
Dashamir Shehi komentoi sot çështjen e shumëpërfolur të dy ditëve të fundit të lidhur me SHISH-in.
Duke folur për “A2CNN ”, Shehi tha se kryeministri Edi Rama emëroi Vlora Hysenit në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror, vetëm e vetëm për t’i dalë kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që e shkarkoi Hysenin kur punonte për AKI-në.
“Unë gjykoj që është emëruar për t’i bërë karshillëk atij që e shkarkoi. Edhe sikur të ishte shkarkuar pa të drejtë, nuk duhet vënë në Shqipëri në shërbimet sekrete. Zakonisht, në këto shërbime emërohen njerëz që e njohin ambientin. Nuk e bën dot një nga jashtë”, -tha Shehi.
Shehi u shpreh se shërbimet sekrete të vendit kanë qenë për shumë kohë në dorë të zyrtarëve të korruptuar, të paguar për t’i bërë dëm vendit.
“Shërbimet sekrete kanë qenë në dorë të disa njerëzve që janë njëlloj të korruptueshëm si drejtorët e ministrat. Këta janë për të përgjuar njerëz që duan t’i bëjnë dëm vendit, jo për të komunikuar me kriminelë e për të mbuluar zullumet e drogës”,-u shpreh Shehi.