Flash

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, MABCO rikthehet në aeroportin e Vlorës

Lapsi.al 22 June 2026

Punonjësit e kompanisë “Mabco Constructions”, në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli, janë rikthyer këtë të hënë në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, disa ditë pasi një vendim i Gjykatës së Lartë i riktheu kësaj kompanie të drejtën e administrimit dhe kontrollit mbi shoqërinë “Vlora International Airport” (VIA). 

Sipas një deklarate zyrtare të VIA-s, rikthimi është bërë “në zbatim të vendimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve” të datës 18 qershor 2026, të marra “bazuar në Vendimin e Gjykatës së Lartë”, të cilat synojnë “rikthimin e aktivitetit normal në kantier dhe përshpejtimin e punimeve për përfundimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës”.

Kompania bën me dije se përfaqësuesit e saj kishin kërkuar paraprakisht mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës, Policisë së Shtetit dhe Avokatit të Shtetit “për garantimin e zbatimit të vendimeve të Asamblesë dhe ushtrimin e aksesit të ligjshëm në kantier”.

Megjithatë, sipas saj, gjatë hyrjes në ambientet e aeroportit “janë konstatuar pengesa nga përfaqësues të kompanisë së sigurisë dhe nga persona të tretë që kanë pretenduar të veprojnë mbi bazën e autorizimeve të lëshuara nga administratori aktual i regjistruar në QKB”.

Pas këtij momenti tensioni, përfaqësuesit e “Mabco” kanë marrë nën kontroll zyrat dhe kanë nisur procesin e inventarizimit të aseteve, pajisjeve dhe gjendjes aktuale të projektit.

DEKLARATË PËR MEDIAN

Asambleja e Përgjithshme e Ortakëve e shoqërisë "Vlora International Airport – VIA" sh.p.k., në mbledhjen e zhvilluar më datë 18 qershor 2026, bazuar ne Vendimin e Gjykates se Larte, ushtroi kompetencat e saj ligjore dhe statutore si organi më i lartë vendimmarrës i shoqërisë, duke miratuar një sërë vendimesh që synojnë rikthimin e aktivitetit normal në kantier dhe përshpejtimin e punimeve për përfundimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Këto vendime janë marrë në mbështetje të nenit 81 pika 1 të Ligjit nr. 9901/2008 "Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare", si dhe nenit 17 të Statutit të shoqërisë, të cilat i japin Asamblesë së Ortakëve kompetencën për të përcaktuar politikat e shoqërisë dhe për të mbikëqyrur administrimin e saj.

Ndër të tjera, Asambleja vendosi garantimin e aksesit të plotë dhe të pandërprerë në kantier për ortakët, kontraktorët, nënkontraktorët dhe personat e autorizuar prej tyre, me qëllim vijimin e menjëhershëm të punimeve dhe kryerjen e veprimeve të nevojshme për administrimin e projektit. Gjithashtu, Asambleja vendosi që administratori të mos autorizojë asnjë palë të tretë për të përfaqësuar shoqërinë apo për të ushtruar kompetenca që bien ndesh me vendimet e saj.

Në zbatim të këtyre vendimeve, përfaqësuesit e Mabco Constructions S.A. kërkuan zyrtarisht, përmes shkresave dhe komunikimeve elektronike, mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Policisë së Shtetit dhe Avokatit të Shtetit për garantimin e zbatimit të vendimeve të Asamblesë dhe ushtrimin e aksesit të ligjshëm në kantier.
Pas këtyre njoftimeve institucionale, përfaqësuesit e Mabco Constructions S.A. u paraqitën sot në kantier dhe nisën procesin e inventarizimit të aseteve, pajisjeve dhe gjendjes aktuale të projektit, një proces i domosdoshëm për vlerësimin e situatës faktike dhe organizimin e fazës së mëtejshme të punimeve.

Megjithatë, gjatë zhvillimit të këtij procesi janë konstatuar pengesa nga përfaqësues të kompanisë së sigurisë dhe nga persona të tretë që kanë pretenduar të veprojnë mbi bazën e autorizimeve të lëshuara nga administratori aktual i regjistruar në QKB. Mes tyre ka qenë edhe z. Bujar Ejupi, i cili ka pretenduar ekzistencën e një prokure të lëshuar nga administratori.

Rikujtojmë se vendimet e Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve janë detyruese për administratorin, punonjësit e shoqërisë dhe çdo person që vepron në emër apo për llogari të saj. Për rrjedhojë, asnjë autorizim individual, asnjë prokurë dhe asnjë veprim i njëanshëm nuk mund të prevalojë mbi vendimet e organit më të lartë vendimmarrës të shoqërisë.
Mabco Constructions S.A. do të vazhdojë të ushtrojë të drejtat dhe detyrimet e saj kontraktore në funksion të përfundimit të projektit, ndërsa çdo pengesë ndaj zbatimit të vendimeve të Asamblesë, aksesit në kantier apo vijimit të punimeve do të dokumentohet dhe do t'u referohet institucioneve kompetente për trajtim sipas ligjit.
Objektivi ynë mbetet i pandryshuar: rikthimi i aktivitetit normal në kantier, respektimi i ligjit, respektimi i vendimeve të organeve të shoqërisë dhe përfundimi sa më i shpejtë i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, një projekt me rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik dhe turistik të Shqipërisë.

Tiranë, 22 qershor 2026

Të këshilluara

ide

Një antihero i dëshpëruar i Homerit

Kryeministri ka përdorur mitin antik të Odiseut që nuk joshet nga sirenat, për të përçuar mesazhin se ai do të vazhdojë përpara pa pyetur për protestuesit. Por nëse nuk do e kish njohur veprën e Homerit vetëm përmes ekranizimit, do të kish gjetur tek kjo metaforë gjurmët e një autokrati

16:50 Andi Bushati

MOTI TIRANA

33°c

KËMBIMI EURO

94.48

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI