Flash

Hije skandali mbi doganat shqiptare/ Prokuroria ende nuk heton

Lapsi.al 30 March 2021
Hije skandali mbi doganat shqiptare/ Prokuroria ende nuk heton

Ndonëse kanë kaluar disa javë që një prej drejtuesve më të lartë aktualë të Shërbimit Doganor, ish drejtori i Njësisë së Antikontrabandës, Marian Laca, publikoi një letër me akuza të rënda, drejtuar drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Gent Gazheli, asnjë hetim zyrtar nuk është ndërmarrë deri më tani.

Letra, e cila u publikua edhe nga ish kryeministri Berisha në profilin e tij në facebook, nuk pati ndonjë investigim të mëtejshëm mediatik dhe, më e çuditshmja, as edhe ndonjë hetim nga prokuroria, ndonëse në brendi të saj kishte fakte me përmbajtje të frikshme, deri në kufijtë e të pabesueshmes.

“Ju bëj me dije se grupet e Antikontrabandës Tokësore, sidomos ato të Kakavijës, Kapshticës, Tiranës dhe të Durrësit dy javët e fundit të muajit  dhjetor 2020, kanë përfituar nga aktiviteti kriminal kontrabandist shuma që variojnë nga 15- 20 mijë euro në javë, (grupet që Ju keni planifikuar në pikat kyçe), për t’u ndarë më pas kjo shumë sipas piramidës. Imagjinoni pak se sa kanë përfituar përgjegjesat e turneve dhe kryetarët e doganave?

Doganat tona nuk regjistrojnë asnjë nga këto raste, por kolegët e fqinjëve tanë i kanë të regjistruara pikë për pikë…  Një hetim i pa varur do vërtetonte thëniet e mia...”, shkruan Marian Laca.

Lapsi.al bisedoi me një ish prokuror, i cili tha se përmbajtja e letrës në fjalë dhe pozicioni i personit që e ka shkruar, do të duhej ta kishte vënë në lëvizje prokurorinë. “Çdo prokuror minimalisht do të bënte një verifikim të thjeshtë për të mbyllur ose hapur këtë çështje”, tha ish prokurori.

Mënyra për të bërë një verifikim të tillë është e thjeshtë. Lapsi.al mësoi se jo vetëm që akuzat e ngritura nga zoti Laca janë lehtësisht të verifikueshme nëse qëndrojnë ose jo, por edhe si është vepruar në raste të ngjashme.

Për këtë, mfjaton që prokuroria t’u kërkojë autoriteteve doganore shqiptare dhe greke, të pikave doganore të përmendura më lart,  një listë në format të thjeshtë excel, targat e listuara të kamionëve të deklaruar në pjesën greke dhe në atë shqiptare, për një periudhë kohe të caktuar (qoftë atë të përmendur nga Laca ose qoftë edhe të një periudhe tjetër nga 1 deri në 3 muaj).  Të dyja administratat doganore kanë sisteme kompjuterike ku i kanë këto të dhëna, të cilat mund të nxirren menjëherë brenda ditës.

Nëse këto të dhëna përputhen një për një, pra çfarë del e regjistruar nga dogana greke është e regjistruar në hyrje edhe në doganën shqiptare, atëherë akuzat rezultojnë të pavërteta dhe Mirian Laca duhet të përgjigjet përpara ligjit.

Por nëse prokuroria, pasi verifikon të dyja listat në fjalë, vërteton ato që thotë Laca, që kamionë të deklaruar në doganën greke nuk rezultojnë të deklaruar në doganën shqiptare, atëherë kemi të bëjmë me një skandal të përmasave të mëdha.

Me shifrat që deklaron ish kreu i Antikontrabandës, i bie që ndër vite janë vjedhur nga arka e shtetit shifra që mund të kapin miliardin në euro. Dhe mbi të gjitha, është thyer siguria kombëtare, duke hyrë në Shqipëri mjete që nuk dihet se çfarë kanë brenda. Të dyja këto pasoja, do ta bënin të detyrueshëm një hetim nga prokuroria dhe përgjegjëse këtë të fundit në rast mosveprimi.

Vërtetimi i një skandali të tillë do të nxirrte para drejtësisë, që nga drejtori i Përgjithshëm i Doganave, të cilit i drejtohet me letrën e tij Marian Laca, e deri tek i fundit i piramidës që do të dyshohej si i përfshirë në këtë skemë kriminale.

Nuk dihet se cilat janë arsyet e prokurorisë që nuk ka nisur ende hetimet për një akuzë të tillë që cënon sigurinë kombëtare dhe rrënon buxhetin e shtetit në një skemë të organizuar kriminale. Zbardhja e kësaj afere rezulton një ndërmarrje aspak e vështirë dhe brenda pak ditëve ose do të shkonte në bankën e të akuzuarve Marian Laca ose do të shpëtohej shteti nga një vjedhje sistematike me shumë pasoja të tjera.

Paaftësia, indiferenca ose ndikimet politike mund të jenë arsyet që po e pengojnë një hetim që do të ishte i rëndësishëm për një sektor të ndjeshëm që prek sigurinë dhe dëmton ekonominë në të gjitha aspektet. Dhe nëse këtë nuk e bën prokuroria, investigime të tjera mund të bëhen duke kërkuar diçka fare të thjeshtë: verifikimin e hyrje- daljeve në pikat doganore mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo mund të bëhet në çdo kohë. ©lapsi.al

 

(Më poshtë letra e plotë e ish drejtorit të Antikontrabandës, Marian Laca)

Leter e ish drejtorit te anti kontrabandes Marian Laca

MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË

DREJTORIA E PËRGJITHSHME E DOGANAVE

DEPARTAMENTI OPERATIV HETIMOR

Drejtoria e Antikontrabandës

Nr.______prot. Tiranë, më___.___.2021

Lënda: Për Informim

Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave Genti Gazheli

Për dijeni: Zv. Drejtorit të Përgjithshëm Eldi Hoxha

Drejtorit të Drejtorisë së Antikontrabandës Ilia Bili

Përshëndetje z.Drejtor!

Ju drejtohem si ish drejtor i Drejtorisë së Antikontrabandës që e njeh shumë mirë punën dhe terrenin gjithashtu , si qytetar i këtij vendi që shikon që gjërat nuk funksionojnë siç duhet, si një person që është në kontakt çdo ditë me grupet e AK Tokësore dhe Detare.

Ju drejtohem duke parë situatën në të cilën është katandisur kjo drejtori, duke qenë koshient për shkatërrimin e një pune afro 2 vjeçare.

Në qoftë se nuk e dini po Ju informoj mbi mënyrën se si sot po bëhet kontrabandë duke filluar që nga grupet e AK Tokësore deri tek doganat të cilave trau ju është shqyer e deri tek mënyra se si mund ti verifikoni thëniet e mia.

Pikë së pari Ju informoj dhe Ju bëj me dije se grupet e Antikontrabandes Tokësore sidomos ato të Kakavijës, Kapshticës, Tiranës dhe të Durrësit dy javët e fundit të muajit dhjetor 2020, kanë përfituar nga aktiviteti kriminal kontrabandist shuma që variojnë nga 15-20 mijë euro në javë, (grupet që Ju keni planifikuar në pikat kyçe), për tu ndarë më pas kjo shumë sipas piramidës. Imagjinoni pak se sa kanë përfituar përgjegjesat e turneve dhe kryetarët e doganave ??!!

Doganat tona nuk regjistrojnë asnjë nga këto raste, por kolegët e fqinjëve tanë i kanë të regjistruara pikë për pikë. Ndodh nganjëherë që edhe doganat greke sidomos ajo e Kapshticës dhe Kakavisë të mos i shënojnë as ata, kjo pasi mjeshtrat e sistemit kanë shtrirë tentakulat përtej 28.000 km2.Një hetim i pa varur do vërtetonte thëniet e mia.

Furgonat e anglezëve të cilët tashmë janë vënë nën shërbimin total të kontrabandës ju kapen përditë me qindra mijëra paund Cash në portet e fqinjëve tanë. Dy janë doganat të cilat keta individë janë instruktuar të kalojnë, vetëm nga Vlora dhe Durrësi, arsyet dihen.

Ju informoj se kur mbaja postin e Drejtorit të Antikontrabandës, këta individë paguanin doganë dhe kontrolloheshin rreptësisht nga grupet e AK, gjë që sot nuk ekziston, përkundrazi ju është dhënë OK të bëjnë c’të duan me kusht të sjellin paundet e ryshfetit.

Bashkëngjitur linkun e kapjeve : Ishte nisur nga Anglia për në Shqipëri, si u zbulua në Itali furgoni që ishte mbushur me…(VIDEO) | Panorama ONLINE | lajm i fundit, lajmet e fundit, lajme http://www.panorama.com.al/ishte-nisur-nga-anglia-për-në-shqipëri-si-u-zbulua-në-itali-furgoni-që-ishte-mbushur-me/

Autobuzët: sidomos ato të Durrësit që vijnë dhe ikin bosh por që kur u bëhet skaner dhe kontroll nga policia italiane kapen me mijëra telefonë nëpër gomat rezervë.

Në pikën doganore Kakavijë: kontranda më së shumti në zonën e jugut po lulëzon në këtë pikë dhe e dini se përse? Sepse grupet e antikontrabandes aty shkojnë pikërisht për të mos bërë asgjë ndryshe ska si shpjegohet se kontenieret me mallra kinez, furgonat , gjëja e gjallë, telefonat celulare, gomat e përdorura të Shuaipit, etj kalojnë ditën për diell e natën për hënë pa asnjë problem.

Pika doganore Kapshticë e njohur më së shumti për “golat” gjatë dites dhe “gomat e përdorura “gjatë natës, (gjatë kohës kur drejtoja AK nuk kam lejuar kurrë të futen goma kontrabandë, duke qenë se janë të patretshme për 100 vjet janë një mall tejet i rrezikshmëm) mallrat me origjinë kineze, atletet,veshmathjet etj janë bërë tashmë të rëndomta. Shprehja “I paguhen prurësit me të parë “ duket se është bërë eksluzivisht për këtë pikë doganore.

Durrësi me portin e tij është kthyer han me porta të shqyera pasi Monitorimi, Informacioni, Antikontrabanda, Hetimi Doganor duket se janë kokë e këmbë të dashuruar me doganierët lakmitare e të dashuruar pas eurove, ndryshe ska si shpjegohet që askush nuk kthen për kontroll qoftë edhe mjet sado i parëndësishem qoftë. Furgonat anglez dalin plumb dhe autobuzat e linjave nuk kontrollohen fare pasi përndryshe të pakten një gjobë do e vendosnin. Edhe ne qoftë se është bërë ndonjë kontroll sporadik është bërë me qëllimin e vetëm që të futen në linjen që “Rremat e kompani “të kontrollojnë cdo gjë.

Pika doganore Tiranë: Këtu fillon dhe ulëret Sistemi Doganor nga shartimi injorancës me korrupsionin, nga pazaret e ndyra gjoja për hir të partisë deri tek obligimet për vendet e punës. Ndryshe ska si shpjegohet që aparaturat e bitcoin të dalin si servera te thjeshtë, apo kontenierët me corape dhe mallra kinez të ikin ditën për diell dhe nganjerehë edhe natën per pak hënë ( këto të fundit të interceptuara nga strukturat ligjzbatuese). Jo me kot ju z. Drejtor dërguat në pikat kyçe persona me njohuri dhe vjetërsi zero në sistemin doganor në pozicionet ku duhet te ishin specialistët e vërtetë ku për hir të së vërtetës ata nuk mungojnë në Sistemin Doganor.

Tani vjen edhe pjesa më e bukur ajo e modus operandit ose mënyra se si merren lekët: nga zarfet e grupeve te antikontrabandes deri tek pazaret e konteniereve të cilat mbyllen nëpër tavolinat e bllokut. Nga macetat e kryetareve të doganave deri tek pergjegjesit e turneve të proceduar penalisht për favorizim kontrabande në më shumë se një rast.

Këtu nuk po permend pikën doganore Kukës ku mallrat kinez po kalojnë pa pengesa, as pikën doganore të Hanit – Hotit, po thuaj “shyqyr” që ra kjo pandemi dhe u mbyllen Tre Urat dhe Qafë Bota se keq do ishin punët. Dogana e Vlorës totalisht nën pushtetin e ndonjë doganieri që lekët i merr me emër të fushatës.

Kam disa pyetje për Ju z.Drejtor :

A i keni këto informacione nga strukturat përkatese të cilët paguhen dhe marrin dietat e shtetit për këtë punë?

A jeni në dijeni të faktit se po thirren me sms subjektet nga persona të caktuar të Hetimit Doganor për të dhënë llogari sipas tyre ,por që ligji njeh vetëm shkresat zyrtare ?

A jeni Ju në dijeni të të gjitha këtyre thenieve sa më lart ?

Ju drejtohem si një drejtues strukture që ka goditur VIP-at e kontrabandës duke u përballur vetë personalisht, (pyet se të tregojnë, se cfarë ju kam bërë personave që kanë tentuar të fusin kontrabandë në Shqipëri)

Ju siguroj që asnjëherë, po asnjëherë Drejtoria e Antikontrabandës nuk është katandisur në këtë situatë, si ç’është në këtë periudhë.

Ju garantoj se jam i gatshëm të ballafaqohem në gjykatë apo prokurori me këdo dhe kurdo për vërtetesinë e sa shpreh më lart.

E fundit që do jua parashtroj është që për sa më siper t’Ju garantoj se janë lehtësisht të verifikueshme të gjtha në qoftë se ekziston vullneti i mirë

Personalisht vihem në dispozicion të plotë të cdo organi ligj zbatues .

Përgjegjës Sektori i Antikontrabandës Detare

Marian Laca

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Adresa: Autostrada Tiranë-Durres, Km 1, Rr.Industriale,Pajtoni Center,kati 5 www.dogana.gov.al Page 3

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI