Kryeministri Edi Rama duket se ka bërë disa hapa pas nga entuziazmi dhe publiciteti me të cilin veshi “ministren e tij virtuale” Diella, pas jehonës që ky lajm mori në mediat ndërkombëtare. Gjatë një aktiviteti për Start Up-et, kryeministri e zhveshi "Diellën" nga cilësia kryesore me të cilën ajo joshi mediat e huaja dhe u shndërrua në pak orë në "chat-bot"-in më të famshëm të globit: aftësinë për të marrë vendime si ministre e qeverisë. Sipas Ramës, e gjitha ishte një keqkuptim sepse vendimet do të merren nga njerëzit.
"Ka shumë keqkuptime, jo domosdshmërit refuzime të bashkuar në argumente. Ministrja e Inteligjencës Artificiale nuk do të marrë vendime, ne do të marrim vendime. Nuk po i delegojmë asaj përgjegjësinë për të marrë vendime, ne po i japim asaj që të procesojë të dhënat në mënyrë shumë të shpeshtë dhe të na japë përgjigje shumë të shpejta" u shpreh Rama.
Deklarata ishte si një kovë me ujë mbi një debat të nxehtë që Rama e ndezi me mjeshtëri, duke qenë pushtetari i parë në botë që i jep fuqi qeverisëse inteligjencës artificiale. Sepse fillimisht Diella u prezantua si një “risi botërore” dhe si garanci se tenderët publikë në Shqipëri do të ishin 100% të pastër nga korrupsioni.
“Chat bot” me fytyrën e aktores Anila Bisha u përfshi edhe në dekretin presidencial për qeverinë e re, duke u hedhur si karrem për mediat më të mëdha, që nuk i rezistuan dot joshjes së një algoritmi të veshur jo vetëm me kostumin tradicional të Shqipërisë por edhe me pushtet real ekzekutiv, si garanci për luftën ndaj korrupsionit.
Diella, ministri ideal i Edi Ramës
Raportimet në mediat e huaja cituan Edi Ramën që kur prezantoi kabinetin e ri, shprehej “Diella është anëtarja e parë e kabinetit që nuk është fizikisht e pranishme, por është krijuar virtualisht nga inteligjenca artificiale”.
Më pas, Rama shtonte se ajo do ta ndihmonte Shqipërinë të bëhet “një vend ku tenderët publikë janë 100 për qind të lirë nga korrupsioni.” Lajmi bëri me shpejtësi xhiron e mediave ndërkombëtare dhe të nesërmen, Rama u mburr me suksesin që pati ministrja e tij virtuale.
Por, ndërsa titujt e mëdhenj ndërkombëtarë e pasqyruan lajmin me kureshtje, analizat që pasuan ngritën pikëpyetje mbi natyrën e kësaj nisme. Me kalimin e ditëve të para, lajmi i Diellës ka kaluar nga entuziazmi te dyshimi.
Në vend që të shihej si një hap i guximshëm kundër korrupsionit, Diella po perceptohet si një truk i radhës për publicitet. Një shkrim i AFP sjell me rezerva idenë e Ramës për ministren virtuale, ndërsa kujton edhe manovra të tjera të tij që më shumë se masa konkrete kanë shërbyer si lëvizje boshe për të kapur titujt kryesorë të mediave botërore.
“Emërimi i Diellës bëri jehonë në mbarë botën, diçka në të cilën kryeministri Rama është mjeshtër qoftë duke marrë pjesë në samite ndërkombëtare me atlete, duke shpallur ndalimin e TikTok-ut, duke krijuar një “Shtet Bektashi” të modeluar si Vatikani, apo duke hapur kampe emigrantësh për të strehuar njerëzit e kapur në det nga qeveria italiane.Por arritja e qëllimeve të tij është një çështje tjetër. TikTok mbetet lehtësisht i aksesueshëm në Shqipëri, vetëm pak dhjetëra burra janë transferuar në kampet e emigrantëve dhe ligjshmëria e nismës ende po kontestohet në gjykatat italiane. Po ashtu, pak përparim publik është bërë edhe mbi “Shtetin Bektashi” që prej shpalljes së tij një vit më parë” shkruan AFP në raportimin për Diellën në nënndarjen “Korrupsion i vjetër, softëare i ri”.
Më tej, në shkrim citohet një ekspert i transformimit digjital dhe sigurisë kibernetike si Erjon Curraj, që thotë se përballja e Diellës me korrupsionin varet thjesht nga “të dhënat hyrëse”.
"Nëse këto “janë të paplota, të njëanshme ose të vjetruara, vendimet e IA-së do të pasqyrojnë këto mangësi, dhe ajo “mund të keqinterpretojë dokumentet, të shënojë gabimisht një furnizues ose të mos vërë re shenja të bashkëpunimit korruptiv,” shprehet Curraj.
Ndërkohë një shkencëtar i kompjuterave dhe specialist i inteligjencës artificiale Jean-Gabriel Ganascia e trajton me seriozitet idenë për t'i dhënë pushtet një algoritmi. Ai shprehet se vendimi për t’ia besuar vendimmarrjen publike një makinerie, i redukton njerëzit thjesht në skllevër.
“Ajo që më shqetëson është ideja e një makinerie që qeveris, që jep përgjigjen ‘e saktë’ dhe pengon çdo diskutim,” tha studiuesi Jean-Gabriel Ganascia, i cili është edhe filozof. “Një politikan mban përgjegjësi, por këtu ideja është se makina është e përsosur dhe nuk mund të shkojmë kundër vendimeve të saj” shtoi ai.
Dyshimet e para për Diellën i kishte raportuar media italiane TgCom24. Ditën që Rama prezantoi një “chat-bot” si ministre, gazetarët e vendit fqinj, të njohur për tendencat e Ramës për të bërë lajm, shkruan me dyshime për nismën: “Ata që e shohin me dyshim Diellën janë ata që druhen se ministrja artificiale mund të bëhet objekt sulmesh hakerash ose manipulimesh të qëllimshme për të manipuluar tenderët publikë. Po ashtu, sipas këtyre zërave kritikë, duhet marrë parasysh edhe mundësia që teknologjia thjesht mund të “gabojë”, duke ngjallur fantazma të dala nga klasiket e fantashkencës si Minority Report”.
Edhe Washington Post, megjithëse e përcolli me pozitivitet lajmin se inteligjenca artificiale vishet për herë të parë me pushtet, kujton se Shqipëria mbetet një ndër vendet më të korruptuara në Europë dhe se Diella, për momentin, mbetet thjesht një truk.
“Rama, një populist me gjatësi 2 metra (përafërsisht), është në pushtet që nga viti 2013. Ai ka çuar vendin drejt të qenit pjesë e Bashkimit Evropian ndërkohë që përballet me shqetësime për korrupsionin dhe rrëshqitjet demokratike. Sigurisht, titulli “ministrja Diella” është një truk. Kushtetuta e Shqipërisë kërkon që anëtarët e kabinetit të jenë qenie njerëzore; çfarëdo roli që AI të luajë në shpërndarjen e burimeve qeveritare, njerëzit duhet të vendosin për buxhetin dhe prioritetet e qeverisë” ka shkruar Washington Post.
Kjo narrativë e re rrezikon ta dëmtojë qëllimin e Ramës. Në vend që të bindë europianët për seriozitetin e qeverisjes dhe përpjekjeve kundër korrupsionit, “ministrja virtuale” hap një debat mbi transparencën, manipulimin e të dhënave apo mungesën e llogaridhënies në rast se korrupsioni mbetet në të njëjtat nivele.
Ekspertët e inteligjencës artificiale kanë paralajmëruar se Diella është e varur nga të dhënat që i ushqehen, dhe nëse këto janë të manipuluara, IA vetëm do të përsërisë problemet e vjetra, por edhe do të japë një shembull se si babëzia për të vjedhur nuk ndalet as para inteligjencës më të sofistikuar që njohim deri më sot.
Në këtë kuptim, tërheqja e Ramës nga retorika e marketingut të Diellës duket si një shkelje frenash, pasi nisma e sotme mund të përballet nesër me kritikat dhe dyshimet e partnerëve ndërkombëtarë. Sepse, më shumë se një armë e re kundër korrupsionit, nëse Diella del e zhveshur cullak, ajo është thjesht një truk mediatik që nëse e tepron me publicitet, dashje pa dashje e ekspozon qeverinë e Ramës ndaj skepticizmit dhe mosbesimit ndërkombëtar./Lapsi.al