Flash

Tre momentet që çmontojnë fushatën e Ramës për “pasaportën europiane”

Lapsi.al 15 April 2025
Tre momentet që çmontojnë fushatën e Ramës për

[audio mp3="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2025/04/1-1-AUDIO-2025-05-29-12-28-52-enhanced-v2.mp3"][/audio]

Si në çdo fushatë, Edi Rama është sërish në rolin e tregtarit të ëndrrave të bukura dhe prej një muaji tashmë, i është futur paketimit të ëndrrës Europiane, në këmbim të votave të 11 majit. Një herë u premton shqiptarëve se do të kenë pasaportë europiane dhe për këtë krijon me photoshop pasaporta të mëdha të falsifikuara, që i ekspozon në ekranet gjigande të skenës elektorale.

Pastaj mban fjalime dhe përshkruan ditën kur shqiptarët do të ecin dinjitozë në korridoret e aeroporteve bashkë me qytetarët e tjerë europiane, krah për krah me gjermanët, me holandezët apo me francezët. Në fund këmbëngul në sloganin e fushatës se vetëm ai “Vetëm me Edin” dhe me Partinë Socialiste do ia dalim të shohim dritë në fund të tunelit në vitin 2030. Por si çdo përrallë që rrëfehet përpara gjumit, edhe kjo e 11 Majit ka momentin e saj kur dëgjohet zëri i realitetit që të shkund përgjumja ku të çon propaganda e sofistikuar e pushtetit.

Vetëm me Edin? Jo, thotë BE

1) Në fjalimet që Rama ka mbajtur gjatë takimeve elektorale, ai këmbëngul se vetëm Partia Socialiste mund të përparojë në procesin e integrimit në BE. Jo më kot, slogani i PS është “Vetëm me Edin”. Madje Rama shkon përtej dhe thotë se zyrtarët në Bruksel e ndjekin me vëmëndje situatën në Shqipëri dhe sipas tij, sa më e thellë të jetë fitorja e socialistëve në zgjedhje, aq më fort do të jehojë dëshira e shqiptarëve në Bruksel për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Vetëm se në një reagim të delegacionit të BE për Lapsi.al, kjo fabul del krejtësisht e gënjeshtërt, madje BE pohon krejt të kundërtën, që integrimi nuk është ekskluzivitet i një partie, por i të gjitha partive dhe i të gjithë popullit shqiptar. “Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është një objektiv strategjik kombëtar, i cili mbështetet fuqishëm nga shumica dërrmuese e qytetarëve në Shqipëri dhe gëzon mbështetje të plotë ndërpartiake” ishte përgjigjia që dha delegacioni i BE pas interesimit të Lapsi.al.

Ekskluzive/ BE rrëzon sloganet e Ramës, integrimi nuk varet nga fitorja e PS

Premtimi për 2030, Kaja Kallas nuk e konfirmon

2) Një ndër premtimet që Rama lëshon në mitingjet elektorale është ai që ka të bëjë me afate konkrete të procesit. Për shembull, kryeministri premton që në 2027 do të mbyllë tërësisht negociatat me BE, ndërsa në 2030, pra në mandatin e tij të pestë, do të jemi pjesë e Bashkimit Europian. Si për çdo iluzion të gënjeshtërt është problem kur flitet me data konkrete. Disa ditë më parë, gjatë vizitës në Shqipëri Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, njëkohësisht Zëvendëspresidente e Komisionit Europian Kaja Kallas u pyet nga gazetarët në konferencën mbi mundësinë e anëtarësimit të Shqipërisë në BE në vitin 2030 dhe ajo e zhbëri edhe këtë slogan të Edi Ramës. Kaja Kallas u kujdes ta shmangë me elegancë afatin e futjes së Shqipërisë në BE duke thënë: “është një objektiv realist, por në mënyrë që të përmbushet duhen ndërmarrë disa hapa, dhe Shqipëria duhet të miratojë e zbatojë reformat në praktikë”. Me fjalë të tjera: nuk mund të flitet tani për asnjë afat magjik, nga ato që Edi Rama i lëshon pa teklif në monologjet e tij para ekranit të kompjuterit dhe që ai i quan “Sy m’sy”.

Anëtarësimi në BE, Kallas: Duhen reforma të vështira dhe bashkëpunimi i gjithë palëve

Ndalet edhe Gjermania. Kërkon reflektim, jo zgjerim të BE

3) Në retorikën e fushatës, Rama luan me idenë se tani, në këtë periudhë janë pjekur kushtet që BE ka vendosur t’i japë një shans zgjerimit me vende të Ballkanit Perëndimor, mes tyre edhe Shqipërisë. Por së fundmi, gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), një nga gazetat më të rëndësishme dhe prestigjioze të Gjermanisë, dhe njëkohësisht një nga më të njohurat në Evropë ka zbuluar se në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë së ardhshme federale gjermane sanksionohet një kthesë e fuqishme në politikën e jashtme, që nuk ka më prioritet zgjerimin, por reflektimin për funksionimin e brendshëm të BE. “Deri në zgjerimin e radhës, duhet një konsolidim i brendshëm dhe reformë brenda BE-së që e forcon atë institucionalisht”, – thuhet në pjesën e parë. Praktikisht, Berlini po zhbën shpresat e atyre që shpresonin për një integrim të shpejtë në BE dhe ky është një lajm që bie ndesh me paketimin që i bën Rama ëndrrës europiane, në funksion të 11 majit.

Shkrimi i plotë në “FAZ”: Si qeveria e re gjermane po bllokon zgjerimin e BE-së

Në ato pak raste kur gazetarët i kanë kujtuar faktet kokëforta që i çmontojnë sloganet e përtypura nëpër fushatë, Edi Rama bën atë që di më mirë: nxjerr kasetën e monologut me “bufë”, “zhapikë”, “kënetë”, “gjarpërinj” dhe epitetet e tjera të njeriut që nuk i ka mbetur më asnjë argument. Sepse është më e lehtë të prodhosh në Photoshop një pasaportë europiane, sesa të ndërtosh një shtet, qytetarët e të cilit nuk kanë nevojë të ëndërrojnë për asnjë pasaportë të huaj. Por sigurisht që kjo nuk mund të ndodhë kur jeton në shtetin më të korruptuar i Europës, aty ku sa më të bukura të jenë ëndrrat e fushatës, aq më i hidhur del realiteti pas zgjedhjeve./Nga Dorian Kodra për Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Shqipëria nuk ka pse të arrijë Europën, tani mund ta udhëheqë atë

Në një editorial për The Guardian, Lea Ypi shkruan se protestat e të rinjve tregojnë se Shqipëria mund t’i japë Europës një mësim mbi vetërespektin. Sipas saj, brezi që thotë “Shqipëria nuk është në shitje” po sfidon modelin ku natyra shitet për investime, demokracia kapet nga të pasurit dhe integrimi europian përdoret për të mbyllur gojën kritikëve.

16:35 Lea Ypi

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

95.19

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI