Flash

Dhuna në Big Brother: A ishte vetëm Jozefin Marku?

Lapsi.al 13 April 2025
Dhuna në Big Brother: A ishte vetëm Jozefin Marku?

Një skenë dhune, e paprecedentë dhe tronditëse, vulosi natën e gjysmëfinales së spektaklit Big Brother VIP në Top Channel, kur para se të dilte nga shtëpia, konkurrenti Jozefin Marku goditi me shuplakë Besart Kelmendin, këngëtarin e njohur si “Gjesti”. Goditja, e cila ndodhi në transmetim të drejtpërdrejtë, ishte mjaft e fortë, aq sa për të rrëzuar Gjestin në dysheme, madje menjëherë pas ngjarjes u kërkua ndërhyrja mjekësore.

Sapo Jozefini doli nga shtëpia, ai u shoqërua në polici dhe u lirua disa orë më vonë. Ndërkohë, Top Channel, në një reagim të shpejtë zyrtar, hoqi përgjegjësinë nga një ngjarje që brenda pak sekondash pushtoi rrjetet sociale:

“Produksioni nuk ka pasur asnjë informacion, sinjal apo indicie që do të mund të çonte në parashikimin e një sjelljeje të tillë. Ngjarja ndodhi në mënyrë të papritur, pa asnjë provokim të lidhur me formatin, dhe është thellësisht e dënueshme. Edhe pse formatet televizive të tipit reality mund të përmbajnë të papritura dhe tensione, kufijtë janë të qartë dhe të panegociueshëm – dhe dhuna nuk tolerohet në asnjë rrethanë.”

Pamjet u fshinë menjëherë nga kanali zyrtar në YouTube, por interneti nuk harron, dhe sidomos nuk fal kur spektakli të furnizon me skena dhune.

Siç ndodh gjithmonë kur një ndodhi bëhet “virale”, personazhet e botës së shoëbizz-it nuk vonuan me reagimet e tyre. Shumica shprehën keqardhje për Gjestin dhe dënuan veprimin e dhunshëm të Jozefin Markut nëpërmjet mesazheve patetike në rrjetet sociale.

(VIDEO) Shuplaka e Jozit hedh në tokë Gjestin në Big Brother

Megjithatë dy prej tyre që kanë jetuar gjatë nëpër korridoret e Top Channel folën për më shumë se një shuplakë, duke ngacmuar një plagë, për të cilën pakkush guxon të flasë.

Olsi Bylyku: “Nuk është fajtor aktori, por regjisori i kësaj shfaqjeje”

Aktori dhe humoristi Olsi Bylyku, i cili më parë ka qenë vetë pjesë e Big Brother dhe disa ditë më parë u rikthye në një vizitë surprizë për ishin e tij Egli Tako, publikoi një reagim të fortë në rrjet, ku nuk e fshihte neverinë për atë që kishte ndodhur:

“Phyyy, phyyy, phyyyyyy! Kjo është ajo ‘loja’ që ju ofrohet si ‘lojë’ nga televizioni që ju aq shumë e doni!”

Ai e cilësoi ngjarjen si një “shpullë mediatike” për publikun, ndërsa la të kuptohet se dhuna nuk ishte aksident, por pasojë e klimës së krijuar me qëllim për të rritur shikueshmërinë:

“Nuk është fajtor asnjë aktor, miq! Është regjizori i kësaj ‘shfaqjeje’. Hiqni dorë nga mendimi që gjithçka është zbavitje. Çdo gjë është E VËRTETË!”

Olsi Bylyku që më parë ka thënë se është në një konflikt gjyqësor me Top Channel e fshiu shpejt postimin, por mesazhi u përhap me shpejtësi në disa prej portaleve të showbizz.

Florian Binaj: “Produksioni mezi e priste një skenë të tillë”

Edhe Florian Binaj, një nga emrat ikonë të “Portokalli”-së dhe një imazh i rëndësishëm i Top Channel për shumë vite, nuk kurseu kritikat për njerëzit që janë në prapaskenën e spektaklit:

“Produksioni, sado që na qënkërka distancuar nga ajo që ndodhi, ka muaj që mezi pret që diçka e tillë të ndodhë për t’i rritur shikueshmërinë një formati të degjeneruar prej kohësh!”

Binaj kujtoi me ironi se si një televizion kombëtar që dikur promovonte talente dhe vlera, është kthyer në një fole për antivlera, ku tentohet t'i shitet publikut "boshllik për cilësi"

“Brënda një 10 vjeçari u pa se si një televizion Kombëtar nga fole që thith talente dhe i shërben publikut ajkën e cilësisë, u kthye në një fole për të paaftët që t’i shesin publikut antivlerat dhe boshllikun për cilësi.”

Por ndërsa shpjegon atë që kishte ndodhur në Big Brother, Binaj vë në dukje edhe një detaj që për shumëkënd mund të jetë harruar. “Zarfi i zi u kthye nga ndëshkim, në bonus” ka shkuar ai.

Dhe këtu nis pyetja e madhe:

A veproi vërtet vetëm Jozefin Marku?

Shqetësimi që ngrenë dy aktorët, të cilët dikur kanë qenë pjesë e skuadrës së Big Brother nuk është pa baza. Tashmë gjithkush e ka të qartë mekanizmin me të cilin Big-u tenton të parandalojë përdhosjen dhe degradimin në një transmetim që vazhdon 24 në 24 orë live. Ky është zarfi zi.

Gjatë prgramit ka pasur largime të personazheve që nuk kishin respektuar rregullat e bashkëjetesës në shtëpi, si për dhunë fizike, ashtu edhe për racizëm verbal.

I tillë ishte edhe rasti i Jozefin Markut i cili u përjashtua nga programi, kur e quajti Besart Kelmendin "kopil shkine". Por ndërsa sjellja e pahijshme e nxorri jashtë, produksioni e riktheu në lojë Jozefin Markun për hir të shikueshmërisë . Vetëm se këtë radhë ai e përkeqësoi sjelljen e tij, duke e çuar nw njw tjetër nivel dhunën në televizion.

Dhe kur një reality show rikthen një konkurrent të përjashtuar për sjellje të pahijshme, kur mbyllet një sy për provokimet raciste dhe kur rregullat thyhen, atëherë në vend që të shuhet, konflikti nxitet. Sa i sinqertë është atëherë produksioni kur pretendon se “nuk ka pasur asnjë informacion, sinjal apo indicie që do të mund të çonte në parashikimin e një sjelljeje të tillë"?

A ishte Jozi vërtet fajtori i vetëm, apo ai ishte thjesht dora e Vëllait të Madh, që goditi për llogari të një spektakli që shet sherrin dhe fyerjet si argëtim?

E vërteta është që dhuna nuk ndodh rastësisht. Në atë shtëpi të rrethuar nga kamerat, ku çdo gjë është regji dhe montazh, dhe ku banorët pranojnë të bëhen kavie eksperimentale, shuplaka e Jozefinit mund të ketë qenë e vetmja gjë spontane. Gjithçka tjetër ka qenë e dirigjuar.

E sigurtë është që kjo lojë nuk merr fund me një deklaratë shfajësuese, aq më tepër brenda një biznesi ku dhuna sjell klikime dhe klikimet sjellin para./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Shqipëria nuk ka pse të arrijë Europën, tani mund ta udhëheqë atë

Në një editorial për The Guardian, Lea Ypi shkruan se protestat e të rinjve tregojnë se Shqipëria mund t’i japë Europës një mësim mbi vetërespektin. Sipas saj, brezi që thotë “Shqipëria nuk është në shitje” po sfidon modelin ku natyra shitet për investime, demokracia kapet nga të pasurit dhe integrimi europian përdoret për të mbyllur gojën kritikëve.

16:35 Lea Ypi

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

95.19

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI