
OpenAI ka larguar tre studiues pasi një hetim i brendshëm konstatoi se ata kishin shkelur politikat e kompanisë për aksesin dhe trajtimin e informacionit sensitiv. Të paktën dy prej tyre punonin në kërkime që lidhen me sigurinë e inteligjencës artificiale.
Kompania nuk ka bërë publikë emrat e personave të larguar. Sipas raportimeve, çështja lidhej edhe me punë që përfshinte një organizatë të jashtme që merret me analizimin e modeleve të inteligjencës artificiale.
“Hetimi ynë konfirmoi se këta individë trajtuan informacion sensitiv jashtë procedurave të përcaktuara të kompanisë, duke shkelur politikat tona dhe besimin që është thelbësor për punën tonë”, tha një zëdhënës i OpenAI, sipas BBC-së.
OpenAI tha gjithashtu se ishte ndarë nga tre personat për shkelje të politikave që lidhen me aksesin dhe trajtimin e informacionit sensitiv të kompanisë.
Largimet vijnë në një periudhë kur siguria e modeleve dhe agjentëve të inteligjencës artificiale është në qendër të debatit në industrinë e teknologjisë, ndërsa kompanitë po përballen me presion në rritje për forcimin e kontrolleve dhe mbrojtjen e të dhënave.
OpenAI nuk ka dhënë publikisht detaje të plota mbi natyrën e informacionit të trajtuar në mënyrë të parregullt apo mbi rolin konkret të organizatës së jashtme të përfshirë në këtë çështje.