
Aktori Seth Rogen ka konfirmuar se nuk ka ndërmend të rikthejë miqësinë apo bashkëpunimin profesional me ish-mikun dhe kolegun e tij prej vitesh, James Franco.
Në një intervistë për The New York Times, 44-vjeçari u shpreh se nuk ka folur me Franco “prej shumë kohësh” dhe nuk planifikon të punojë më me të.
“Është një çështje shumë personale për mua dhe nuk dua të hyj në detaje. Ka një anë publike, për të cilën kam folur më parë, dhe qëndrimi im nuk ka ndryshuar. Mjafton të shihni faktet – nuk kemi punuar bashkë prej vitesh”, tha Rogen.
Ai shtoi se nuk dëshiron të komentojë më tej ndryshimin e marrëdhënies së tyre pas akuzave për sjellje të papërshtatshme seksuale që u ngritën ndaj Franco-s në vitin 2018 nga pesë gra, në një artikull të Los Angeles Times.
“Asgjë nuk ka ndryshuar që nga hera e fundit kur fola për këtë. Nuk kam punuar me të prej shumë kohësh dhe nuk kam plane ta bëj në të ardhmen”, theksoi aktori.
Nga ana tjetër, James Franco deklaroi në tetor të vitit 2024 për Variety se nuk kishte më kontakte me Rogen.
“Nuk kam folur me Seth. E dua Seth-in, kemi kaluar 20 vite të mrekullueshme bashkë, por mendoj se gjithçka ka marrë fund. Jo sepse nuk jam përpjekur. Ia kam thënë sa shumë ka rëndësi për mua”, ishte shprehur Franco.
Dyshja u bë e njohur për bashkëpunimet në projekte si Freaks and Geeks, Pineapple Express dhe The Disaster Artist.
Megjithatë, karriera e Franco-s u godit rëndë pasi në vitin 2019 dy ish-studente të tij ngritën një padi për sjellje të papërshtatshme seksuale. Çështja u mbyll në vitin 2021 me një marrëveshje jashtë gjykatës, ku aktori pranoi të paguante 2.235 milionë dollarë.
Edhe në vitin 2021, Rogen kishte lënë të kuptohej se distancimi i tij nga Franco lidhej drejtpërdrejt me këto akuza.
“Urrej çdo formë abuzimi dhe ngacmimi. Nuk do të mbuloja apo fshihja kurrë veprimet e dikujt që sillet në atë mënyrë. Kjo ka ndryshuar shumë gjëra në marrëdhënien dhe dinamikën tonë”, ishte shprehur ai.