
Përballja mes Michel Platini dhe Gianni Infantinos nuk ka përfunduar. Përkundrazi. Shumë shpejt çështja do të hyjë seriozisht në gjykatat franceze. Të dy ishin aleatë kur francezi ishte president i UEFA-s dhe italo-zvicerani sekretar i përgjithshëm i konfederatës evropiane, por më pas marrëdhënia u prish në kohën e akuzës për korrupsion, e cila rezultoi e pabazë, ndaj “mbretit”: bëhet fjalë për dy milionë frangat e famshme të marra nga Sepp Blatter, president i FIFA-s në atë kohë, si pagesë për një punë të kryer në periudhën 1998-2002, të cilat Komiteti i Etikës i FIFA-s i interpretoi si një “ryshfet” në këmbim të një vote. Nuk ishte kështu, por u deshën dhjetë vjet për të pastruar çdo njollë.
Ndërkohë gjithçka ka ndryshuar. Gianni Infantino u bë president i FIFA-s, ndërsa Michel Platini u kthye në një të përjashtuar, për të marrë vetëm pas dhjetë vitesh njohjen se nuk kishte asnjë përgjegjësi penale apo civile. Megjithatë, Platini nuk dorëzohet. Mendohej se, pasi fitoi vitin e kaluar njohjen e pafajësisë, nuk kishte më dëshirë të vazhdonte këtë histori dhe do t’i përkushtohej, siç kishte thënë vetë, golfit, nipërve dhe ndoshta diçkaje konstruktive për futbollin. Por deklaratat e tij (“Nuk do t’i lë të qetë njerëzit që më kanë bërë keq”) linin të kuptohej se diçka tjetër po përgatitej. Në prag të Botërorit në Amerikën e Veriut u depozituan madje dy padi: një penale ndaj Infantinos dhe një civile kundër FIFA-s. E para në Paris, e dyta në Marsejë. Tashmë gjithçka është në duart e gjyqtarëve francezë, por sigurisht që kjo nuk është ajo që i duhej Infantinos përpara rizgjedhjes, e cila në pamje të parë dukej e sigurt, në mars të vitit 2027.
Padia penale
Më 8 qershor, Platini njoftoi se kishte paraqitur një padi kundër Infantinos për “trafik influence”, “komplot për shpifje” dhe “kallëzim të rremë”. Çështja ndodhet në duart e gjyqtarit hetues kryesor të Parisit, në pritje të emërimit të gjyqtarit që do të drejtojë hetimin. Padia nuk përfshin vetëm presidentin e FIFA-s. Siç theksoi avokati i Platinit, Olivier Baratelli, në këtë çështje janë të përfshirë edhe persona të tjerë, bashkëpunëtorë të Infantinos, “të cilët kanë punuar për të penguar zgjedhjen e Michel Platinit si president i FIFA-s”. Bëhet fjalë për Marco Villiger, ish-drejtor i shërbimeve ligjore në FIFA, dhe Domenico Scala, ish-president i komitetit të auditimit.
Padia civile
Njëkohësisht me padinë penale në Paris, Platini ka ngritur edhe një padi civile kundër FIFA-s në një gjykatë tjetër, atë të Marsejës, për arsye juridiksioni, pasi ai është rezident në Cassis, vendi ku ka zgjedhur të jetojë dhe ku ka hapur edhe një hotel-restorant. Në bazë të kësaj nisme të dytë ligjore të ish-yllit të Juventusit qëndron kërkesa për dëmshpërblim për pagat që ai do të kishte përfituar nëse do të ishte zgjedhur, siç konsiderohej pothuajse e sigurt, president i FIFA-s. Seanca paraprake është caktuar për më 8 dhjetor në Marsejë.
Paditë e tjera
Nuk është hera e parë që Platini pretendon se ka qenë viktimë e një komploti. Edhe në vitet 2018 dhe 2021 ai kishte paraqitur dy padi, për “kallëzime të rreme” kundër personave të panjohur dhe për “trafik influence” kundër Infantinos në drejtësinë zvicerane: e para u parashkrua, ndërsa e dyta u pushua. Këtë herë Michel Platini po i drejtohet gjykatave franceze sepse, siç kishte deklaruar edhe avokati Baratelli: “Ai është në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë. Ky është thelbi i këtyre proceseve, të cilat do të hedhin dritë mbi manovrat për ta larguar atë nga presidenca e FIFA-s dhe do të identifikojnë përgjegjësit.”
Zgjedhjet
Ky proces gjyqësor nuk mund t’i pëlqejë Infantinos, i cili më 18 mars të vitit të ardhshëm do të kërkojë rizgjedhjen. I zgjedhur për herë të parë në vitin 2016, në kulmin e krizës politike të FIFA-s, ai u rizgjodh në vitin 2019 dhe 2023. Nëse do të rizgjidhet sërish pa rivalë edhe në vitin 2027, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2031 dhe mund të ketë kohë edhe për të caktuar organizatorin e Botërorit 2038, të cilin, nuk është sekret, presidenti amerikan Donald Trump e ka kërkuar sërish për SHBA-në, duke e konsideruar pothuajse si një çështje private, njësoj si Groenlandën.
Askush nuk mund të parashikojë sot zhvillimet dhe pasojat e dy padive, pasi gjithçka do të varet nga gjyqtarët e Parisit dhe Marsejës, ndërsa procedurat mund të zgjasin shumë. Megjithatë, është e sigurt se Botërori dhe periudha pas tij kanë qenë gjithçka tjetër veçse të lehta për presidentin e FIFA-s nga pikëpamja e imazhit (arbitrat, Trump, fishkëllimat, risitë “alla amerikane” mes spektaklit dhe katër pjesëve të lojës…).