
Presioni mbi qeverinë e kryeministrit Edi Rama po shtohet, ndërsa protestat kundër saj vijojnë të mbledhin mbështetje brenda dhe jashtë vendit. Sipas një artikulli të publikuar nga Fox News, demonstruesit kërkojnë largimin e Ramës dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja.
Në qendër të debatit mbetet projekti për ndërtimin e dy resorteve luksoze në bregdetin shqiptar, të mbështetura nga investitorë të lidhur me biznesmenin amerikan Jared Kushner. Projekti shumëmiliardë dollarësh parashikon ngritjen e rreth 10 mijë dhomave hoteli dhe vilave turistike në ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit.
Një nga zhvillimet është planifikuar në ishullin e Sazanit, ku ndodhet një ish-bazë ushtarake e periudhës sovjetike. Ndërkohë, projekti në Zvërnec ka nxitur kundërshtime për shkak të afërsisë me zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë, e njohur për biodiversitetin e saj dhe habitatet e flamingove, fokave mesdhetare dhe breshkave të detit.
Ish-ambasadori shqiptar në Shtetet e Bashkuara dhe në OKB, Agim Nesho, tha për Fox News se protestat nuk drejtohen kundër familjes së presidentit amerikan apo investitorëve të huaj.
“Investitorët po sjellin rreth 4 miliardë dollarë në Shqipëri, duke krijuar vende pune dhe mundësi për të rinjtë. Problemi nuk janë investitorët, por mënyra se si është qeverisur vendi,” u shpreh ai.
Nesho pretendoi gjithashtu se zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar nuk janë njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe se shumica e siguruar nga qeveria i jep asaj mundësinë të ndërmarrë ndryshime ligjore dhe kushtetuese.
Edhe gazetari Eric Czuleger, i cili jeton prej pesë vitesh në Shqipëri dhe ka ndjekur nga afër protestat, tha se autoritetet fillimisht tentuan të minimizonin pjesëmarrjen në demonstrata, ndërsa më pas i paraqitën ato si pjesë të një “lufte hibride” të nxitur nga faktorë të jashtëm.
Nga ana tjetër, qeveria shqiptare vijon të mbrojë projektet turistike. Në një reagim për Fox News, ajo theksoi se ishulli i Sazanit do të mbetet pronë shtetërore dhe nuk do të shitet, ndërsa toka në Zvërnec është në pronësi private. Qeveria mohoi gjithashtu pretendimet se statusi i zonave të mbrojtura është ndryshuar për t’i hapur rrugë investimeve dhe deklaroi se projektet do t’i nënshtrohen një vlerësimi të detajuar të ndikimit në mjedis.
Megjithatë, Fox News kujton se Parlamenti Europian ka kërkuar së fundmi ndalimin e ndërtimeve në zonat e mbrojtura në Shqipëri dhe vendosjen e një moratoriumi për lejet e reja të ndërtimit në këto territore.
Në mbrojtje të projektit ka dalë edhe Asher Abehsera, një nga drejtuesit e nismës në Sazan, i cili tha se synimi është krijimi i një destinacioni turistik të standardeve ndërkombëtare, duke kombinuar zhvillimin ekonomik me mbrojtjen e mjedisit.
Ndërsa protestat vazhdojnë, organizatorët këmbëngulin se kërkesa kryesore mbetet largimi i qeverisë dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja. Aktori Florjan Binaj i cilësoi demonstratat si “më të mëdhatë që ka parë Shqipëria që nga viti 1991”, duke shtuar se do të vijojë të jetë pjesë e tyre.
Sipas protestuesve të cituar nga Fox News, korrupsioni dhe mungesa e llogaridhënies politike mbeten arsyet kryesore të pakënaqësisë qytetare. Ata kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme nën monitorim ndërkombëtar.