
Një vatër zjarri është regjistruar pasditen e sotme në fshatin Karicë, në Njësinë Administrative Baz, në Bashkinë e Matit. Sipas informacioneve paraprake, zjarri dyshohet se ka nisur fillimisht në një livadh dhe i favorizuar nga era është përhapur në një masiv pyjor me dushqe.
Forcat e shërbimit zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për izolimin e vatrës së zjarrit me qëllim shmangien e përhapjes së tij në drejtim të banesave. Terreni i vështirë për t'u përshkuar e ka bërë edhe më të vështirë ndërhyrjen e zjarrfikësve, ndërsa Policia ka nisur hetimet për gjetjen e autori, pasi dyshohet se zjarri mund të jetë i qëllimshëm.