
Dy tornado të fuqishme kanë goditur Marsalën, në Siçilinë perëndimore, duke lënë dhjetëra të plagosur dhe dëme të mëdha materiale. Erërat përmbysën automjete, dëmtuan banesa dhe goditën edhe një shkollë ku ndodheshin 273 nxënës. Gjashtë fëmijë pësuan lëndime të lehta, ndërsa të gjithë u evakuuan në mënyrë të sigurt. Të paktën 11 persona u dërguan në spital. Mes tyre është edhe një 70-vjeçar, i cili ndodhet në gjendje të rëndë me disa fraktura.
Pamjet nga zona tregojnë makina të përmbysura, fasada të dëmtuara dhe xhama të thyer. Në shkollë, forca e erës shkatërroi dritare dhe përmbysi tavolina e karrige. Videot e publikuara tregojnë dy vorbulla që formohen mbi det dhe lëvizin drejt bregdetit, përpara se të godasin qytetin.