Largimi i Nasip Naços nuk ka qenë një surprizë për drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sapo ai shpalli përkatësinë në PS, përkrah Blendi Klosit dhe e quajti ish partinë që e bëri ministër "një eksperiment politik", në media nisi të qarkullojë një video ku kryeministri Rama dhe i larguari tjetër i LSI-së, Lefter Koka e ftonin për një "gotë verë ose për një gotë raki Skrapari" duke e ngacmuar të tregonte "burrërinë" dhe t'u bashkohej në tavolinën ku ishte ulur edhe Damian Gjiknuri.
[video width="848" height="480" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2021/01/Ku-je-Nasip.mp4"][/video]
Siç treguan zhvillimet, Nasip Naço e ngriti dollinë për aleancën e re me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Me shumë gjasë ai do të jetë në një vend të sigurt në listën e deputetëve të PS-së në Berat. Lefter Koka tregoi këtë të mërkurë se Nasip Naço ishte caktuar nga LSI si kandidat i Durrësit, por aty ishte spostuar për hir të vendimit për të vendosur në krye të listës Elona Gurin. Emri i saj përmendet edhe në videon ku Rama dhe Koka e ftojnë Nasip Naçon t'u bashkohet në tavolinë. Duke qenë se nuk ka pranuar të renditet pas Elona Gurit, ish Ministri i Drejtësisë është zhvendosur në Berat, por edhe atje, LSI kishte caktuar tashmë një emër tjetër. Berati iu besua Ardit Çelës, i cili tha sot se Naço është shoqëruesi i pestë i Klosit dhe kjo s’duhet ta shqetësojë partinë.
Kësisoj, duke menduar se nuk mori vendin e merituar në listat e kandidatëve për kontributin e tij në Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe duke pasur gati ofertën nga Rama, Naço është larguar nga radhët e LSI.
Historia e largimeve nga LSI
Nasip Naço është i fundit i një serie "tradhëtish" që ka njohur Ilir Meta nga vartësit e tij në parti. Pasi shpalli aleancën me Berishën në 2009, u larguan demonstrativisht nga radhët e LSI disa emra të njohur që ishin shkëputur më parë nga PS, si Pëllumb Xhufi, Fatos Klosi, Ndre Legisi apo Sabit Brokaj. Bashkë me video-përgjimin doli në sytë e publikut ikja e Dritan Priftit, një prej bashkëpuntorëve më të ngushtë të Metës. Disa vite më parë, nga LSI u largua një bashkëpuntor tjetër i tij i ngushtë, Spartak Braho. Ndërkohë pas dorëzimit, të mandateve të deputetëve, ishte Lefter Koka që nuk pranoi të dorëzonte mandatin e tij dhe iu bashkua Partisë Socialiste dhe Edi Ramës.
Nasip Naço nuk është i vetmi nga ish ministrat që është shmangur nga LSI. Duket i tërhequr Edmond Haxhinasto, që ka pasur një dikaster të rëndësishëm si ai i transporteve apo edhe Sokol Dervishaj. I distancuar nga kjo parti duket edhe Ylli Manjani, ish ministri i drejtësisë gjatë aleancës me PS.
Strategjia e ofertave nga Rama
Ndërkohë që shmangen ish bashkëpuntorë të LSI ndër vite, fokusi i Monika Kryemadhit, duket të jetë në promovimin e emrave të rinj. Si do të ndikojë kjo në rezultatin e 25 Prillit mbetet për t'u parë, por duket se në anën tjetër Edi Rama ka nisur ofertat dhe është gati të ulet për një gotë, qoftë me verë, qoftë me raki për të pakënaqurit e LSI-së.
Nasip Naço dhe Lefter Koka nuk ndërruan rastësisht partinë. Kjo duket si një strategji e menduar mirë nga Rama për të goditur pikërisht ish-partinë e Ilir Metës me të cilin nuk e ka rastësisht konfliktin më të madh në publik. Edhe në prapaskenë socialistët kanë muaj që po punojnë në bazë për të kthyer për vete funksionarë të LSI-së. Pak kohë më parë mori teserën e PS-së, Elez Gjoza që për vite ka qenë funksionar i LSI.
Efektet janë disa. Në njërën anë, krijon idenë në publik se në LSI ka rrjedhje dhe pakënaqësi. Në anën tjetër acaron kundërshtarët e tij politikë. Siç e përshkruan në librin e tij "Kurban", Ilir Metën, duket se Rama tenton ta provokojë dhe paranoja dhe mosbesimi nuk mund të japë veçse efekte negative 4 muaj para zgjedhjeve.
“Duke e njohur mirë Ilir Metën, paqëndrueshmërinë e tij, paranojën se çdo njeri që ka pranë kërkon t’ia hedhë dhe delirin e lindur bashkë me LSI-në për të futur një sferë të madhe në një sferë të vogël, që i ngrinte krye sa herë ngacmohej prej të qenit në paqe e sidomos prej komplimenteve pa karar a thashethemeve me zarar që i bënte shpura e pandarë e servilëve të tij, injorantë deri në dhimbje e dallkaukë deri në bezdi, me të cilët është rrethuar tradicionalisht për t’u mbrojtur nga ata pak bashkëpunëtorë me mend që ka pasur afër, e ftova për bisedën që bëmë”, shkruante Rama në librin e tij.©Lapsi.al