
Një vështrim në të ardhmen e mundshme të bashkëjetesës të njeriut me robotët u prezantua në një ngjarje spektakolare në Seul. Robotë humanoide u panë duke ecur në pasarelë, duke kërcyer përkrah njerëzve dhe madje duke marrë pjesë në ndeshje boksi para publikut.
Ngjarja e titulluar "Shfaqja e modës fizike e IA-së" u mbajt me qëllim shfaqjen e potencialit të të ashtuquajturës "Inteligjencë Artificiale Fizike", domethënë e sistemeve të IA-së që bashkëveprojnë me botën reale përmes trupave humanoide.
Në pamjet e publikuara, njerëzit dhe robotët shfaqen të veshur njësoj, duke ecur së bashku në pistë dhe duke marrë pjesë në performanca koreografike. Ndër pamjet që spikati ishte një robot me një kapelë kauboji të personalizuar.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Choi Yong-ho, tha se qëllimi është të krijohet një botë ku njerëzit dhe robotët bashkëjetojnë në jetën e përditshme. "Unë besoj se një ditë njerëzit do të kopjojnë modën që veshin robotët dhe anasjelltas", tha ai.

Sipas tij, ideja lindi nga mendimi se "edhe robotët kanë nevojë për rroba", duke argumentuar se çdo robot duhet të fitojë identitetin e tij unik. Rrobat u dizenjuan nga vetë kompania dhe pritet të dalin në shitje më vonë këtë vit nën emrin e markës "MACH 33".

Teknologjia humanoide po përparon me shpejtësi. Robotët po demonstrojnë aftësi të tilla si lëvizje koreografike, pjesëmarrje në gara dhe kërcime akrobatike. Megjithatë, humanoidët plotësisht autonomë mbeten ende të kufizuar, pasi shumë nga demonstrimet më mbresëlënëse mbështeten në lëvizje të programuara ose me telekomandë.

Pavarësisht pengesave teknologjike, vlerësimet e Morgan Stanley tregojnë pritshmëritë e larta që rrethojnë industrinë, pasi sipas parashikimeve të saj, numri i robotëve humanoide në të gjithë botën mund të kalojë 1 miliard deri në vitin 2050. ©LAPSI.al