Flash

Euro preku kufirin e 93 lekëve për herë të parë në histori, si ra me 34% nga 2011-a

Lapsi.al 10 August 2026

Monedha e përbashkët ka shënuar një tjetër rënie në tregun e brendshëm valutor gjatë ditës së sotme, duke u këmbyer me 93.07 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

Ky është niveli më i ulët historik që kur euro filloi të funksionojë si monedhë fizike.

Që nga fillimi i vitit 2026, kursi i Euros me Lekun ka rënë me 3.8%.

Krahasuar me nivelin më të lartë historik, prej 140.4 lekësh, të arritur në shkurt të vitit 2011, euro këmbehet me 47.5 lekë më pak, me një rënie prej 34%.

Sipas agjentëve të këmbimit valutor, tregu ndodhet nën efektin e prurjeve të sezonit turistik, që në këtë periudhë të vitit arrin pikun e tij.

Por, rënia sezonale e kursit të Euros është në vijim të një tendence të qartë rënëse që kishte nisur qysh në muajt e parë të vitit, si rrallëherë më parë. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e parë të vitit deficiti i llogarisë korrente ra në 228 milionë euro, në rënie me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, investimet e huaja direkte arritën vlerën e 404 milionë eurove, duke shënuar një rekord të ri historik për këtë periudhë të vitit. Ato u rritën me 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përtej informacionit që japin statistikat zyrtare, në publik ngelet i fortë perceptimi se kursi ndikohet ndjeshëm edhe nga prurjet valutore që burojnë prej aktiviteteve informale ose kriminale.

Disa raste të publikuara nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar konfirmojnë perceptimin e investimit të sasive të mëdha të parave të pista në zhvillimin dhe blerjen e pasurive të paluajtshme.

Rënia e euros ka filluar që nga viti 2016 dhe deri në 2024-n, nënçmimi i tij shpjegohet më shumë me flukset informale nga rritja e ndërtimeve sesa nga përmirësimi i deficitit të llogarisë korente, që përkundrazi u përkeqësua. Pas 2024-s, efektit të flukseve informale iu shtuan dhe prurjet turistike, me hyrjet e shtetasve të huaj që i kaluan 12 milionë në vit.

Nga ana tjetër, forcimi i Lekut pjesërisht besohet se po mbështetet edhe nga politika fiskale e ndjekur nga qeveria shqiptare, me suficite të mëdha fiskale në pjesën më të madhe të vitit, praktikë që e ul ofertën e monedhës vendase në treg.

Për 6-mujorin 2026, suficiti buxhetor arriti vlerën rekord të 52.8 miliardë lekëve, në rritje me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Banka e Shqipërisë po ndërhyn vazhdimisht në tregun valutor për të blerë valutë, por ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë vetëm sa po e kontrollojnë pjesërisht rënien e Euros, pa mundur ta frenojnë plotësisht atë. Burime nga tregu bëjnë të ditur se Banka Qendrore ka ndërhyrë dy herë për të blerë Euro këtë javë.

Që prej fillimit të vitit 2024 deri në fund të 3-mujorit 2026, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu gati 2.2 miliardë euro. Vetëm për tremujorin e parë të këtij viti, blerjen kishin vlerën e 140 milionë eurove, një rekord për këtë periudhë të vitit.

Të këshilluara

ide

Pse Rama e lidhi Kushnerin me një trafikant

Edhe familjes Trump, në një vend ku është e pamundur të bësh para pa u bërë pis, nëse nuk do i qëllonte Artur Shehu, patjetër do i binte për pjesë dikush i ngjashëm me të

12:58 Andi Bushati

Kryeministri po flet me veten

Dy fenomenet që Rama identifikoi si problemet themelore të qeverisjes, arroganca dhe mungesa e empatisë, janë tiparet e tij dalluese.  Ku ka zyrtar më arrogant dhe jo-transparent se kryeministri në qeverinë Rama? Si mundet Rama ti kërkojë ministrave të përfshijnë qytetarët në vendimarrje, kur ai vetë nuk i përfshin ministrat në vendimmarrjen e tij?

17:33 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

33°c

KËMBIMI EURO

93.07

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI