Flash

Një protestues në shënjestër/ Si u mobilizua pushteti kundër Dritan Goxhajt

Në sulmet ndaj një qytetari të thjeshtë si Dritan Goxhaj, pushteti është shfaqur me të gjithë arrogancën, dhunën dhe mungesën e skrupujve që e karakterizon, duke na dhuruar një arsye më shumë për të protestuar

Lapsi.al 24 June 2026

Që nga pasditja e 22 qershorit, kur Dritan Goxhaj lexoi para kryeministrisë kërkesat e shkruara nga grupi organizator i protestës, Edi Rama gjeti më në fund armikun ideal mes dhjetëra mijëra qytetarëve pa emër, pa logo dhe pa parti që mbushën rrugët e Tiranës dhe kërkuan dorëheqjen e tij. 

Kishte provuar më herët ta kafshonte protestën në një pikë të dobët, por pa sukses. Sulmeve publike, Fatos Lubonja iu përgjigj me buzëqeshjen në fytyrë teksa ngrinte lart një flamingo si pankartë . Akuzat për ndërtim pa leje ndaj një gruaje nga Durrësi që foli në protestë, u shfrynë shpejt si shpifje banale. Kurse vajzat e Instagramit, tani që i kishte ngacmuar Rama, ishin bërë akoma më ironike në reelsat e tyre.

Ndaj sapo Dritan Goxhaj doli në tribunën e vogël duke lexuar 5 kërkesat e protestuesve, mbi të u derdh arsenali më i rëndë i sulmeve të propagandës, nga kryeministri, ministrat, deputetë, ish-ministra, eksponentë të Partisë Socialiste dhe mediat pranë qeverisë.

Biografia e tij, deklaratat e vjetra, qëndrimet për Iranin, roli në UÇK, arrestimi i vitit 2023 dhe çdo episod i së shkuarës u thithën nga centrifuga e propagandës politike, për t’u vjellë sërish me një qëllim të qartë: delegjitimimin e protestës, përmes një personi që atë mbrëmje lexoi kërkesat e saj.

I pari që hapi siparin ishte kryeministri Edi Rama. Ai publikoi momentin kur Goxhaj lexonte kërkesat e protestës dhe e lidhi menjëherë me Iranin.

“Si thoshin derrat e knaqun migjenianë të segmentit ‘intelektual’ të protestës, nuk ka lidhje Irani ëëë…”, shkroi Rama.

Më pas kryeministri shtoi: “Mos harroni çfarë ju kam thënë qysh në fillim: Dy fitimtarë do dalin kur kësaj proteste t’i bien të tëra puplat fallco të flamingove, Partia Socialiste që do të bëhet më e fortë dhe qeverisja jonë që do të përmirësohet shumë ndjeshëm”.

Pak më vonë, Rama publikoi një dokument të vitit 1999, që sipas tij ia kishte dërguar një qytetar me të vrarë në familje gjatë luftës së Kosovës. Në atë dokument që pretendohet se është firmosur nga Komandant Plaku thuhej se Dritan Goxhaj kishte refuzuar të qëndronte për të luftuar, duke thënë: “Nuk më ka marrë koka erë, si im atë, të vij në luftën e Kosovës”.

Rama e shoqëroi publikimin me një tjetër sulm personal ku e quante Goxhajn një “manipulator” “gjysmë taleban” e “gjysmë mitoman”.

Mesazhet e Ramës ishin si një kushtrim për mediat pranë qeverisë. Menjëherë nisën të qarkullojnë mesazhet e Goxhajt në rrjetet sociale, apo deklaratat në studiot televizive pro Iranit, pro Hezbollahut dhe kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, apo kundër Izraelit.

Ndërkohë në frontin tjetër bëheshin përpjekjet për ta zhvlerësuar rolin e tij si ish-luftëtar i UÇK.

Aq të etur ishin për të gjetur provën që do të varroste Dritan Goxhajn, sa askush nuk u kujdes të shihte me qetësi dokumentat që po tundnin para publikut.

Për shembull, në një listë-pagesash që u përdor për të mbështetur tezën e “mercenarit”, krahas emrit të Goxhajt figuron edhe Tahir Sinani, komandant i UÇK-së dhe hero i Kosovës. Me një nxitim të pazakontë për të goditur një protestues në Tiranë, propaganda rrezikoi të shpallte me të njëjtën logjikë “me pagesë” edhe një nga figurat më me emër të luftës çlirimtare.

“Dje ‘Komandant’ me pagesë, po sot shërbëtor me çfarë?” shkruante Rama poshtë dokumentit.

E njëjta listë u shpërnda edhe nga Taulant Balla. Kreu i grupit parlamentar socialist që e kishte cilësuar Goxhajn “zëdhënësin e Iranit në protestë”, shkroi: “Dritan Goxhaj në Maj-Qershor 1999 në Kosovë paska qenë me pagesë, si mendoni ju këtu në shesh ka dalë falas?”

Ndërkohë, nga Kosova kishin nisur gërmimet në të shkuarën e Dritan Goxhajt. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së deklaroi se ishte “e papranueshme dhe fyese për dinjitetin e luftës sonë që në emër të UÇK-së të flasin dhe të paraqiten individë apo grupe që për vite me radhë kanë tentuar ta zbehin, ta devijojnë dhe t’ia ulin vlerën luftës sonë çlirimtare”.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati tha se Dritan Goxhaj nuk është anëtar i Organizatës së Veteranëve të Luftës. “Dritan Goxhaj nuk është anëtar i Organizatës së Veteranëve të Luftës. Kjo është e vërtetë. Nuk ka dokumentacion, nuk ka certifikatë të veteranit, nuk ka letërnjoftim tek ne, nuk ka aplikacion të mundshëm dhe nuk ka kartelë të veteranit”, deklaroi ai.

Në Tiranë, sulmi politik vijoi me ministra dhe deputetë të panumërt që lëshonin bataret e baltës nga rrjetet sociale.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, shkroi se Goxhaj “nën petkun e ‘ish-ushtarit të UÇK’ i shpëtoi ekstradimit nga Shqipëria drejt Kosovës dhe më pas përballjes me drejtësinë, për të vijuar sërish me ‘protestat e tij’ dhe agjendën pseudo-atdhetare si mburojë e interesave të tij okulte dhe të dëmshme për vendin”.

Referimi i bëhej një kërkese të Gjykatës së Hagës në vitin 2023 për arrestimin e Dritan Goxhajt i cili në një shkrim të tij kishte denoncuar me emra ata që i quante dëshmitarë të rremë kundër ish-komandantëve të UÇK-së.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, shkoi edhe më tej, duke e quajtur Goxhajn një gjakprishur, që nuk kishte asnjë lidhje me UÇK-në. “Ky lloj njeriu vetëm me iranianët dhe/apo gjakprishurit ka lidhje, sepse me UÇK-në asnjë lloj lidhje nuk ka!”, shkroi Nufi.

Ulsi Manja, nga ana tjetër, e çoi akuzën në nivel komploti ndërkombëtar. Ai tha se kërkesat e lexuara nga Goxhaj ishin shkruar nga Irani. “Deklarata e ultimatumeve për qeverinë është shkruar me dorën e IRGC-së iraniane dhe Jazexhiu (Olsi Jazexhi) do t’ia ketë përkthyer keq nga persishtja Goxhajt!”, deklaroi Manja.

Në lojë u fut edhe deputetja socialiste Sara Mila që e paraqiti Goxhajn si provën se protesta kishte humbur kauzën e saj fillestare. “Pas 22 ditësh ‘protestë pa prijës’, maska ra: zëdhënësi i ‘Shqipërisë së Re’ është një figurë me retorikë publike pro-Iranit, pro-Hezbollahut dhe antiamerikane. Jo alternativë politike, por një karikaturë gjeopolitike”, shkroi ajo.

Në të njëjtën linjë u vendosën edhe mediat pranë qeverisë. Nisën publikimet e videove të vjetra të Dritan Goxhajt, ku ai fliste për Iranin, Hezbollahun, Izraelin, Shtetet e Bashkuara. Deklaratat e tij në studiot televizive u nxorën menjëherë nga arkiva, si prova se protesta qytetare ishte kapur nga një linjë antiamerikane dhe pro-iraniane, si për të treguar se të gjithë ata dhjetëra mijëra qytetarë që dolën të revoltuar në rrugë mendonin njësoj.

Të rrallë mund të jenë ata qytetarë, pa asnjë angazhim publik që mund të jenë sulmuar ndonjëherë siç po ndodh me Dritan Goxhajn. Papritur ky njeri është kthyer në instrumentin përmes të cilit qeveria po synon ta shembë një herë e mirë kauzën e protestës duke e devijuar atë nga qëllimi që bëri bashkë dhjetëra mijëra vetë nga e gjithë Shqipëria.

Në vend të debatit për dorëheqjen e Ramës, për projektin e Zvërnecit, për investimet strategjike apo kufizimin e pushtetit të kryeministrit, thelbi i diskutimit po zhvendoset te biografia e një njeriu të vetëm.

Metoda klasike e pushtetit që sundon përmes manipulimit. Nëse protestuesit kërkojnë llogari për ligjet, për mjedisin dhe për abuzimin me pushtetin, qeveria u përgjigjet me Iranin, Hezbollahun, UÇK-në dhe biografinë e Dritan Goxhajt.

Një angazhim frenetik sulmesh, një presion i pamëshirshëm i makinerisë shtetërore që duke menduar se ka gjetur pikën më të dobët të protestës, është mobilizuar kundër një qytetari të zakonshëm që nuk ka asnjë pushtet, vetëm pse ai lexoi kërkesat e protestës.

Dhe në këtë mënyrë pushteti është shfaqur me të gjithë arrogancën, dhunën dhe mungesën e skrupujve që e karakterizon, duke na dhuruar një arsye më shumë për të protestuar./Lapsi.al

Të këshilluara

Paratë e drogës në ndërtim/ A rrezikojmë një “1997” të dytë

Ekonomia shqiptare është bërë gjithnjë e më e varur nga industria e ndërtimit e ushqyer nga paratë informale të drogës dhe korrupsionit, ndaj një goditje e thellë ndaj pastrimit të parave mund të shpërthejë “flluskën” e pasurive të paluajtshme dhe të rrezikojë një krizë ekonomike me pasoja të ngjashme me kolapsin e vitit 1997.

17:04

ide

MOTI TIRANA

30°c

KËMBIMI EURO

94.26

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI