Ish-Presidenti i Republikës, ish-Kryeministër dhe aktualisht kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është thirrur para një komisioni disiplinor në paraburgim për t'u ndëshkuar. Në një mesazh në rrjetet sociale njoftohet se ndaj tij po përdoren masa represive, që shkojnë përtej çdo kufiri të arsyes.
Në një letër publike drejtuar “miqve” të tij, Meta njofton se është thirrur sërish përpara një Komisioni Disiplinor, për një “shkelje të rëndë” – një intervistë televizive e dhënë për gazetaren Aida Tançica në MCN, përmes telefonit të avokatit Kujtim Cakrani.
“Herën e parë më thanë që fola pas orës 20:00. Tani më thërrasin sepse nuk duan të flas me gazetarët. Çfarë dallkaukësh! Mirë që ping-pongun ma kanë ndaluar, por tani duan të më ndalojnë edhe fjalën,” shkruan Meta.
Por përveç komunikimit me telefonata, për Metën është kufizuar edhe takimi me familjen. Sipas tij, pas 20 ditësh pa takim, iu lejua të shihte vetëm tre nga katër anëtarët e familjes – motrën dhe dy vajzat – ndërsa djali i tij Besi, u la jashtë derës, për shkak të një rregulli të ri që lejon vetëm tre vizitorë njëherësh.
“Për 8 muaj i kam takuar të katërt, sot jo. Kur rregullorja kthehet në vegël presioni, nuk është më rregull, por hakmarrje e organizuar” thotë Meta.
Në këtë atmosferë që ai e përshkruan si të mbytur nga censura dhe kontrolli, Meta paralajmëron një formë të re komunikimi: letra të hapura. “Nesër, letra e parë do t’i drejtohet zotit Arben Ahmetaj,” njofton ai, duke lënë të kuptohet se në mungesë të konferencave për shtyp, do të flasë me stilin e vjetër – atë të pusullave nga burgu të personalizuara.
Meta është arrestua në tetor të vitit të kaluar për disa çështje që hetohen prej 6 vitesh, por pak ditë më parë SPAK kërkoi zgjatjen e hetimeve që nënkupton burgosjen e mëtejshme të një prej politikanëve më të ashpër në opozitë.
Mesazhi i plotë i Ilir Metës