Flash

Përgjimet e Erion Isait/ Si u vodhën milionat e bashkisë së Ersekës

Lapsi.al 19 June 2026

Kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai është marrë i pandehur nga SPAK, pasi akuzohet se ka favorizuar kompaninë “A&E Engineering” në disa procedura prokurimi, ku sipas hetimeve, projekti, fondi limit dhe kriteret e tenderit u ndërtuan në funksion të një kompanie të vetme.

Bashkë me Isain, SPAK ka dërguar për gjykim edhe 15 persona të tjerë: 7 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar, 7 punonjës të Bashkisë Kolonjë dhe administratoren e kompanisë “A&E Engineering”, Entela Çano. Akuzat janë për “Shpërdorim detyre”, “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera” dhe “Falsifikim dokumentesh”.

Sipas detajeve nga dosja e SPAK, rezulton se Çano kishte lidhje të ngushta me Isain, me të cilin komunikonte shpesh edhe me mesazhe. Isai e orientonte Çano përmes bisedave në WhatsApp për tenderët, ndërsa kompania e saj rezulton mbikëqyrëse e shumë punimeve të mëdha të kryera pothuajse gjithmonë nga të njëjta firma ndërtuese

Në qendër të dosjes qëndron tenderi për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, Loti 2, me fond limit 2.88 miliardë lekë me TVSH.

Sipas SPAK, Bashkia Kolonjë i ka kërkuar Autoritetit Rrugor të Shqipërisë financim për një projekt që pretendonte se e kishte marrë si dhurim. Por hetimi ka zbuluar se ai projekt nuk ekzistonte.

“Nga veprimet hetimore dhe provat e administruara është konstatuar se Bashkia Kolonjë nuk ka disponuar dokumentacion projektues të përgatitur prej saj për këtë objekt, ndonëse ekzistojnë korrespondenca zyrtare me Autoritetin Rrugor Shqiptar në të cilat paraqitet e kundërta”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Më tej, Prokuroria thotë se dokumentet janë falsifikuar për të krijuar përshtypjen se projekti ishte dorëzuar.

“Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga ekspertimi grafik i shkrimit dhe nënshkrimit të dokumentit, ka rezultuar se grupi i punës së Bashkisë Kolonjë, i përbërë nga shtetasit Erjon Cenko dhe Engjëll Dine, në bashkëpunim me shtetasen Entela Çano, kanë falsifikuar procesverbalin e marrjes në dorëzim të projektit nga Bashkia Kolonjë, ndërkohë që rezulton se nuk ka pasur projekt”, deklaron SPAK.

Por sipas Prokurorisë, nuk është manipuluar vetëm projekti. Edhe fondi limit i tenderit është përllogaritur në mënyrë të paligjshme. SPAK thotë se ish-drejtori i ARRSH-së, Ergys Verdho, së bashku me vartësit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, e përcaktuan vlerën e tenderit pa pasur projektin teknik dhe duke u mbështetur tek të dhënat e sjella nga vetë kompania që më pas do të fitonte procedurën.

Ekspertimi teknik dhe kontabël ka nxjerrë se fondi limit është fryrë me 590.2 milionë lekë.

Hetimi ka zbuluar se Entela Çano nuk është favorizuar vetëm në tenderin e rrugës Korçë-Ersekë. Edhe procedura për supervizimin e punimeve, me fond limit 22.7 milionë lekë, sipas SPAK, është orientuar në favor të kompanisë së saj.

“Anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë e shtetases Entela Çano, ‘A&E Engineering’ sh.p.k.”, thuhet në njoftim.

Një episod tjetër lidhet me tenderin për mbikëqyrjen e ndërtimit të ujësjellësit të Ersekës dhe disa fshatrave përreth. Sipas SPAK, fondi limit nuk u bazua në një studim real tregu, por në oferta fiktive të përgatitura nga vetë kompania fituese.

Madje, sipas Prokurorisë, edhe kriteret teknike janë shkruar nga vetë Entela Çano.

Sekuestrimi i celularit të saj, zbuloi jo vetëm lidhjet direkte me kryebashkiakun Erion Isai, por dhe angazhimin e saj në përgatitjen e dokumenteve, që Bashkisë i duheshin për të hapur tendera. Komunikimet e Erion Isait me Entela Çanon, dëshmojnë në një marrëdhënie të ngushtë mes tyre. Çano kishte rol në preventivin e projekteve për ujësjellësin.

Erion Isai: Mirëmëngjes… shefe si të kam?

Entela Çano: Po njoftoj inxhinierin t’iu sjellë projektin.

Erion Isai: Nesër do të jem në Tiranë, më duhet projekti i fshatrave që ta kaloj te këshill teknik.

Erion Isai dhe Çano diskutojnë për uljen e parametrave dhe shumat që duhej të paraqiteshin, duke treguar se procedura ishte orientuar paraprakisht në bashkëpunim mes zyrtarëve të bashkisë dhe kompanisë fituese.

Erion Isai: Me duhet deri te premten lista me emrat e fshatrave dhe vlerat për çdo fshat vëlla. Një zjarr të luteeeeem!

Entela Çano: Pa merak, do bëj të pamundurën që të premten ti dorëzojmë.

Në lidhje me ujësjellësin hetimi zbuloi se vlera maksimale e mbikëqyrjes ishte 8.3 milionë lekë pa TVSH, i cili përkon me fondin limit të prokurimit ku fitues shpallet operatori që ofron ofertën më të afërt me vlerën minimale të llogaritur nga autoriteti kontraktor, por jo më poshtë se ajo. 

Ndërsa për Erion Isain, SPAK arrin në përfundimin se ai jo vetëm ka miratuar procedurat, por ka bashkëpunuar në vendosjen e kritereve që favorizonin kompaninë fituese.

ZYRTARË TË BASHKISË KOLONJË TË AKUZUAR

Erion Isai                        Kreu i bashkisë Kolonjë          
Eljona Mydini                 Ish zv. Kryetare e Bashkisë Kolonjë
Erjon Cenko                   Punonjës i Bashkisë Kolonjë
Engjëll Dine                   Punonjës i Bashkisë Kolonjë
Ermal Zylfo                    Punonjës i Bashkisë Kolonjë
Armand Tafil                  Punonjës i Bashkisë Kolonjë
Muharrem Tartari            Punonjës i Bashkisë Kolonjë
Shpëtim Liço                  Punonjës i Bashkisë Kolonjë

ZYRTARËT E ARRSH NË AKUZË

Ergys Verdho                  Ish kreu i ARRSH
Erald Elezi                      Ish drejtor në ARRSH
Genti Raça                      Përgjegjës preventivi në ARRSH
Donikë Shehu                 Ish specialiste në ARRSH
Klarita Konomi              Ish specialiste në ARRSH
Nikollaq Mihali              Specialisti në ARRSH
Erdit Salillari                  Përgjegjës sektori në ARRS

Njoftimi i plotë i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 280/1 të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurve:

Erion Isai, me detyrën e kryetarit të Bashkisë Kolonjë, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 248 e 25, 258 e 25 të Kodit Penal;

Eljona Mydini, ish zëvendëskryetare e Bashkisë Kolonjë, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;

Ergys Verdho, ish Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;

Erald Elezi, ish Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;

Genti Raça, me detyrën e përgjegjësit të sektorit të preventivit pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;

Donikë Shehu, ish specialiste e nivelit të lartë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;

Klarita Konomi, ish specialiste e nivelit të lartë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, e akuzuar për kryerjen e veprës akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal;

Nikollaq Mihali, me detyrën e specialistit të nivelit të lartë pranë Autoritetit Rrugor shqiptar, e akuzuar akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal;

Erdit Salillari, me detyrën e përgjegjësit të sektorit të hartimit të projekteve të huaja pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal;

Erjon Cenko, Engjëll Dine, Ermal Zylfo, punonjës të Bashkisë Kolonjë, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve, në bashkëpunim”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 186/ 2, 258 e 25 të Kodit Penal;

Armand Tafil, Muharrem Tartari, Shpëtim Liço, punonjës të Bashkisë Kolonjë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal;

Entela Çano, me detyrën administratore pranë shoqërisë A& E Enginieering” sh.p.k., e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.

Nga kryerja e veprimeve hetimore, provat e administruara rezultuan fakte penale për personat përgjegjës të autoritetit kontraktor dhe institucionet e tjera shtetërore, ndërvepruese në disa procedura prokurimi, të zhvilluara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Bashkia Kolonjë.

1.Në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i rrugës Korçë Ersekë, Loti 2 (pjesa parë)”, me fond limit 2,879,999,858.89 (dy miliardë e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë milion e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e e tëtë pikë tetëdhjetë e nëntë) lekë me tvsh, zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në datën 24.09.2020, ka rezultuar se:

Në lidhje me projektin e paraqitur si nismë e Bashkisë Kolonjë, në kuadër të procedurës së ndjekur për “Shërbim projektimi në formë dhurimi/donacioni” me objekt “Ndërtim rruga Korçë–Ersekë, Loti 2”, nga veprimet hetimore dhe provat e administruara është konstatuar se Bashkia Kolonjë nuk ka disponuar dokumentacion projektues të përgatitur prej saj për këtë objekt, ndonëse ekzistojnë korrespondenca zyrtare me Autoritetin Rrugor Shqiptar në të cilat paraqitet e kundërta.

Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga eskpertimi grafik i shkrimit dhe nënshkrimit të dokumentit, ka rezultuar se grupi i punës së Bashkisë Kolonjë, i përbërë nga shtetasit Erjon Cenko, Engjëll Dine, në bashkëpunim me personin që ka dhuruar projektin, shtetasen Entela Çano, administratore e shoqërise “A& E Enginieering”sh.p.k, kanë falsifikuar procesverbalin e marrjes në dorëzim të projektit nga Bashkia Kolonjë, ndërkohë që rezulton se nuk ka pasur projekt.

Sa i takon, përcaktimit të fondit limit për procedurën e prokurimit, nga ana e shtetasve Ergys Verdho, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor dhe personave të tjerë përgjegjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasit  Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, nuk rezulton të jetë ndjekur rruga ligjore për përcaktimin e fondit limit.

Në kohën e hartimit të preventivit përfundimtar, të përgatitur nga ana e shtetasve Erald Elezi, Genti Raça, Donikë Shehu, dokument i miratuar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasi Ergys Verdho, nuk rezulton të ketë pasur projekt të hartuar dhe propozuar nga Bashkia Kolonjë, siç është paraqitur si dokumentacion i formalizuar nga Bashkia Kolonjë.

Përcaktimi i fondit limit nga ana e grupit të punës, personat përgjegjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, është bërë mbi bazën e të dhënave të përgatitura dhe të paraqitura dorazi nga vetë personi i interesuar, shtetësja, Entela Çano, administratorja e shoqërisë “A & E Engineering” sh.p.k, e cila që ka fituar më pas kontratën e mbikëqyrjes së zbatimit të punimeve për këtë objekt, ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2 (pjesa e parë).

Në përgatitjen e preventivit që ka shërbyer edhe për përcaktimin e fondit limit të autoritetit kontraktor, nga ana e shtetasve  Ergys Verdho, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe personave përgjegjës të tjerë, shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, është vepruar në kundërshtim me ligjin nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, VKM nr.914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, ligjin nr. 10296, datë 8.7.2010, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, të ndryshuar, ligjin nr.10164, datë 15.10.2009 “Për Autoritetin Rrugor Shqiptar”, VKM nr.276, datë 16.5.2018 “Për miratimin e organizimit, të strukturës, organikës dhe statutit të Autoritetit Rrugor Shqiptar”.

Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga ekspertimi teknik vlerësues dhe kontabël, ka rezultuar se fondi i përcaktuar nga autoriteti kontraktor për këtë procedurë prokurimi është fryrë në vlerën 590,213,874(pesëqind e nëntëdhjetë milion e dyqind e trembëdhjetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e katër) lekë, që përbën edhe dëm ekonomik të shkaktuar shtetit.

2.Procedura e prokurimit me objekt: “Supervizim i punimeve për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2 (pjesa e parë)”, me fond limit  22,704,145 (njëzet e dy milion e shtatëqind e katër mijë e njëqind e dyzet e pesë) lekë me tvsh, zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në datën 14.10.2020,  ka rezultuar se:

Erdit Salillari, Klarita Konomi, Niko Mihali, nën cilësinë e anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar dhe VKM nr.914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë e shtetases Entela Çano, “A&E Engineering” sh.p.k. 

3.Procedura e prokurimit me objekt: “Mbikëqyrje Punimesh Ndërtim i Ujësjellësit Ersekë dhe të disa fshtarave Faza e dytë nga burimet e Kozelit”, me fond limit 4,623,021.7 lekë me tvsh, zhvilluar nga Bashkia Kolonjë, zhvilluar në datën 06.10.2020, ka rezultuar se:

Në lidhje me përllogaritjen e fondit limit dhe hartimin e specifikimeve teknike, shtetasit Muharem Tartari, Engjëll Dine, Ermal Zylfo, nën cilësinë e anëtarëve të komisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe hartimin e specifikimeve teknike, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Erion Isai, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, si dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, me qëllim favorizimin dhe krijimin e privilegjeve të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k.

Anëtarët e komisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe hartimin e specifikimeve teknike,  shtetasit Muharem Tartari, Engjëll Dine, Ermal Zylfo, në përllogaritjen e fondit janë bazuar pa kryer një studim real të tregut, duke u mbështetur në oferta fiktive të përgatitura nga vetë shoqëria fituese e kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k. Si dhe specifikimet teknike janë përgatitur  nga administratorja e shoqërisë “A&E Engineering” sh.p.k.,shtetasja Entela Çano.

Në lidhje me hartimin e dokumenteve standarde të tenderit, anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit Armand Tafil, Erjon Cenko, Shpëtim Liço, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Erion Isai, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, si dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik” i ndryshuar, me qëllim favorizimin dhe krijimin e privilegjeve të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k.

Anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit Armand Tafil, Erjon Cenko, Shpëtim Liço, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Erion Isai, kanë miratuar dokumentet standarde të tenderit duke vendosur kritere të përcaktuara nga vetë shoqëria fituese e kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k.

Të këshilluara

Paratë e drogës në ndërtim/ A rrezikojmë një “1997” të dytë

Ekonomia shqiptare është bërë gjithnjë e më e varur nga industria e ndërtimit e ushqyer nga paratë informale të drogës dhe korrupsionit, ndaj një goditje e thellë ndaj pastrimit të parave mund të shpërthejë “flluskën” e pasurive të paluajtshme dhe të rrezikojë një krizë ekonomike me pasoja të ngjashme me kolapsin e vitit 1997.

17:04

ide

Fillimi i fundit të pushtetit të Ramës

Fillimi i fundit mund të jetë mu ky moment, kur piqet bindja e rrëzimit të një kryeministri a qeverie a rendi - pra të një lloj bindjeje se gjërat nuk do të kthehen aty ku ishin para se të fillonte protesta

09:47 Veton Surroi

MOTI TIRANA

26°c

KËMBIMI EURO

94.48

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI