Mesazhet e publikuara nga prokuroria zbuluan se si infermieret dhe sanitaret e spitalit "Covid 2" koordinoheshin me njëra tjetrën për të përfituar paratë nga familjarët e pacientëve me covid. Por deri ku shkon kjo skemë? A janë të përfshirë mjekë apo infermiere të tjera? A duhet të ketë hetime të thelluara më tej për të vënë para drejtësisë, çdokënd që merr ryshfet në këmbim të kujdesit shëndetësor në spitale?
https://lapsi.al/2021/02/08/pergjimet-e-plota-te-grupit-te-tires-se-sanatoriumit-do-ti-ndajme-te-gjitha-bashke/
Drejtori i Spitalit Shefqet Ndroqi, Perlat Kapisyzi ishte i ftuar në Open për skemën e zhvatjes së pacientëve, që ndodhte nën hundën e tij. Në qëndrimin që mbajti për ngjarjen, Kapisyzi zgjodhi të mohojë dhe të relativizojë historinë e pacientes që vdiq nën mëshirën e Tire Alldervishit. Megjithëse komunikimet mes vartëseve të tij treguan si bëhet pazar me vuajtjet e pacientëve brenda në spital, Kapisyzi foli vetëm për Tire Alldervishin duke thënë se nuk kishte asnjë dijeni për përfshirjen e mjekëve apo infermierëve të tjerë duke nxjerrë një sërë justifikimesh për të evituar përgjegjësitë mbi atë që ndodh në Sanatorium?
https://lapsi.al/2021/02/08/flet-drejtori-i-shefqet-ndroqit-pse-nuk-na-punon-skaneri-dhe-cfare-ndodhi-me-sanitaren-tire/
Justifikimi i parë i drejtorit të spitalit ishte se korrupsion si ai i Tire Alldervishit ndodh në të gjithë globin. Një version i moderuar i deklaratës së dikurshme të Elisa Spiropalit, e cila shprehej se "ngjarje të tilla bëhen edhe filma". "Korrupsioni në sistemin shëndetësor është një sëmundje botërore. Unë hyra për kuriozitet dhe pashë që e konsideronin sëmundje botërore. Pra është një plagë që ndodh, gjendet, shfaqet në trupin e sistemeve shëndetësore" u shpreh Kapisyzi.
Justifikimi i dytë i drejtorit të spitalit ishte se e gjitha kjo ishte një rastësi, një moment i veçuar kur Tire Alldervishi shfrytëzoi dobësinë e mjekëve: "Fatkeqësi e jona ishte që një personel i brendshëm, hyri dhe e çpengoi atë vigjilencën, duke e konsideruar pacienten si teze dhe pacientja..."
Justifikimi i tretë fajëson karakterin e Tires. Sipas drejtorit Perlat Kapisyzi, ishte karakteri i sanitares që kishte bërë që të ndodhte një ngjarje si kjo, madje kishte qenë ajo që kishte ndikuar tek infermieret e tjera. "Tirja ka shumë vite që punon. Edhe disa vite del në pension. Kuptohet që karakteri i njeriut përcakton edhe fatin e tij. Darvini na ka mësuar që karakteri i njeriut formohet nga ndikimi që bën ambjenti, natyra por edhe shoqëria. Dhe Tirja është një nga ato ku karakteri i saj ka ndikuar edhe tek këto elementë të tjerë, sepse karakteri i saj… Po them që edhe ato kanë pasur pak a shumë edhe karakterin e Tires."
Justifikimi i katërt që gjeti Kapisyzi ishte edhe mentaliteti i shoqërisë shqiptare dhe tradita për të paguar nën dorë që e kishte nxitur këtë ngjarje. "Nga ana tjetër kanë gjetur një terren ku mentaliteti i shoqërisë është i trashëguar në vite jo vetëm tek ne, por edhe në vende të tjera, ku shërbimi shëndetësor do të bëhet më i cilësor, nëse do japësh ndonjë gjë. Ky mentalitet nuk duhet të na bëjë që ne të ndihmojmë të lulëzojë Tirja dhe disa elementë të tjerë të Tires"
https://www.youtube.com/watch?v=Uz4wgb7Wd20
Një përpjekje e fundit e mjekut për ta relativizuar ngjarjen ishte një lexim tjetër i të gjithë historisë, që ne e dimë nga mesazhet e të ndjerës para se të ndërronte jetë. Kapisyzi tha se përgjërimet e të ndjerës për ushqim nuk kishin të bënin me lënien e saj pa ushqyer, por me këmbënguljen për të marrë ushqimin që i sillte e bija. Për këtë ai solli edhe një dëshmi të pacientes tjetër që kishte qenë me të ndjerën Liljanën, e cila pranon se në asnjë moment nuk është lënë pa ushqyer dhe pa u larë. “Dëshmi që e ndjera nuk është lënë pa ngrënë, pa u larë dhe pa u shplarë dhe pa u mjekuar çdo ditë” tha Kapisyzi. Një tjetër provë që pacientja ishte trajtuar sipas të gjitha rregullave ishte se familjarët e saj kishin sjellë një buqetë me lule për doktoreshën që e ndoqi.
https://lapsi.al/2021/02/08/dalin-sms-te-e-infermieres-se-covid-2-me-tiren-do-pime-kafe-me-familjaret/
Qëndrimi i drejtorit të spitalit, Perlat Kapisyzi synon të rrëzojë pretendimet e prokurorisë se në spital funksiononte një skemë shvatjeje për pacientët me covid e ngritur në bashkëpunim mes bluzave të bardha. Duke mohuar dëshmitë që vijnë nga mesazhet e paciente, kamera e fshehtë e emisionit Stop dhe përgjimet e prokurorisë, drejtori i spitalit Perlat Kapisyzi jo vetëm i shpëton përgjegjësisë personale, por edhe i bashkohet politikës së qeverisë se sistemi ynë shëndetësor ishte në nivelin e duhur të përballimit të pandemisë. Kapisyzi nuk është i pari që synon ta zhbëjë "sistemin e Tires".
Dy pozicione të kundërta u dalluan menjëherë pas zhurmës, që shkaktoi historia makabër e pacientes me Covid, që vdiq në spitalin Shefqet Ndroqi, në mëshirën e sanitares Tire Alldervishi, e cila i zhvati të bijës 8 milion lekë të vjetra ryshfet.
Lexo edhe: Edi Rama shpjegon korrupsionin me lejet e ndërtimit
Në njërën anë ishte qëndrimi që mbajti kryeministri Rama, që mohoi çdo përgjegjësi mbi mjekët dhe infermierët e spitalit. “Do thoja që nga investigimi nuk ka rezultuar që ajo sanitare të ishte e lidhur me mjekë dhe infermierë të tjerë dhe korrupsioni të ishte zinxhir” tha Rama.
Në anën tjetër dalloi gjyqtarja e çështjes, Rexhina Memlika. Ajo i kërkoi prokurorit një hetim më të thelluar dhe zbulimin e bashkëpuntorëve të Tire Alldervishit brenda në spital. "Dyshimi që mund të ketë momente të tjera për bashkëpunim por këto i takojnë hetimit. Aq më shumë që prezumohet se është dhënë gjithë ky shërbim. Në referim të vlerave gjykata cmon dhe i sugjeron akuzës se kjo vepër duhet të ndryshojë në akuzën e "mashtrimit që ka sjellë pasoja të rënda". Kjo ka sjellë pasoja të mëdha edhe te të gjithë shtetasit që përjetojnë një lloj terrori", tha gjyqtarja Rexhina Memlika.
Mbetet për t'u parë se deri ku do të arrijnë të thellohen hetimet e prokurorisë. E sigurtë është që në vazhdim, do të jenë më të shumtë zërat, që do të mohojnë korrupsionin në spitalet covid për të mbytur zhurmën e provave të prokurorisë. Çështja është që virusi ka treguar se nuk bën dallime dhe fshehja e defekteve të sistemit shëndetësor mund të kthehet në boomerang për këdo që tregohet aq idiot sa të mendojë për propagandën para shëndetit.©Lapsi.al