
Bayern Munich barazoi 2-2 në transfertën ndaj Augsburg të shtunën, pasi pësoi golin më të shpejtë në historinë e Bundesligës, si pasojë e një gabimi të rëndë të Manuel Neuer. Robin Fellhauer shënoi pas vetëm 8 sekondash, kur tentativa e portierit për ta kaluar topin mbi të përfundoi me topin që u përplas te lojtari i Augsburg dhe u kthye sërish në drejtim të portës.
Një ditë për t’u harruar për Neuer me fanellën e Bayern Munich. Një gabim me këmbë në ndeshjen në fushën e Augsburg, e cila përfundoi 2-2, i dha mundësinë Fellhauer të shënonte golin më të shpejtë në historinë e Bundesligës, pas vetëm 8,5 sekondash. Edhe goli i dytë i vendasve, i shënuar nga Rodrigo Ribeiro, erdhi pas një grushtimi të shkurtër të portierit 40-vjeçar, vetëm pak hapa larg portës.
Ismael Saibari barazoi rezultatin në fillim të pjesës së dytë, por Rodrigo Ribeiro, pas një tjetër vendimi të dyshimtë të Neuer, riktheu shpejt Augsburg në avantazh. Bayern pa t'i anulohen tre gola për pozicion jashtë loje, përpara se Nathaniel Brown të shënonte golin e tij të parë në kampionat për miqtë dhe të siguronte një pikë.
Kampionët u shfaqën të ndryshkur në ndeshjen e tyre të parë pas pushimit të gjatë për kombëtaret dhe humbën mundësinë për të marrë kreun e renditjes. Një ditë më parë, kryesuesi Borussia Dortmund kishte barazuar 2-2 në shtëpi ndaj Werder Bremen. Freiburg, që renditet në vendin e tretë, i mjafton një fitore ndaj Schalke 04 të dielën për të kaluar dy skuadrat kryesuese dhe për t’u ngjitur në vendin e parë.
Bayer Leverkusen u ngjit në vendin e katërt pas një fitoreje spektakolare 4-3 në transfertë ndaj Mainz. Union Berlin regjistroi fitoren e parë në kampionat këtë sezon, duke mundur 1-0 Elversberg, skuadrën e sapongjitur në elitë. Ndërkohë, VfB Stuttgart fitoi 2-0 ndaj Paderborn, një tjetër skuadër e re në kategori, falë golave të Jeff Chabot dhe Chris Führich. SV Hamburg arriti ta mposhtte Hoffenheim 3-2 në transfertë, duke përfituar edhe nga fakti se kundërshtari luajti me dhjetë lojtarë.
Bundesliga Germany
Augsburg 2-2 Bayern Munich
Hoffenheim 2-3 Hamburger SV
Mainz 05 3-4 Bayer Leverkusen
Paderborn 0-2 VfB Stuttgart
Union Berlin 1-0 Elversberg