
Ditën e nesërme, Gjykata e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) do të marrë në pyetje, tashmë ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) Vlora Hyseni, dhe dy personat e tjerë të arrestuar në kuadër të hetimeve me AKSHI-n. Konkretisht shefi i laboratorit shkencor të Policisë Tiranë Fatjon Kalluci dhe një punonjës i një biznesi në Durrës.
Seanca për marrjen në pyetje të këtyre të fundit është caktuar në orën 09:00 ndërsa për Vlora Hysenin në orën 12:00.
SPAK lëshoi dje masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Hysenin e dyshuar se ka ndihmuar me informacione sekrete Ergys Agasin, gjatë kohës që ky i fundit ishte në arrati. Ajo akuzohet për veprat penale “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.
Ndërsa Fatjon Kalluci dhe personi tjetër akuzohen se kanë ndihmuar Agasin t’i shmanget policisë për një kohë të gjatë.
Hyseni ndodhej jashtë Shqipërisë kur u bë publike masa e sigurisë. Ajo u dorëzua pasditen e djeshme te autoritetet kosovare teksa po kthehej për në Shqipëri. Krahas ‘arrestit në shtëpi’, për Hysenin u lëshua dhe masa “pezullim nga detyra’. Nuk vonoi dhe presidenti i Republikës Bajram Begaj firmosi dekretin për shkarkimin e saj nga detyra.
Hetimet e SPAK
Siç rezulton në dosjen e SPAK, ajo ka pasur komunikime periodike të përditshme me Agasin gjatë kohës që ai ishte në kërkim nga Prokuroria e Posaçme. Vetë Hyseni, e pyetur më datën 18 shtator nga prokurorët e SPAK, ka pranuar se ka pasur komunikime me Ergys Agasin, por ka thënë se Agasi i kishte ofruar asaj bashkëpunim dhe ka mohuar takimet fizike apo faktin që Agasi të ketë siguruar informacione nga Shërbimi Informativ i Shtetit. Ajo është zotuar të kthejë përgjigje zyrtare, me shkresë të klasifikuar, mbi origjinën e disa diagrameve të SHISH që SPAK ka sekuestruar në makinën e Agasit.
Këto diagrama janë gjetur në një makinë të Agasit në një resort në Tiranë më 20 korrik 2026. Gjatë seancës gjyqësore për verifikimin e masës së sigurisë, SPAK thotë se Agasi ka pranuar se mjeti ishte i tij dhe se i kishte lënë këto sende me qëllim që t’i gjenin organet e Prokurorisë së Posaçme. Por sipas SPAK, Agasi jo vetëm që nuk ka qenë në rolin e “bashkëpunëtorit”, por në të kundërt është ai që merr dhe dikton informacionin e marrë, ndërsa kreu i SHISH nuk ka vënë në dijeni asnjë nga instancat, qoftë paralele apo brenda institucionit, për të ashtuquajturin bashkëpunëtor.
Prokuroria e Posaçme shprehet se komunikimet mes kreut të shkarkuar të SHISH dhe Agasit përfshinin jo vetëm telefonata të thjeshta, por edhe video call dhe dërgim e marrje fotosh e videosh, gjë që sipas SPAK rrëzon alibinë e bashkëpunëtorit të pretenduar nga deklarimi i Vlora Hysenit. Në total, për periudhën 28 qershor 2026 deri më 26 gusht 2026, data e arrestimit të shtetasit Ergys Agasi, nëpërmjet aplikacionit “Signal”, janë regjistruar 70 thirrje të bëra nga Vlora Hyseni në drejtim të Agasit, 17 thirrje dalëse nga Agasi te Hyseni, 28 thirrje të humbura dhe 25 thirrje ku Agasi nuk i është përgjigjur Hysenit.