Sot nis zyrtarisht fushata e partive politike për zgjedhjet e 25 prillit, por përplasjet dhe “motorët” kanë kohë që janë ndezur.
Ende pa hyrë zyrtarisht në fushatë, rastet e përplasjeve janë bërë të njëpasnjëshme.
Rasti i fundit ishte ai në Durrës, ku kandidatja e LSI, Elona Guri është shoqëruar në polici pasi është përfshirë në konflikt me një person. LSI pretendoi se zyrat qëndrore në Durrës janë përgjuar nga socialistët të cilët kishin vendosur kamera në një godinë përballë për të parë personat që ishin të angazhuar me këtë forcë politike.
Në fillim ishte policia që shpërndau një njoftim ku thuhej se një grua “me iniciale E.G. ishte konfliktuar me një person me iniciale Ç.K.”.
Në fakt bëhej fjalë për kryesuesen e listës së LSI-së për Durrësin, Elona Guri. Kjo e fundit doli në një konferencë për media ku tha se shkak për konfliktin ishte bërë zbulimi i kamerave dhe përgjuesve të vendosur me qëllim monitorimin e personave që hynin e dilnin këto zyra dhe që më pas ata të intimidohen dhe kërcënohen. Sipas LSI, dyshimi lindi pasi të gjithë qytetarët e thjeshtë që shkonin në këtë zyrë kontaktoheshin dhe kërcënoheshin nga Arbër Koka apo anëtarë të shtabit elektoral të tij.

Përplasje ka pasur edhe në Tiranë, në selinë e partisë Fryma e Re Demokratike, pasi Bashkia e kryeqytetit i kërkoi kryetarit të FRD Sali Shehu që të lironte zyrat. Në këtë situatë u përfshi edhe presidenti Ilir Meta, i cili u përplas fizikisht me policët bashkiakë.
“Pse dhunoni partinë e opozitës? Dilni përjashta mos krijoni probleme, kaq po ju them se do iu çoj në burg me duart e mia, kaq po iu them”, kanë qenë fjalë e Presidentit.
Policët Bashkiakë kishin ardhur me qëllim që FRD-ja të lironte zyrat. Në shkresën e nisur ndaj FRD-së kërkohet lirimi i zyrave, pasi do të bëhet sistemimi i stafit. Për të bërë të mundur lirimin e zyrave, policia bashkiake ka rrethuar godinën dhe hequr edhe dritat. Meta ndërhyu pasi kjo lëvizje kishte prapavijë politike. Ai foli për mediat pas përzënies së policëve bashkiakë duke thënë që shkresa nuk kishte as vulë e firmë.
[video width="640" height="368" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2021/03/M4Sysnj98zvq2nWZ8nqp_12_26992f2e9edf4a866959903be114a71a_video_360p_converted-1.mp4"][/video]
Përplasja më e fortë, ku u përfshinë edhe persona të inkriminuar ndodhi Ditën e Verës, në Elbasan. Gjithcka nisi kur një grup militantësh të Partisë Demokratike nisën thirrjet "Rama ik" në momentin që kryeministri Rama kalonte në bulevardin kryesor të qytetit. Kaq u desh që një grup personash, që sipas PD ishin të skeduar nga policia ndërhyri duke dhunuar simpatizantët e PD-së.
[video width="640" height="352" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2021/03/sherri-ne-elbasan.mp4"][/video]
Nga ana e tij kryeministri Edi Rama e quajti një shfaqje vulgare atë që ndodhi, duke akuzuar opozitën se kërkon konflikt e përçarje për të marrë pushtetin.

Një tjetër incident u përsërit në Elbasan, ku kandidati i PD, Luçiano Boçi u përlesh me biznesmenin Gjergj Luca. Demokrati e akuzoi biznesmenin se e kishte kërcënuar me jetë.

Policia e Elbasanit ka shoqëruar në komisariat disa personave, të cilët kanë qenë dëshmitarë të konfliktit mes kandidatit për deputet të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi me biznesmenin e njohur, Gjergj Luca.
Burime nga policia lokale thanë se personat e shoqëruar kanë qenë të të pranishëm në momentin e përplasjes dhe emrat janë nxjerrë nga deklaratat e protagonistëve.
Konflikti mes të dyve ndodhi në një nga restorantet e Labinotit dhe degjeneroi deri në përplasje fizike. Të dyja palët i janë drejtuar Prokurorisë së Elbasanit ku kanë bërë denoncime.

Incidenti tjetër ndodhi në Fier. Në një lagje të qytetit pak ditë më parë u sulmuan gjatë natës me gurë zyrat elektorale të PS dhe PDIU.
Sipas përfaqësuesit të selisë së PS në Fier, sulmi është bërë nga përfaqësues të partive kundërshtare që kërkojnë destabilizimin e situatës zgjedhore. Pa përmendur emra, Aljosha Doko tha se kjo është një dëshmi e qartë se asaj se çfarë ofrojnë forcat e tjera politike.
“Kjo që ka ndodhur sot tregon edhe njëherë se këto forca kërkojnë destabilitet. Ne nuk i vendosim dot emra se kush janë këto forca, por i takon ligjit që ta zbulojmë. Kjo është një loj për të hequr vëmendjen, ne jemi qytetarë dhe nuk bëhemi pjesë e kësaj loje”, thanë përfaqësues të PS.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u është drejtuar partive politike me një letër ku u kërkon vetëpërmbajtje, ndwrsa Bashkimi Europian i bëri sot thirrje aktorëve politikë në Shqipëri që të zhvillojnë një fushatë zgjedhore larg konfliktualitetit dhe gjuhës së urrejtjes. Në deklaratën e përbashkët, të kreut të delegacionit të BE-së, Luigji Soreca dhe të gjithë ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së në vendin tonë, theksohet se dialogu politik konstruktiv dhe mirëkuptimit që çoi në marrëveshjen e 5 Qershorit, duhet të shoqërojë edhe këtë fushatë elektorale.
“E njëjta frymë duhet të frymëzojë një fushatë elektorale që bazohet në respekt të ndërsjellë, dialog dhe vetëpërmbajtje, si dhe zhvillohet në një mënyrë paqësore, pa retorikë provokuese apo gjuhë urrejtjeje”.
Gjithashtu ambasadorët nënvizojnë se zgjedhjet transparente, të lira dhe të ndershme, si dhe respektimi i rezultatit të tyre, do jenë të rëndësishme për të siguruar legjitimitetin e parlamentit dhe qeverisë së re.
“Ne kemi besim se të gjitha institucionet përkatëse shqiptare dhe aktorët politikë do të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve” thuhet në deklaratën e Bashkimit Europian.©Lapsi.al