
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Elbasan, ku drejtori i sapoemëruar nuk ka arritur të qëndrojë në detyrë as sa një gjysmë dite pune.
Everest Kazheli është emëruar në krye të Kadastrës së Elbasanit, por vetëm tre orë më vonë ka dhënë dorëheqjen, duke e mbyllur mandatin e tij pothuajse përpara se ta niste.
Edhe pse dorëheqjet e drejtorëve të kadastrës janë një fenomen i rëndimtë, ky i Elbasanit është një rekord më vete në administratën shtetërore, ku zakonisht procedurat për të marrë një detyrë zgjasin më shumë sesa qëndrimi i Kazhelit në të.
Ende nuk dihet se çfarë ndodhi gjatë këtyre tre orëve, çfarë e shtyu drejtorin e ri të largohej kaq shpejt dhe nëse dorëheqja ishte një vendim personal apo pasojë e rrethanave të tjera.
Megjithatë, institucioni nuk mbeti gjatë pa drejtues. Menjëherë në vend të Kazhelit është emëruar Gentian Mahmutaj, i cili më parë mbante detyrën e përgjegjësit të sektorit tekniko-ligjor në Drejtorinë e Përgjithshme të ASHK-së.
Kështu, Kadastra e Elbasanit arriti të ndërrojë dy drejtorë brenda pak orësh, ndërsa mister mbetet arsyeja pse i pari nuk pati kohë as të ngrohte karrigen.