Flash

“Po të dërgoj fotot e Belës”/ E-maili që SPAK e lidh me vilën e Ballukut në White Rocks

Një e-mail me frazën “po të dërgoj fotot e Belës”, i gjetur në telefonin e Viola Haxhiademit, është një nga indiciet me të cilat SPAK dyshon se Belinda Balluku ka përfituar një vilë në White Rocks.

Lapsi.al 17 June 2026

Një e-mail i gjetur në telefonin e Viola Haxhiademit, zyrtares së lartë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, është kthyer në një nga provat kryesore të SPAK për të ngritur dyshime se ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka përfituar një vilë në kompleksin luksoz “White Rocks” në Dhërmi, si rezultat i një skeme korrupsioni dhe favorizimi tenderash.

Gjithçka nis nga ekspertimi i një telefoni “Iphone 11 Pro”, i sekuestruar nga BKH ndaj Viola Haxhiademit. Sipas aktit të ekspertimit nr.203, datë 8 tetor 2024, në telefon janë zbuluar komunikime elektronike që datojnë që prej vitit 2018, raporton gazetari Elton Qyno.

Një prej tyre është një e-mail i datës 13 shkurt 2018, ora 20:27, i dërguar nga adresa elektronike e Viola Haxhiademit drejt motrës së saj, Dorela Haxhiademi. Në këtë komunikim, Viola i dërgon fotografi dhe planin e një vile që, sipas SPAK, i referohet Belinda Ballukut.

“…zemër, po të dërgoj fotot e Belës, që të kuptosh në ç’fazë është shtëpia. Të kam dërguar dhe planin e projektit, për të parë për cilën bëhet fjalë. Bela, ka F-5 ndërsa ne kemi F-6. Po të shikosh në foton që kam bërë më afër me vilat ka vizatuar dhe ku do behet pishina. Më pëlqen shumë. Рuuuuссссс”.

Nga verifikimet e kryera, SPAK ka konfirmuar se adresa elektronike nga e cila është dërguar mesazhi i përket Viola Haxhiademit dhe se komunikimi lidhet me dy vila në kompleksin “White Rocks” në Drimadhë të Dhërmiut, të ndërtuar nga kompania “Eurocol”.

Njëra prej vilave, F-6, rezulton të jetë porositur nga Eleni Haxhiademi, nëna e Viola dhe Dorela Haxhiademit. Ndërsa vila tjetër, për të cilën në e-mail përdoret emri “Bela”, sipas SPAK dyshohet se i referohet Belinda Ballukut.

Pikërisht këtu nis edhe dyshimi kryesor i Prokurorisë së Posaçme.

Sipas dosjes hetimore, përfitimi i një vile në kompleksin “White Rocks” dyshohet se lidhet me një procedurë favorizuese të dy tenderave të zhvilluar në vitin 2018 nga shoqëria shtetërore “Albcontrol”, e drejtuar në atë kohë nga Belinda Balluku.

Objekti i procedurës ka qenë “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”. SPAK pretendon se procesi ka qenë i paracaktuar dhe këtë e mbështet edhe në komunikime të përgjuara mes biznesmenëve Fejzi Kodra dhe Pandeli Carapuli.

Në 5 nëntor 2014, Fejzi Kodra i shkruan Pandeli Carapulit:

“…Atelier 4, dërgoi preventivin e thotë që jemi në pritje të konfirmimit tuaj para se ta dërgojë tek AlbControl…”.

Një ditë më vonë, Carapuli i dërgon Kodrës adresën elektronike: “[email protected]

Ndërsa Fejzi Kodra i përgjigjet: “Ia dërgova”.

Më tej, në 11 nëntor 2014, Fejzi Kodra i shkruan Carapulit: “…për dijeni, akoma s’ka dalë gjë tek web i APP…”.

Vetëm pak minuta më pas, Pandeli Carapuli i përgjigjet: “…shiko u shpall ky i fundit. I madh…”.

Ndërsa Fejzi Kodra i kthen: “Mban datën e djeshme shpallur: Rikonstruksion i godinës teknologjike të AlbControll”.

Dhe Carapuli i përgjigjet: “…Ok të fillojmë përgatitjet”.

Për SPAK, këto komunikime tregojnë se kompania fituese kishte dijeni paraprake për procedurën e prokurimit.

Në dosje thuhet se Belinda Balluku, në cilësinë e Drejtoreshës së Përgjithshme të “Albcontrol”, së bashku me anëtarë të njësisë së prokurimit dhe kryetarin e komisionit të vlerësimit të ofertave, Evis Berberi, “kanë paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje për shoqërinë fituese “Eurocol”, duke siguruar në mënyrë të tërthortë vlerën e përfitimit të parregullt të dhënë nga administratori i shoqërisë “Eurocol”, Pandeli Carapuli, që konsiston në pasurinë, Vila F6, me vendndodhje Kompleksi “White Rocks”, Dhërmi”.

Sipas SPAK, fakti që vila F-6 është në posedim të Belinda Ballukut provohet nga një sërë rrethanash dhe provash të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit.

Megjithatë, dokumentet tregojnë edhe një tjetër element interesant. E njëjta vilë F-6 rezulton të jetë porositur edhe nga Igli Tare me kontratë të datës 5 dhjetor 2018, me vlerë 145 mijë euro. Nga kjo shumë janë paguar vetëm 70 mijë euro nga Agron Tare, ndërsa pjesa tjetër prej 75 mijë eurosh nuk është likuiduar.

Për këtë arsye, sipas SPAK, prona vijon të jetë ende e regjistruar në emër të kompanisë “Eurocol” të biznesmenit Pandeli Carapuli.

Gjatë dëshmisë së tij në Prokurorinë e Posaçme, Carapuli ka deklaruar se kontratën e ka lidhur me Igli Taren për shkak të miqësisë së hershme mes tyre, ndërsa ka shtuar se më pas nuk është interesuar se kujt ia ka kaluar vilën ish-futbollisti.

Të këshilluara

Marrëveshja e Hormuzit/ Çfarë dimë deri tani për paktin mes SHBA-së dhe Iranit

Marrëveshja mes SHBA-së dhe Iranit ka ndalur përkohësisht luftën dhe ka rihapur Ngushticën e Hormuzit, por çështjet që shkaktuan konfliktin, si programi bërthamor iranian, rezervat e uraniumit, sanksionet, fondet e ngrira dhe përplasja me Izraelin, mbeten ende të pazgjidhura dhe do të jenë objekt i negociatave të vështira në muajt në vijim.

12:49

430 mijë dollarë për lobim, Erion Veliaj kërkon aleatë në Washington

Dokumentet e fundit të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, tregojnë se fushata e lobimit për llogari të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, u fokusua te komunikimet me institucionet amerikane lidhur me financimet për SPAK, si dhe te kontaktet me përfaqësues të Kongresit dhe organizata joqeveritare.

12:22

ide

Fillimi i fundit të pushtetit të Ramës

Fillimi i fundit mund të jetë mu ky moment, kur piqet bindja e rrëzimit të një kryeministri a qeverie a rendi - pra të një lloj bindjeje se gjërat nuk do të kthehen aty ku ishin para se të fillonte protesta

09:47 Veton Surroi

MOTI TIRANA

28°c

KËMBIMI EURO

94.81

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI