
Bisedimet mes delegacionit ukrainas dhe përfaqësuesve të Donald Trump në Miami janë ndërprerë pas njoftimit për një marrëveshje nafte mes Uashingtonit dhe Moskës. Sipas Financial Times, takimi synonte të gjente mënyra për ta bindur Rusinë t'i jepte fund luftës. Megjithatë, delegacioni ukrainas vendosi të kthehej në Kiev dhe anuloi raundin e dytë të bisedimeve. Gjatë takimit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner thuhet se paralajmëruan Ukrainën se SHBA-ja mund të ndërpresë shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës nëse Kievi vazhdon sulmet ndaj rafinerive ruse.
Pavarësisht paralajmërimit, një zyrtar ukrainas deklaroi se “sulmet do të vazhdojnë”. Disa orë më vonë, autoritetet ruse raportuan një tjetër sulm ndaj një terminali nafte. Ndërkohë, numri i viktimave nga sulmi rus në Zaporizhzhia është rritur në 17. Ekipet e shpëtimit nxorën të gjallë një grua që kishte qëndruar mbi tetë orë nën rrënoja.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, kritikoi lehtësimin e sanksioneve ndaj karburantit rus, duke paralajmëruar se kjo i siguron Moskës më shumë të ardhura për luftën. Sipas saj, sulmet ruse kanë vrarë mbi 80 civilë ukrainas brenda dy ditësh. Kallas deklaroi se BE-ja nuk do ta ulë presionin ndaj Rusisë dhe se ministrat e Jashtëm synojnë të miratojnë të hënën një paketë të gjerë sanksionesh të reja.