
Ka ndërruar jetë në spital 49-vjeçari që u qëllua me thikë mbrëmjen e kësaj të mërkure (23/9) në Tiranë.
“Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, ju informojmë se shtetasi Kreshnik Cara, 49 vjeç, i cili u plagos me mjet prerës, pavarësisht ndihmës mjekësore të marrë, ka ndërruar jetë në spital. Grupi hetimor vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit” – thuhet në një njoftim të policisë.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Marko Boçari”. Policia shkoi menjëherë në vendngjarje për të sqaruar autorësinë dhe rrethanat e rastit.
Policia thotë se si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve të shpejta hetimore e operacionale, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar, shtetasi Toni Nika, 50 vjeç.
"Nga veprimet e deritanishme hetimore dyshohet se 50-vjeçari ka plagosur me mjet prerës 49-vjeçarin, pas një konflikti për motive të dobëta. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme" - thuhet në njoftimin e policisë. /LAPSI.al