
Turqia do të ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç. Ligji i ri, i miratuar nga parlamenti, hyn në fuqi më 1 nëntor. Platformat do të detyrohen të verifikojnë moshën e përdoruesve dhe të marrin masa teknike për të bllokuar aksesin e fëmijëve nën kufirin e përcaktuar. Verifikimi do të bëhet përmes një kodi identifikues të lëshuar nga shteti.
Rregulla të reja parashikohen edhe për të miturit mbi 15 vjeç. Platformat nuk do të lejohen t’u ofrojnë shërbime që konsiderohen se mund të krijojnë varësi. Me këtë vendim, Turqia i bashkohet vendeve që po ashpërsojnë kufizimet ndaj rrjeteve sociale për fëmijët. Masa të ngjashme janë miratuar ose po diskutohen edhe në Australi, Indonezi dhe disa vende europiane.
Në shtator, Bashkimi Evropian prezantoi gjithashtu një propozim për kufizimin e aksesit të fëmijëve deri në 15 vjeç në rrjetet sociale dhe platformat e videove. Austria, Danimarka, Franca, Greqia dhe Spanja po punojnë për ligje të ngjashme, ndërsa edhe Mbretëria e Bashkuar pritet të ndërmarrë masa gjatë vitit të ardhshëm.