Flash

Përplasja/ Komisioni Europian shqetësime për investimin e Kushner, Rama mohon ekzistencën e projektit

Ndërsa Brukseli sinjalizon se projekti i Kushner mund të kthehet në një pengesë për integrimin europian, Edi Rama përpiqet të mohojë ekzistencën e vetë projektit, duke u gjendur gjithnjë e më shumë mes presionit të BE-së dhe interesave të lidhura me familjen Trump.

Lapsi.al 9 June 2026

Në ditën e nëntë të protestave kundër investimit të Jared Kushner në Zvërnec, përplasja ka dalë përtej kufijve të një konflikti lokal për mjedisin apo një projekt turistik. Për herë të parë, duket se kanë marrë formë fërkimet mes deklaratave publike të zyrtarëve europianë dhe reagimet e qeverisë shqiptare. Mes palëve po shfaqet hapur një tension politik që prek raportin mes Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara dhe vetë strategjisë së Edi Ramës për të ruajtur ekuilibrin në marrëdhëniet mes palëve.

Pas sinjaleve me gjysëm-zëri që ishin dhënë më herët, zëdhënësi i Komisionit Europian për Çështjet e Zgjerimit, Guillaume Mercier, konfirmoi se Brukseli po e ndjek nga afër çështjen e investimit në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë dhe se shqetësimet e Komisionit i janë përcjellë drejtpërdrejt qeverisë shqiptare.

“Lidhur me këtë çështje, ajo që mund të them është se Komisioni po ndjek nga afër zhvillimet në peizazhin e mbrojtur Pishë Poro-Nartë. Ne i kemi shprehur tashmë shqetësimet tona Ministrit të Mjedisit në lidhje me mangësitë e mundshme të këtij projekti”, deklaroi Mercier.

Në deklaratën e tij, Mercier konfirmoi se Brukseli ka marrë si garanci nga Tirana pezullimin e punimeve të ndërtimit dhe se për projektin do të ketë një thellim në lidhje me ndikimin në mjedis.

“Ministri është angazhuar se punimet e ndërtimit janë pezulluar dhe se për projektin do të kryhet një vlerësim gjithëpërfshirës i ndikimit në mjedis, në konsultim me shoqërinë civile”, tha zëdhënësi i Komisionit Europian.

Edhe pse me gjuhën burokratike të Brukselit, deklarata lidhet direkt me integrimin në Bashkimin Europian. Mercier kujtoi se Shqipëria jo vetëm duhet të përafrojë legjislacionin me direktivat europiane për shpendët dhe habitatet, por edhe “duhet të shfuqizojë legjislacionin e vitit 2015 për investimet strategjike”. Për vite me radhë, ligji për investimet strategjike ka qenë një nga instrumentet më të rëndësishme të qeverisë Rama për të tërhequr investime të mëdha, por tani po paraqitet nga Brukseli si një nga pengesat që Shqipëria duhet të heqë për të mbyllur Kapitullin 27 të negociatave.

Edhe pse Mercier shmangu të thoshte drejtpërdrejt se projekti i Kushner bie në kundërshtim me Kapitullin 27, mesazh politik ishte i qartë: Projekti i Kushner nuk shihet me sy të mirë nga Bashkimi Europian, që pret nga qeveria shqiptare thellimin e reformave dhe jo pengesa të tjera për integrimin.

Por pak orë pas deklaratave të Brukselit, kryeministri mohoi kategorikisht se ekziston një projekt i miratuar apo një projekt i pezulluar. Në një konferencë me gazetarët e huaj ai mohoi ekzistencën e një projekti dhe për më tepër pezullimin e tij.

“Gënjeshtra janë shumë joshëse. Kjo është ajo që shpërndahet në të gjitha platformat. Si t’ju ndihmoj. Cila është diferenca me nuk ka një projekt me projekti është anuluar?”, tha Rama. “Nëse nuk ka një projekt çfarë do të anulosh?” ishte pyetja që u drejtoi kryeministri gazetarëve.

Por kur një prej gazetareve e pyeti lidhur me protestën kundër ndërtimeve në Zvërnec dhe nëse kjo ka lidhje me integrimin europian, Rama bëri të paditurin dhe u shpreh se diçka të tillë nuk e ka dëgjuar nga Komisioni Europian.

Gazetari: Kjo protestë në rrugët e Tiranës është diçka që lidhet me integrimin europian? A keni frikë se lidhet me këtë?

Rama: Nuk ka të bëjë fare me integrimin europian. Tregojmë se jemi një vend si çdo vend i BE, që ka plot protesta.

Gazetari: Sepse Komisioni Europian tha se ndoshta, nëse protestat vazhdojnë..?

Rama: Cili Komision ua thotë këto gjëra? Se nuk i kam dëgjuar. Unë nuk mendoj se ka Komision që nëse thotë se nëse protesta vazhdojnë do të thotë se vendi nuk është europian.

Kontradikta mes dy qëndrimeve qëndron në faktin se ndërsa Komisioni Europian ka marrë garanci për një pezullim të punës dhe për një vlerësim të plotë mjedisor, kryeministri Rama nga ana tjetër, argumenton se nuk mund të pezullohet diçka që nuk ekziston.

Formalisht, të dyja palët mund të pretendojnë se nuk kundërshtojnë njëra-tjetrën. Politikisht, megjithatë, ato po flasin për dy realitete të ndryshme.

Në sfond qëndron një debat më i madh se vetë Zvërneci. Investimi i Jared Kushner shkon përtej një projekti turistik. Ai është investimi më i madh i lidhur me familjen Trump në Shqipëri dhe vjen në një moment kur marrëdhëniet mes administratës amerikane dhe Bashkimit Europian po kalojnë një periudhë tensioni në disa fronte, nga tregtia te siguria dhe politikat ndërkombëtare.

Nuk është rastësi që dyshimet europiane për projektin kanë qarkulluar prej kohësh në korridoret e Brukselit. As nuk kaloi pa u vënë re fakti që ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, u shfaq pranë protestuesve, në një moment kur debati për projektin po nxehej çdo ditë e më shumë.

Natyrisht, askush në Bruksel nuk po e paraqet çështjen si një konflikt me Shtetet e Bashkuara. Argumenti zyrtar mbetet mjedisi, Natura 2000, biodiversiteti dhe standardet e Kapitullit 27. Por kur shqetësimet teknike përsëriten publikisht dhe lidhen me kushtëzimet e negociatave, ato pushojnë së qeni teknike.

Për këtë arsye në reagimet e Ramës lexohet një përpjekje për të shmangur pranimin publik se Brukseli po ushtron presion mbi një investim që qeveria shqiptare e ka promovuar prej muajsh si një mundësi historike zhvillimi.

Pas protestave, ky presion e ka vendosur kryeministrin prej kohësh në një pozicion delikat. Nga njëra anë qëndron Bashkimi Europian, destinacioni strategjik i Shqipërisë dhe arbitri i procesit të integrimit. Nga ana tjetër qëndrojnë marrëdhëniet me administratën amerikane dhe investimi simbolik i familjes Trump në Shqipëri.

Për momentin Rama po përpiqet t’i mbajë të dyja anët të kënaqura. Por sa më shumë të zgjasin protestat dhe sa më shumë të rriten rezervat europiane, aq më e vështirë bëhet mbajtja e ekuilibrit./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Kryeministri po flet me veten

Dy fenomenet që Rama identifikoi si problemet themelore të qeverisjes, arroganca dhe mungesa e empatisë, janë tiparet e tij dalluese.  Ku ka zyrtar më arrogant dhe jo-transparent se kryeministri në qeverinë Rama? Si mundet Rama ti kërkojë ministrave të përfshijnë qytetarët në vendimarrje, kur ai vetë nuk i përfshin ministrat në vendimmarrjen e tij?

17:33 Blendi Kajsiu

Ata që shohin vjedhjen e Agron Shehajt nga koteci i Edi Ramës

Çmenduri të tilla, kur një pushtet prek fundin, janë të njohura. Grupe armiqësore, gazetarë puçistë, elementë të rekrutuar nga shtete armiqësore etj, historia jonë politike ka me shumicë, por vetëm Edi Rama ia ka dalë që në 10 vitet e fundit t’i njehsojë, gati- gati të duken si një fytyrë e vetme të gjithë ata që i shërbejnë.

16:41 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

24°c

KËMBIMI EURO

93.28

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Euro kap një minimum të ri

Muaji gusht ka nisur me një thellim të mëtejshëm të rënies së Euros në kursin e këmbimit me Lekun. Sipas kursit zy...

14:27

Me sytë katër

PAPARAZZI