Kombëtarja është gati për miqësoren e sotme në orën 18.00 në Air Albania, pavarësisht se nuk ka kryer asnjë seancë stërvitore në tokën shqiptare. Kuqezinjtë kanë mbyllur përgatitjet në Spanjë dhe do të zbresin në fushë për miqësoren e dytë të marsit me objektiv fitoren, kundër një kundërshtari problematic në precedentë.
FORMACIONI
Mungesat e Bares, Balliut dhe Uzunit, lojtarë që ishin titullarë ndaj Spanjës, nuk janë të vetmet që tekniku Edoardo Reja do të bëjë në ndeshjen e sotme. Duke nisur nga porta, ndaj Gjeorgjisë do të jetë radha e Tomas Strakoshës. Në mbrojtje pritet që Odise Roshi të kalojë nga krahu i djathtë dhe në vendin e tij të luajë Emir Lenjani, ndërsa qendra e repartit do të përbëhet nga treshja që luajti ndaj Spanjës: Kumbulla, Gjimshiti dhe Ismajli. Në mesfushë risia mund të jetë Kristjan Asllani që do të luajë ndeshjen e parë si titullar me Kombëtaren A, teksa do të shoqërohet nga Ylber Ramadani dhe Endri Çekiçi. Ndërkaq, dyshja sulmuese pritet të përbëhet nga Armando Broja dhe Rei Manaj.
PRECEDENTËT
Në momentin që flasim kombëtarja shqiptare është më e kuotuar ndoshta, por statistikat flasin ndryshe, me Gjeorgjinë që vjen e pamundur në Tiranë prej 17 vjetësh. Ka në fakt që nga 4 qershori i vitit 2004 që nuk fitojmë kundër tyre, atëherë kur u imponuam 2-0 në kualifikueset për Kupën e Botës. Që atëherë në fakt janë katër miqësore radhazi në të cilat kuqezinjtë kanë barazuar 3 e janë mundur në Tbilisi 2-1 në 2012. Precedentët janë të gjithë në favor të skuadrës së Sagnol, që në 13 përplasje ka fituar 7 e ka barazuar 3, duke u dorëzuar vetëm në tre raste, të treja brenda mureve të shtëpisë. Hera e fundit që dy skuadrat janë vënë përballë është miqësorja e 2015 në të cilën barazuam 2-2, edhe atëherë ishim favoritë, por fitorja mungoi, duke e rritur kohën e pathyeshmërisë së gjeorgjianëve.
14/12/1994 Albania v Georgia 0-1 UEFA European Championship
26/04/1995 Georgia v Albania 2-0 UEFA European Championship
08/02/ 1998 Georgia v Albania 3-0 Four Team Tournament, Malta
05/09/1998 Georgia v Albania 1-0 UEFA European Championship
09/10/1999 Albania v Georgia 2-1 UEFA European Championship
06/09/2003 Georgia v Albania 3-0 UEFA European Championship
10/09/2003 Albania v Georgia 3-1 UEFA European Championship
08/09/2004 Georgia v Albania 2-0 FIFA Ëorld Cup
04/06/2005 Albania v Georgia 3-2 FIFA Ëorld Cup
22/03/2006 Albania v Georgia 0-0 International Friendly
10/06/2009 Albania v Georgia 1-1 International Friendly
29/02/2012 Georgia v Albania 2-1 International Friendly
16/11/2015 Albania v Georgia 2-2 International Friendly
NDRYSHON ARBITRI
Sfida duhet të drejtohej nga një treshe nga Luksemburgu, por arbitri kryeso ka akuzuar problem shëndetësore pak orë para nisjes për në Tiranë, duke e vënë në pozitë delicate UEFA-n e detyruar të gjejë një arbitër të ri, pak orë para sfidës. Kështu, malazezi Nikola Dabanoviç, do të jetë në gjykim të miqësores, i asistuar nga dy asistentët luksemburgas Hoakim Da Silva dhe Klod Ries, të cilët nuk janë ndryshuar, sipas asaj që ka bërë të ditur vetë institucioni që drejton futbollin europian në faqen e tyre zyrtare. Arbitri i katërt do të jetë Eldorjan Hamiti, i cili mban stemën e FIFA-s. Në fakt, Dabanovic nuk është se ka eksperiencë të madhe ndërkombëtare, vetëm 18 ndeshje me preferencë të madhe për kartonët e verdhë 62 në total e 3.4 kartonë për ndeshje, por nuk e njeh fare të kuqin, ndërsa është kursimtar i madh penalltish me 0.17 11 metërsha mesatarisht në takimet që arbitruar në arenën ndërkombëtare, 12 nga të cilat në Europa League.