Një mesazh që shpall rinovimin e strukturave të Forumit Rinor të Partisë Demokratike u dërgua papritur të premten pasdite nga zyra e shtypit e selisë blu. Sipas mesazhit, një grup pune ku ishte rreshtuar i pari emri i Oriela Nebiajt, ishte caktuar për riorganizimin dhe zgjedhjen e drejtuesve të rinj të forumit, sipas parimit një anëtar, një votë.
“Zgjedhjet për kryetar të FRPD-së janë mbajtur për herë të fundit në dhjetor 2015 dhe mandati i kryetarit dhe forumeve drejtuese kanë mbaruar në vitin 2019” thuhet në njoftimin e shpërndarë për gazetarët.
Nisma qe një rrufe në qiell të pastër dhe bie direkt mbi Belind Këlliçin. Më herët, nuk kishte pasur kontestime as për të, as për drejtuesit e tjerë të FRPD-së, që të tillë ishin prezantuar edhe gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 Prillit.
Disa orë më pas, nga oborri i Partisë Demokratike, kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi tha se vendimi i Lulzim Bashës për ta shpallur të shkarkuar nuk kishte asnjë vlerë.
“Kam bërë fushatë për PD, për të zgjedhur Bashën kryeministër. Vendimi sot është nul, pa asnjë vlerë ligjore. Vendimi është përtej kompetencave të Bashës. Ne jemi në të drejtën e ushtrimit të mandatit, deri në dorëzimin e institucionit tonë, me mënyrën një votë, një anëtar. Duke qenë se PD është në krizë të thellë, që në gjykojmë se duhet të vijë përmes të vërtetës, e gjykojmë se nuk është momenti, që të uzurpohet Partia Demokratike. Unë gjithmonë kam dashur të mos humb as edhe një anëtar të PD, e jo më të fusim Partinë Demokratike në konflikt”, u shpreh Këlliçi.
Por shkak për reagimin e fortë të Bashës ndaj Këlliçit duket se është bërë një takim që ai dhe drejtues të tjerë të FRPD-së kanë planifikuar të zhvillojnë me Sali Berishën, duke njohur në këtë mënyrë procesin e Foltores dhe duke iu bashkuar nismës për mbledhjen e kuvendit. Takimi do të zhvillohet në Tiranë ditën e dielë dhe duket se Basha nuk e ka pritur mirë, por i ka nisur “fermanin” që këtë të premte duke i zhveshur ata nga përfaqësimi i FRPD-së.
Mbetet për t’u parë se sa do të jetë pjesëmarrja e të rinjve demokratë në takimin e Berishës të dielën, por lëvizja ndëshkuese nga selia blu thellon më tej përçarjen brenda partisë më të madhe në opozitë. Që pasi përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar, Lulzim Basha ka zgjedhur të njëjtën formë reagimi, për këdo që tenton t’i afrohet Foltores.
Përjashtues ishte reagimi që ai pati ndaj Flamur Nokës, për faktin se ai u përcolli gazetarëve një version të tijin në debatet e brendshme gjatë mbledhjeve të grupit parlamentar.
Përjashtues ishte reagimi edhe për deputetin Luan Baçi që iu bashkua Foltores në Fier, ku pjesa më e madhe e delegatëve firmosën se ishin pro thirrjes së Kuvendit të PD-së.
Përjashtues ishte edhe reagimi i fundit për Këlliçin, që deri dje gëzonte të gjitha funksionet e kryetarit të FRPD-së.
Ndërkohë gjatë takimit që pati në Lushnjë, Berisha e e shfrytëzoi reagimin e Bashës duke e quajtur një “akt stalinist”.
"Duke ardhur këtu, shoh lajmet që ka vendosur pa pyetur udhëheqjen e rinisë së PD, në kokë të tij krijimin e një komisioni për të bërë zgjedhet në FRPD. Një akt stalinist i mirëfilltë dhe i turpshëm. Të rinjtë tek ne nuk janë leva të partisë janë forume me të cilat ne ndajmë të njëjtat vlera, principe dhe qëllime, por kanë vendin e tyre, kanë pavarësinë e tyre. Në këtë formë siç ka vepruar sot kryetari pa part, në këto 30 vite nuk ka vepruar kurrë një njeri i vetëm", u shpreh Berisha, që ka një deputet më shumë në anën e tij./Lapsi.al
Njoftimi i plotë i Partisë Demokratike për FRPD
Hapet gara për rioganizimin dhe zgjedhjet në FRPD. Kryetari zgjidhet sipas parimit 1 anëtar, 1 votë.
Forumi Rinor i Partisë Demokratike nisi sot procesin e riorganizimit dhe zgjedhjeve në të gjitha strukturat. Kryetari PD Lulzim Basha udhëzoi nisjen e procesit të rifreskimit të strukturave dhe ngritjen e një grupi pune që do të mbikqyrë procesin, pasi mandati i shumicës dërrmuese të drejtuesve të FRPD-së ka mbaruar dhe një pjesë e drejtuesve kanë tejkaluar moshën. Kryetari i FRPD-së dhe i forumeve drejtuese kanë mandat 4 vjeçar, ndërsa anëtarët e FRPD-së mund të jenë pjesë e forumit deri në moshën 35 vjeç.
Grupi i posaçëm i punës për zgjedhjet në FRPD përbëhet nga:
* Oriela Nebiaj
* Hergert Alimerko
* Dario Sejdini
* Enkelejda Rica
* Juela Hamati
* Anita Doçi
Ky grup do të mbikqyrë mbarëvajtjen dhe organizimin e procesit të anëtarësimeve, rifreskimit të të dhënave dhe zgjedhjeve në të gjitha nivelet dhe strukturat e Forumit Rinor.
Menjëherë pas përfundimit të procesit të anëtarësimeve dhe riorganizimit, do të vijohet me zgjedhjen me 1 anëtar, 1 votë të kryetarit dhe zgjedhjen e strukturave drejtuese të FRPD-së në nivel qendror dhe lokal.
Zgjedhjet për kryetar të FRPD-së janë mbajtur për herë të fundit në dhjetor 2015 dhe mandati i kryetarit dhe forumeve drejtuese kanë mbaruar në vitin 2019.