Flash

Aleksandar Vuçiç jep dorëheqjen si president i Serbisë

Lapsi.al 27 September 2026

Presidenti i deritanishëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dha dorëheqjen nga posti i të parit të shtetit serb, në mbrëmjen e 27 shtatorit.

Ai dha dorëheqjen të dielën për të marrë pjesë në garën për postin e kryeministrit si kandidat i partisë së tij, Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare ai i kishte shpallur më herët për 25 tetor.

Vuçiq u tërhoq nga posti i kreut të shtetit serb tetë muaj para përfundimit të mandatit të tij presidencial, i cili sipas ligjit do të përfundonte në maj të vitit 2027.

Vuçiq është zgjedhur dy herë president i Serbisë.

Meqë Kushtetuta e Serbisë nuk lejon një mandat të tretë, ai nuk do të mund të kandidonte sërish.

Pas dorëheqjes së Vuçiqit, Serbia do të ketë ushtrues detyre të presidentit të shtetit.

Këtë detyrë do ta marrë Ana Bërnabiq, kryetare e deritanishme e Kuvendit të Serbisë, i cili u shpërbë pas shpalljes së zgjedhjeve parlamentare.

Ajo mund të qëndrojë në këtë detyrë për më së shumti tre muaj.

Vuçiq tha në një adresim për publikun se rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet deri në fund të dhjetorit.

Përveç kësaj, ai tha se kishte marrë vendim për amnisti dhe falje për 49 persona.

“Prej tyre, 23 persona janë të lidhur me të gjitha këto ngjarje të tmerrshme nëpër të cilat kemi kaluar gjatë një viti e gjysmë të fundit”, tha Vuçiq.

Kur do të mbahen zgjedhjet për presidentin ose presidenten e re të Serbisë?

Dorëheqja e Vuçiqit do të thotë se qytetarët e Serbisë, pas zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit, do të shkojnë sërish në qendrat e votimit.

Sipas ligjit, zgjedhjet presidenciale shpallen “në mënyrë që votimi të mbahet jo më vonë se tre muaj nga dita kur presidentit i përfundon mandati”.

Gjithashtu, nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit nuk mund të kalojnë më pak se 30 dhe më shumë se 60 ditë.

Kjo do të thotë se zgjedhjet presidenciale do të mbahen më së voni në fund të dhjetorit, ndërsa më së hershmi në fillim të nëntorit të këtij viti.

Akuzat për fushatë nga funksionarët

Vuçiq dhe Partia e tij Përparimtare Serbe janë boshti i pushtetit në Serbi që nga viti 2012.

Në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Vuçiq njoftoi se dëshiron të rikthehet në postin e kryeministrit, detyrë të cilën e ka mbajtur për dy mandate.

Në fushatën për këto zgjedhje ai hyri nga pozita e presidentit të shtetit – pranoi të jetë bartës i listës zgjedhore që SNS-ja, së bashku me partnerët e saj të koalicionit, e dorëzoi dy javë para dorëheqjes së Vuçiqit.

Debatin nëse është në kundërshtim me ligjin që presidenti i Serbisë të jetë njëkohësisht edhe kandidat në zgjedhjet parlamentare e hapi në publik organizata joqeveritare Byroja për Kërkime Shoqërore (BIRODI).

Ajo kërkoi nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit që të shprehej lidhur me këtë çështje.

Megjithatë, kjo kërkesë mbeti pa përgjigje.

BIRODI e paraqiti më 15 shtator edhe një ankesë ndaj pjesëmarrjes së Vuçiqit në fushatë pranë Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK), i cili është përgjegjës për mbikëqyrjen e procesit zgjedhor.

Një ditë më vonë, RIK-u e hodhi poshtë ankesën si “të pabazuar”.

Edhe para fillimit të aktiviteteve parazgjedhore, opozita dhe vëzhguesit e zgjedhjeve e kishin kritikuar disa herë presidentin se po e keqpërdorte funksionin shtetëror për promovimin e partisë së tij.

Përparimtarët i hodhën poshtë këto akuza, duke thënë se me partinë merren “jashtë orarit të punës”.

Për problemin e fushatës nga funksionarët në Serbi, përkatësisht përdorimin e pozitave shtetërore për promovimin e partisë gjatë procesit zgjedhor, prej vitesh kanë tërhequr vërejtjen vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë. /Marrë nga Radio Evropa e Lirë

Të këshilluara

ide

Një histori korruptimi jo dashurimi

Fakti që zyrtare të larta të shtetit tonë adhurojnë uritha të tillë si Agasi është dëshmi e korruptimit dhe jo e sensibilitetit romantik. Nivelet e larta të shtetit duhet të shërbejnë si busulla morale dhe parimore për qytetarin e thjeshtë, dhe jo të degradojnë nën nivelin moral të popullatës.  Pikërisht kjo është ajo që na trondit në rastin e zonjës Hyseni. Busulla e saj morale dhe parimore ishte nën nivelin e qytetar

11:09 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

17°c

KËMBIMI EURO

91.97

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

WSJ: Si e ndihmoi ambasadorja amerikane kompaninë greke të siguronte marrëveshjen 6 miliardë $ në Shqipëri

Një investigim i Wall Street Journal hedh dritë mbi rolin e ambasadores amerikane Kimberly Guilfoyle në promovimin e kompanisë greke "Aktor". Në mars, ajo takoi Kryeministrin Rama në Tiranë, e shoqëruar nga drejtori i kompanisë dhe lobisti i saj. Një muaj më vonë, u kthye për nënshkrimin e marrëveshjes 6 miliardë dollarëshe për furnizimin e Shqipërisë me gaz amerikan.

12:38

Me sytë katër

PAPARAZZI