Flash

Grupi i kokainës së Eldi Dizdarit dhe Dritan Gjikës, investime edhe në fotovoltaike

Lapsi.al 21 June 2026

Përveç sektorit të ndërtimit në zona elitare si në Tiranë dhe bregdetin shqiptar, organizata e trafikut të drogës e drejtuar nga Salvatore Aliu, Eldi Dizdari alias Matoshi dhe Dritan Gjika, ka investuar paratë e drogës edhe në ndërtimin e parqeve fotovoltaike të energjisë raporton gazetari Elton Qyno.

Prokuroria e Posaçme, SPAK, gjatë hetimeve të kryera ka gjetur gjurmë të investimeve të organizatës në kompani energjitike, duke çuar në shtrirjen e verifikimeve mbi një kompani energjitike, e cila është themeluar në vitin 2022, duke pasur si qëllim ndërtimin e parqeve fotovoltaike në Shqipëri.

Sipas dokumenteve të siguruara nga gazetari Qyno, rezulton se “G.E.A Green Energy” është një shoqëri me një kapital prej 100 milionë lekësh të vjetër, ku aksioneri kryesor i kësaj kompanie është “Aliu Road Hause”.

Kjo është një shoqëri që zotërohet 100 për qind nga Isa Aliu, person ky i shpallur në kërkim nga SPAK, si i përfshirë së bashku me vëllain Salvatore alias Shpëtim Aliu në trafikun e drogës nga vendet e Amerikës Latine drejt vendeve të Europës dhe në pastrimin e parave në Shqipëri.

Isa Aliu zotëron 50 për qind të aksioneve të “G.E.A Green Energy”, ndërsa dy aksionerët e tjerë të kësaj shoqërie janë kompania “Gainsbourg” e biznesmenit Elton Beqiraj, i cili zotëron 25 për qind të aksioneve.

Sipas dokumenteve, “Gainsbourg” është një kompani e regjistruar më 10 maj 2010 nga beratasi Dashnor Faqekuqi. Por më 16 dhjetor 2016, Faqekuqi vendos t’ia shesë kompaninë Elton Beqirajt nga Durrësi, kundrejt një vlere prej 10 mijë lekësh të vjetër. Nga viti 2016 e deri më sot, kompania në fjalë ka disa masa bllokimi nga përmbarues privatë dhe Drejtoria Rajonale e Tatimeve.

Ndërsa kompania e tretë që ka hyrë me 25 për qind në shoqërinë energjitike “G.E.A Green Energy” për ndërtimin e parqeve fotovoltaike është “Edicom”.

Kjo është një shoqëri e themeluar në vitin 1994 dhe tashmë pronarë të saj janë Ledia Aleksi, Xhorxhi Aleksi dhe Luigj Aleksi, ky i fundit kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve.

Sipas bisedave të zhvilluara në aplikacionin “Sky”, vëllezërit Aliu janë të përfshirë në trafikun e tonelatave të mëdha të kokainës nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të porteve kryesore të Europës.

Rasti në fjalë provoi nga SPAK se organizata e drogës kishte një qëndrueshmëri dërgesash të rregullta çdo javë të kokainës, duke sjellë brenda një kohe të shkurtër përfitime të jashtëzakonshme monetare.

Paralelisht me këtë aktivitet, drejtuesit kryesorë të organizatës, si vëllezërit Aliu, Eldi Dizdari, Dritan Gjika dhe persona të tjerë, kujdeseshin për të sjellë në Shqipëri paratë e fituara, duke i investuar ato në ndërtime të ndryshme, HEC-e dhe parqe fotovoltaike.

Isa Aliu, sipas hetuesve, administronte dhe pastronte paratë e drogës për llogari të vëllait Salvatore. Në një nga bisedat e zhvilluara më 30 gusht 2020, Isai e informon Salvatore Aliun se ka gjendje 6 mln euro cash, ndërsa 13 ditë më vonë Salvatore i konfirmon Isait se në vijim do të marrë edhe 20 mln euro të tjera.

Më tej në biseda del se si ai e orienton për mënyra të ndryshme të fshehjes së parave, një prej të cilave ishte edhe groposja në fuçi 50-litërshe.

SPAK ka prova se pjesë e konsiderueshme e këtyre shumave janë shtrirë në investime ndërtimi në zonat më të lakmuara të Shqipërisë. Ndërsa prej 4 vitesh vëllezërit Aliu kanë hapur edhe kompani për ndërtimin e parqeve fotovoltaike të energjisë.

Të këshilluara

ide

Një antihero i dëshpëruar i Homerit

Kryeministri ka përdorur mitin antik të Odiseut që nuk joshet nga sirenat, për të përçuar mesazhin se ai do të vazhdojë përpara pa pyetur për protestuesit. Por nëse nuk do e kish njohur veprën e Homerit vetëm përmes ekranizimit, do të kish gjetur tek kjo metaforë gjurmët e një autokrati

16:50 Andi Bushati

Fillimi i fundit të pushtetit të Ramës

Fillimi i fundit mund të jetë mu ky moment, kur piqet bindja e rrëzimit të një kryeministri a qeverie a rendi - pra të një lloj bindjeje se gjërat nuk do të kthehen aty ku ishin para se të fillonte protesta

09:47 Veton Surroi

MOTI TIRANA

34°c

KËMBIMI EURO

94.48

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI