Andi Bushati:Pse po zhgënjejnë Basha dhe Kryemadhi
Qëllimi i këtyre sondazheve është lehtësisht i lexueshëm. T'i tregojë Lulzim Bashës se nuk ka pse futet në një koalicion me LSI-në dhe se nuk ka pse i jep asaj një numër të konsiderueshëm deputetësh (mbi dhjetë) në një listë të përbashkët opozitare. Dhe duhet thënë se deri më tani strategjia ka funksionuar dhe, për një sërë arsyesh, Basha dhe Kryemadhi po shkojnë më shumë drejt daljes veç e veç në zgjedhje. Por përpos testimeve fallco të opinionit, rilindja nuk ka lënë pas dore edhe atë që di të bëjë më mirë, propagandën. Analistët pranë tij dhe vetë Rama me gojën e vet po i fryjnë edhe paranojave të LSI, se katër vite më parë Lulzim Basha donte t'i zhdukte si parti. Qëllimi është i qartë, që ish partia e Ilir Metës nuk ka pse i beson PD-së dhe nuk ka pse futet nën ombrellën e saj, pra në një listë. Sot Rama e ka bërë këtë me gojën e tij, duke shfrytëzuar ndoshta gafën më të madhe politike të Lulzim Bashës në fushatën e 2017-ës, faktin që donte të çonte për skrap partitë e vogla, duke sulmuar më shumë ato sesa kundërshtarin e tij të madh. “Çuarja për skrap e LSI, ishte praktikisht një projekt i përbashkët me Lulzim Bashën, por i tradhtuar prej tij, se unë nuk e kam tradhtuar, vazhdoj të besoj te ai projekt. Basha ishte ai që e ndau me demokratët domsdoshmërinë për ta çuar LSI për skrap, u betua që s’do ketë më matrapazllëqe me LSI, shpk-në, e ku di unë çfarë e sot është thjesht një aksioner në shpk-në e katër ortakëve, ku ai është ortak minorancë ne fakt se kryesorët janë Saliu dhe Ilir Meta”, tha kryeministri.Marrëveshja për ta çuar LSI për skrap/ Basha: Rama çfarë thotë sot, nuk e thotë nesër
Pra është e qartë, nga njëra anë me sondazhe dhe nga ana tjetër me diversion politik, qëllimi i Ramës është krijimi i një iluzioni se LSI nuk ka peshë në skenën politike, se Basha do ta shkrijë atë, duke bërë që opozita të dali e ndarë në zgjedhje. Por, pavarësisht se në një fushatë zgjedhore ai nuk po adapton zgjedhjen e një burri shteti, por atë të një intriganti politik, këtu problemi nuk është moral, por matematikor. Sepse sado e ulët që të duket strategjia e Ramës, ajo po e arrin qëllimin, të mos lejojë futjen e PD-së dhe LSI-së bashkë në zgjedhje. ©Lapsi.al