës të iluminuar, por qëndron shumë gjatë në pushtet.”
Kjo ndjesi shfaqet edhe në një prej kontributeve më zbuluese të librit.
Reinier de Graaf, nga studioja holandeze OMA, i drejtoi një letër të hapur Ramës – e konceptuar si parodi, por humori i së cilës nuk funksiononmi.
“Duke pasur parasysh statusin e palëkundur të Shqipërisë si një pararojë e ndritur i arkitekturës”, shkruan ai, “profesioni ynë do të përfitonte shumë nëse vendi nuk do të organizonte më kurrë zgjedhje dhe nëse ju… do të qëndronit president përgjithmonë – madje pse jo edhe mbret.”
Dhe shtoi:
“Në një botë autokracish, a mund të kemi një autokrat të ndritur dhe me shije?”
Përgatiti T.Çela për Lapsi.al, burimi: The Guardian