Avokati i Justin Baldoni, Bryan Freedman, e ka cilësuar marrëveshjen ligjore me Blake Lively si një “fitore të madhe” për klientin e tij.
Në një intervistë për “TMZ Live”, Freedman u shpreh se Baldoni kishte fituar tashmë çështjen, pasi një gjyqtar hodhi poshtë 10 nga 13 akuzat e ngritura ndaj tij, përfshirë ato për ngacmim seksual, shpifje dhe komplot.
“Ky ishte një rast ku ai kishte fituar tashmë. Marrëveshja ishte një mundësi e mirë që nuk duhej humbur,” tha ai.
Avokati shtoi se vendimi i gjykatës i dha mundësi Baldonit të “marrë frymë sërish”, duke theksuar ndikimin emocional që akuzat kishin pasur mbi të dhe familjen e tij.
“Të akuzohesh publikisht për ngacmim seksual është shkatërruese – për ty dhe për familjen tënde,” u shpreh Freedman.
Nga ana tjetër, çështja mes dy aktorëve të filmit It Ends With Us ishte planifikuar të shkonte në gjyq më 18 maj, por u mbyll përmes marrëveshjes mes palëve.
Blake Lively kishte ngritur padi në dhjetor 2024, duke akuzuar Baldonin për ngacmim seksual dhe duke pretenduar humbje të mëdha financiare. Nga ana e tij, Baldoni i mohoi akuzat dhe ngriti një kundërpadi prej 400 milionë dollarësh për shpifje dhe zhvatje, e cila më vonë u rrëzua.
Në fund, të dy palët konfirmuan se kanë arritur një marrëveshje, duke theksuar se filmi i tyre mbetet një projekt për të cilin janë krenarë dhe që synon të rrisë ndërgjegjësimin për viktimat e dhunës në familje.
Sipas burimeve, ekipet ligjore të të dyja palëve kanë shpenzuar rreth 60 milionë dollarë gjatë këtij konflikti gjyqësor.