
Këshilli Bashkiak i Belshit ka votuar kundër bashkimit të Bashkisë Belsh me Elbasanin.
Në votim, 7 këshilltarë të Partisë Demokratike votuan kundër, ndërsa 10 këshilltarë të Partisë Socialiste abstenuan.
Gjatë mbledhjes, këshilltarët e PD-së dhe PS-së argumentuan qëndrimin e tyre, duke paraqitur arsyet pse, sipas tyre, Bashkia Belsh, e cila ka potencial të rëndësishëm turistik, duhet të vijojë të funksionojë dhe të vetëadministrohet.
Sipas këshilltarëve, përpara ndërmarrjes së një reforme të tillë, që prek drejtpërdrejt qytetarët, duhet të ishte kryer një studim i thelluar mbi të gjithë faktorët që do të ndikonin në jetën e banorëve.
Në mbledhje morën pjesë edhe përfaqësues të shoqërisë civile në Belsh, të cilët paraqitën argumentet e tyre lidhur me popullsinë dhe kriteret që, sipas tyre, i përkasin Bashkisë Belsh dhe qëndrimin e saj si njësi e veçantë e vetëadministrimit.
Pavarësisht kundërshtimit të reformës, gjatë mbledhjes pati debate mes këshilltarëve, veçanërisht lidhur me votën abstenim të këshilltarëve të PS-së.
Konsultimet publike janë zhvilluar dy herë, por në të dyja rastet pjesëmarrja ka qenë e ulët. Sipas këshilltarëve opozitarë, një prej shkaqeve është frika e banorëve për të ngritur zërin dhe për të shprehur mendimin e tyre.
Në takimin e zhvilluar në qytet, Këshilli Bashkiak i Belshit mori mendimin e një numri të vogël qytetarësh.