"Pjesëmarrja e z. Etem Arifi në seancë dhe votimi i tij, aq më tepër si votë përcaktuese, e thellon edhe më shumë paligjshmërinë e kësaj Qeverie dhe e bën edhe proceduralisht të paligjshëm vendimin e Kuvendit për votimin e Qeverisë. Është e përcaktuar qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës se mandati i deputetit humb ose bëhet i pavlefshëm në rast të dënimit për vepër penale me një vit e më shumë burg”, - argumentonte Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti Arifi është dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim nga Gjykata e Apelit për mashtrim me subvencione. Ndonëse i dënuar ai kishte votuar pro formimit të qeverisë Hoti në seancën e 3 qershorit.
U deshën gjashtë muaj që Gjykata Kushtetuese, më 21 dhjetor, të vendoste të pavlefshëm votimin e tre qershorit që mandatonte një qeveri me vota minimale, të udhëhequr nga Avdullah Hoti. Kushtetuesja argumentoi dhe vendosi mbi atë çfarë pritej, asnjë person i dënuar me formë të prerë në tre vitet e fundit nuk mund të ishte deputet, dhe kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja brenda 40 ditësh.
Ndërsa u ra dakord që zgjedhjet të mbahen më 14 shkurt dhe Albin Kurti të bashkohej me Vjosa Osmanin duke garuar bashkë e bërë thirrje se "këto nuk ishin zgjedhje, por referendum", vloi debati nëse Kurti mund të kandidonte për deputet, pasi mbante mbi supe dy dënime në vitin 2018.
Lexo më tej:
Pikërisht sot Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve bëri fakt atë që pritej. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje nuk u çertifikua për të qenë pjesë e garës për zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë. Ai do të hiqet nga lista e kandidatëve të LVV-së, së bashku me 46 kandidatë për deputetë nga listat edhe të partive tjera, po ashtu të dënuar në tri vitet e fundit.
Ndërsa Albin Kurti dhe Vjosa Osmani po kërkojnë të pamundurën, njëri Kryeministër e tjetra Presidente dhe me projeksione që nxjerrin koalicionin e firmosur 6 ditë më parë si fitues të zgjedhjeve, nëse Kurti siguron votat për ekzekutivin, në horizont për të duken zvarritje të tjera. Interpretime të llojit: Nëse Kurti nuk kalon filtrat për deputet, a mund të jetë Kryeministër? ©LAPSI.AL