
Në vitin 2018, pas një ndërhyrjeje të ndërlikuar kirurgjikale urgjente në tru, mjekët i kishin dhënë Sir Alex Ferguson vetëm 20% mundësi mbijetese, por edhe një herë trajneri legjendar arriti të përmbyste parashikimet dhe të mahniste të gjithë. Sot, skocezi i afrohet moshës 85-vjeçare me problemet e moshës, por ka kaluar momentin më kritik të jetës së tij dhe është rikthyer të ndjekë Manchester United nga vendi i tij në “Old Trafford”.
Në emisionin “BBC Breakfast”, ai ka rrëfyer dramën e hemorragjisë cerebrale që gati i kushtoi jetën tetë vite më parë dhe për të cilën iu desh të përballej me një proces të vështirë dhe shumë të gjatë rikuperimi. Kundër çdo parashikimi, ai u rikthye në gjendje të mirë shëndetësore dhe, pavarësisht disa dëmtimeve të vogla, vazhdon normalisht jetën e përditshme, pasi ka lënë pas një përvojë të tmerrshme.
Ferguson rrezikoi vdekjen në vitin 2018
Hemorragjia cerebrale kërkoi një shtrim urgjent në spital dhe edhe pas operacionit, Sir Ferguson i ishin dhënë shumë pak mundësi mbijetese. Ish-trajneri kujton me shumë qartësi ditët pas atij momenti, kur nuk e dinte nëse do të arrinte të kthehej në normalitet: “Isha i terrorizuar. Kisha humbur zërin, nuk mund të flisja. Ishte një moment i frikshëm.”
Ndërhyrja që iu krye ishte shumë delikate dhe pacientë të tjerë që ndodheshin në spital me të në atë moment nuk arritën të mbijetonin. Pas operacionit, Ferguson kishte humbur plotësisht aftësinë për të folur: “Mbaj mend që nipërit e mi erdhën të më vizitonin dhe unë kisha humbur zërin, nuk mund të flisja më. Thirrën një terapiste, e cila filloi të më bënte të bëja gjëra të tilla si të shkruaja emrat e zogjve, emrat e kafshëve, emrat e lumenjve. Në këtë mënyrë e rifitova zërin.”
Vetëm pas një rikuperimi shumë të gjatë, ish-trajneri u largua nga spitali dhe katër muaj më vonë u rikthye për herë të parë në stadium për të ndjekur United. Ai u prit me dashurinë e tifozëve, të cilët i rezervuan një ovacion në këmbë aq prekës, saqë bëri të përlotej bashkëshorten e tij Cathy, e cila më pas ndërroi jetë në vitin 2023, në moshën 84-vjeçare.