
Gjashtë në dhjetë shqiptarë mendojnë se korrupsioni u shtua gjatë tre viteve të fundit, perceptim që konstatohet nga sondazhi i SecuriMeter 2026 dhe që në simbolikë, është një tjetër gozhdë në arkivolin e reformës në drejtësi. Dhjetë vjet më parë premtohej se reforma e drejtësisë do t’i jepej fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë, nëpërmjet SPAK dhe GJKKO, por duket se besimi se këto organe mund të sjellin një drejtësi europiane, ka humbur.
Sondazhi i SecuriMeter 2026 është zhvilluar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal me financim nga Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë. Nga 1 deri më 17 shtator u intervistuan ballë për ballë 6 003 të rritur në gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, prej tyre 1 001 në Shqipëri.
Nga përgjigjet del se Shqipëria është e para në rajon për perceptimin e korrupsionit, thënë ndryshe, qytetarët e saj ndjehen më të vjedhurit në Ballkan.
Kur u pyetën sa i përhapur ishte korrupsioni, 92,1% e të anketuarve në Shqipëri u përgjigjën se ishte shumë ose mjaft i përhapur, kundrejt një mesatareje rajonale prej 76,5%.
Kur u pyetën si kishte ndryshuar situata gjatë tre viteve të fundit, 60,8% thanë se korrupsioni ishte shtuar, kundrejt 45,4% në rajon. Vetëm 16,6% mendonin se ishte pakësuar. Pra, shumica e sheh problemin duke u rënduar pikërisht në vitet kur pritej të shiheshin efektet e drejtësisë së re.
Për një pjesë të madhe të të anketuarve, kësaj tabloje i shtohet përvoja e familjes me shërbimet publike. Në Shqipëri, 61% thanë se ata vetë ose dikush në familjen e tyre kishte bërë një pagesë shtesë, një ryshfet, kishte dhënë një dhuratë me vlerë ose kishte bërë një donacion në sistemin shëndetësor gjatë tre viteve të fundit. Në rajon, të njëjtën përgjigje e dhanë 27,4%.
Vetëm se kjo është ana e përditshme së korrupsionit. Për të kuptuar se si reagon pushteti kur përballet me një hetim në nivelet më të larta, shqiptarët patën rast ta shihnin në Kuvend më 12 mars.
Rasti i Belinda Ballukut, që në fund të vitit 2025 u mor e pandehur për tenderin e tunelit të Llogarasë tregoi se në përballje me pushtetin politik, SPAK dhe GJKKO u ndalën dhe bënë një hap pas.
Në çështjen “Balluku” mazhoranca e drejtuar nga Rama u gjend përpara zgjedhjes reale nëse duhej t’i hapte rrugë ndëshkimit të një prej aktorëve kyçë të saj, apo të refuzonte arrestimin dhe të mbrohej me fuqinë e kartonëve në kuvend. Rama zgjodhi opsionin e dytë.
Ai e quajti pezullimin “një akt brutal” që nuk do të pranohej. I paraqiti prokurorin dhe gjyqtarin si dy njerëz që kishin marrë kompetencat e ekzekutivit duke shkarkuar Ballukun, ndërsa paralajmëroi edhe ndryshime ligjore për kompetencat e gjykatave në raste të tilla.
Edhe pse prokurorët e arsyetuan nevojën për arrestimin e Ballukut me rrezikun e ndikimit mbi dëshmitarët dhe i cenimit të provave, mazhoranca e rrëzoi kërkesën me 82 vota kundër SPAK. Pakënaqësisë së ambasadave për rrëzimin e reformës në drejtësi, Rama iu përgjigj se SPAK nuk kishte “karta bianka” për arrestimin e politikanëve duke kundërshtuar lidhjen që po bëhej mes mbrojtjes së Ballukut dhe integrimit.
Tetë muaj më vonë, SPAK paraqiti kërkesën për gjykimin e Ballukut, 25 personave të tjerë dhe dy shoqërive me akuza të shtuara për korrupsion dhe pastrim parash. Akuzat ndaj saj përfshijnë shkeljen e barazisë në nëntë procedura prokurimi, korrupsionin pasiv, fshehjen e pasurisë dhe pastrimin e parave.
Por prokurorët e SPAK, edhe pse kishin prova të reja dhe një akuzë penale të rënduar, nuk bënë një kërkesë të dytë në parlament për arrestimin e Ballukut. Drejtuesi i SPAK, Klodian Braho iu referua disa deklaratave të deputetëve të Partisë Socialiste për të arsyetuar tërheqjen e akuzës nga nevoja për arrestimin e Ballukut.
Tashmë për "Ballukun" pritet të vendosë gjykata, por historia e dosjes së saj zhbëri përfundimisht përrallën e reformës në drejtësi, premtimet për fundin e pandëshkueshmërisë dhe ëndrrën për një drejtësi europiane. Ajo rrëzoi perdet e një narrative që pushteti e kishte ndërtuar vetë nëpërmjet propagandës dhe arrestimeve që nuk e preknin thelbin e sistemit të korruptuar, për të cilin janë pyetur qytetarët shqiptarë në sondazhin e SecuriMeter 2026.
Jo rastësisht, janë shqiptarët që kanë perceptimin më të zymtë në Ballkanin Perëndimor për korrupsionin në vendin e tyre. Prandaj, kur pyeten se çfarë ka ndryshuar në tre vitet e fundit, përgjigjja e shumicës ishte se korrupsioni është shtuar./Lapsi.al


