
Shteti u kujtua të veprojë vetëm pasi objekti 5-katësh pa leje në Qeparo u bë publik. Brenda pak orësh, të gjitha institucionet u vunë në lëvizje: Policia e Shtetit pezulloi zinxhirin komandues të Komisariatit të Himarës, tre inspektorë të IMT-së u shpallën në kërkim, ndërtuesi i godinës u arrestua, ndërsa kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo, vendosi të shkrijë të gjithë strukturën e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit. Një reagim i sinkronizuar që erdhi vetëm pasi rasti doli në pah, megjithëse vetë autoritetet pranojnë se objekti ishte ndërtuar prej muajsh, pa u penguar nga institucionet që kishin detyrimin ligjor ta ndalonin.
Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, është pezulluar nga detyra zinxhiri komandues i Komisariatit të Policisë Himarë që ka qenë në detyrë gjatë periudhës kur u ndërtua objekti 5-katësh pa leje në Qeparo.
Sipas njoftimit zyrtar, janë pezulluar ish-shefi i Komisariatit, Ferit Merkaj, ish-shefi i Seksionit për Hetimin e Krimit, Emiljano Prenga, ish-specialisti për Hetimin e Krimit, aktualisht në Komisariatin e Vlorës, Klodjan Petani, si dhe Redin Çaushaj, ndihmës/specialist i SPZ-së në Zonën Policore nr. 1 të Komisariatit të Himarës.
Për këtë rast është arrestuar shtetasi L. B., banues në Laç, i dyshuar si ndërtuesi i objektit pa leje. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim kryeinspektori dhe dy inspektorë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Himarë, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Në njoftimin e saj, Policia e Shtetit pranon se, nga verifikimet paraprake, ndërtimi kishte nisur në dhjetor të vitit 2025 dhe se Komisariati i Policisë Himarë nuk kishte marrë masa për ta parandaluar apo për të vënë përpara përgjegjësisë autorin e ndërtimit.
Pas zhvillimeve reagoi edhe kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo, i cili njoftoi shkrirjen e strukturës së Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në bashki, pasi pesë punonjës u pezulluan nga detyra.
Sipas Tavos, masa ishte e pashmangshme pas shkeljeve të përsëritura që, sipas tij, ishin konstatuar prej kohësh.
“IMT ka 6 punonjës në detyrë, një ishte pozicion bosh, sot janë pezulluar nga puna 5, shkrihet struktura. Është masë drastike, por është veprim i detyruar nga situata në terren. Kam kontaktuar çdo ditë drejtuesin e tyre të inspektojnë çdo ditë çdo centimetër tokë dhe të mos lejojnë ndërtime pa leje. Jo vetëm që nuk e kanë kryer këtë detyrë, por u drejtohen fshatarëve dhe qytetarëve për punime që i kanë të lejuara me ligj dhe lejojnë ndërtime që nuk mund të kalonin pa u vënë re. Lejuan ndërtimin e një godine 5-katëshe në Porto Palermo, ndërkohë ndalojnë fshatarët të rregullojnë oborret”, deklaroi Tavo.
Kryebashkiaku bëri të ditur se do t'i kërkojë IKMT-së të marrë përsipër kontrollin e territorit të Himarës me inspektorët e saj, pasi, sipas tij, Bashkia e Himarës nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore për ta mbuluar këtë funksion. ©Lapsi.al