Flash

Zgjedhjet në Kosovë/ Fitore e thellë e Vetëvendosje, disfatë e rëndë për LDK

Lapsi.al 15 February 2021
Zgjedhjet në Kosovë/ Fitore e thellë e Vetëvendosje,

Qe në votat e para të numëruara të zgjedhjeve të së dielës në Kosovë u vu re se Vetëvendosje e Albin Kurtit do të kishte një rezultat të thellë. Tashmë që janë numëruar 87,19% e votave është e qartë fitorja bindëse e kësaj force.

Sipas të dhënave paraprake që jep KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 47,81% të votave.

Surpriza është renditja në vend të dytë e PDK-së që në këtë fushatë u drejtua nga Enver Hoxhaj me 17,34% të votave e ndjekur nga LDK me 13,36% të votave. Një zhgënjim i thellë për forcën e udhëhequr nga Isa Mustafa që duket se ka marrë një “shuplakë të fortë” edhe në bastionet e saj. Në asnjë nga komunat e Kosovës ajo nuk është më forcë e parë ndërsa ka marrë gjysmat e votave të zgjedhjeve të 2019-ës.

Sipas rezultateve zyrtare paraprake, më pas vjen AAK me 7,49% të votave. Deri tani NISMA ka 2,72% të votave duke mos e kaluar pragun për të hyrë në parlament. Mbeten të numërohen edhe votat e diasporës që këtë herë janë të shumta.

Me një përllogaritje paraprake jo-zyrtare të bërë nga mediat e Kosovës, Vetëvendosje merr 55 deputetë, PDK merr 21 deputetë, LDK merr 15 deputetë dhe AAK do të përfaqësohet me 9 deputetë ndërsa 20 deputetë të tjerë janë të përcaktuar për minoritetet.

Fitorja e Vetëvendosjes u paralajmëruar edhe nga disa EXIT POLL-e që u publikuan menjëherë sapo u mbyllën qendrat e votimit. Me publikimin e këtyre të dhënave paraprake, mbështetësit e Vetëvendosjes nisën festën në rrugë pavarësisht të ftohtit të acartë dhe masave të pandemisë.

Kurti: Nuk do të ketë hakmarrje

Pas daljes së këtyre rezultateve kandidati për kryeministër të Kosovës nga radhët e LVV-së, Albin Kurti ka dalë para mbështetësve që ishin mbledhur te selia dhe gazetarëve duke thënë se u vërtetua se zgjedhjet ishin një referendum për drejtësi.

“Ky referendum për drejtësi e punë dhe kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës. Nuk do të hakmerremi ndaj askujt, por do të kërkojmë përgjegjësi”, - tha ndër të tjera Kurti.

Ai ka folur edhe për dialogun me Serbinë.

“Nuk do ta kemi prioritet krijimin e ekipit të dialogut me Serbinë që në të gjitha matjet e opinionit publik dialogu është në vendin e gjashtë e herë në vendin e shtatë. Neve na kanë zgjedhur këta qytetarë dhe u përgjigjemi atyre. Prioritet i kemi drejtësinë dhe punësimin”, - theksoi Kurti.

Ndërsa kandidatja për presidente nga radhët e VV-së, Vjosa Osmani tha se qytetarët dëshirojnë një kapitull të ri.

“Qytetarët e Kosovës e dinë kur është mjaft, e dinë se është koha për një kapitull të ri. Përgjegjësia që na e keni dhënë është po ashtu një nder i madh. Ky është kapitull i punëve që do të kryhen”, - ka shtuar Osmani.

Krerët e LDK reagojnë pas disfatës

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar pas daljes së rezultateve paraprake të zgjedhjeve të së dielës. Edhe pse partia e tij u përgjysmua në vota, krahasuar me zgjedhjet e fundit, Mustafa tha se kandidati për kryeministër i LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë një punë të shkëlqyeshme. Ai premtoi se LDK do ta respektojë rezultatin e zgjedhjeve, por nuk përmendi dorëheqje duke thënë se do të punohet që të kthehet vizioni rugovian i LDK-së.

Një reagim për mediat ka bërë edhe kandidati i LDK-së për kryeministër Avdullah Hoti. Ai tha se do të marrë përgjegjësinë e plotë për rezultatin.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se forca e tij do të qëndrojnë në opozitë.

“PDK nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje sepse kemi dallim të madh në orientimet tona politike dhe nuk bëjmë kompromis mbi vlerat në të cilat është ndërtuar dhe qëndron PDK-ja”, - tha Hoxhaj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se pjesëmarrja në zgjedhje ishte mbi 47.08%. kjo është një pjesëmarrje më lartë se në zgjedhjet e vitit 2019 kanë votuar 44.18%.

Policia e Kosovës tha se gjatë procesit të votimit ka pasur incidente të vogla që nuk e cenojnë integritetin e procesit. Janë raportuar persona që fotografonin votën apo të tjerë që kanë tentuar të votojnë më shumë se një herë. Shqetësim në Prishtinë ka qenë se në orët e fundit ka pasur fluks votuesish dhe se në disa qendra mungonin fletët e votimit. ©LAPSI.al

LEXO EDHE: Mediat botërore për Albin Kurtin/ Anti-establishmenti në pushtet, tani më e vështirë për Serbinë

Të këshilluara

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

29°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI