
Një ngjarje tronditëse në një funeral në Karolinën e Jugut, në SHBA, ka përfunduar në gjykatë. Një grua ka ngritur padi ndaj një shtëpie funerale, pasi gjatë ceremonisë së lamtumirës për nënën e saj 87-vjeçare, zbuloi se në arkivol ndodhej trupi i një gruaje të panjohur, e veshur me rrobat e të ndjerës.
Iris Gordon kishte paguar 13.820 dollarë për organizimin e funeralit të nënës së saj, Evans, në shtëpinë funerale Ocean View, në janar. Sipas padisë së dorëzuar të enjten, ajo dhe më shumë se 20 familjarë mbërritën për ceremoninë, por u përballën me një skenë tronditëse kur iu afruan arkivolit të hapur. Në vend të nënës së saj, Gordon pa trupin e një gruaje të panjohur, e veshur me veshje të zeza dhe të arta, shallin, kapelën dhe paruken që i përkisnin të ndjerës.
Sipas dokumenteve gjyqësore, vajza i kishte dorëzuar më parë shtëpisë funerale veshjen afrikane bardh e zi të nënës, si dhe aksesorët dhe të brendshmet që duhej të përdorte gjatë ceremonisë. Familja kishte dashur që Evans të kujtohej ashtu siç ishte në jetë, e veshur me rrobat e saj më të mira të së dielës, ndërsa këndonte në korin e kishës. Ajo përshkruhet në padi si një e krishterë e devotshme, me dashuri të veçantë për muzikën dhe kishën.
Sipas pretendimeve të padisë, pasi Gordon kontaktoi stafin për të raportuar ngatërrimin, shtëpia funerale pranoi se kishte bërë një gabim. Rreth dy orë më vonë, familjes iu paraqit trupi i nënës së saj, i veshur me rrobat e duhura. Megjithatë, vajza pretendon se ngjarja i ka shkaktuar pasoja të rënda emocionale, përfshirë ankth, depresion dhe çrregullim të stresit post-traumatik. Përmes padisë, ajo kërkon rimbursimin e 13.820 dollarëve të paguar për shërbimet funerale, si dhe dëmshpërblim shtesë, shuma e të cilit nuk është përcaktuar.