Flash

Prapaskenat e marrëveshjes SHBA-Rusi për naftën, Trump kishte paralajmëruar Zelenskyn të mos sulmonte rafineritë ruse

Lapsi.al 10 October 2026

Prapaskenat e marrëveshjes SHBA-Rusi për naftën, Trump kishte

Detaje të reja mbi prapaskenat e marrëveshjes mes Donald Trump dhe Vladimir Putin për rritjen e eksporteve ruse të naftës drejt SHBA-së dhe tregjeve ndërkombëtare janë bërë publike nga Axios.

Sipas raportimit, vendimi i presidentit amerikan lidhet drejtpërdrejt me refuzimin e Volodymyr Zelenskyt për të ndalur sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse.

Sipas një zyrtari amerikan, i cili ka dijeni të drejtpërdrejtë për diskutimet, Trump vendosi të vijonte me marrëveshjen me Putinin pasi Kievi nuk iu përgjigj rreth gjashtë kërkesave të SHBA-së për të ndalur sulmet ndaj objekteve ruse të përpunimit të naftës.

Marrëveshja, e njoftuar nga vetë Trump, parashikon dërgimin e më shumë se 300 mijë tonëve naftë ruse dhe lehtësimin e disa sanksioneve amerikane ndaj eksporteve ruse të energjisë. Njoftimi shkaktoi reagimin e ashpër të Zelenskyt, i cili e cilësoi marrëveshjen “të padrejtë” dhe “të pandershme”, duke argumentuar se ajo i krijon Moskës hapësirë ekonomike për të marrë frymë, ndërsa lufta vijon.

Zelensky po e lexon gabim situatën

Zyrtari amerikan që foli për Axios pretendoi se këmbëngulja e Ukrainës për të sulmuar rafineritë ruse ka shkaktuar pakënaqësi në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas të njëjtit burim, Zelensky “po e lexon gabim situatën”, pasi vazhdimi i sulmeve po dëmton marrëdhënien e mirë që ai kishte ndërtuar me Trump gjatë muajve të fundit.

Sulmet ukrainase ndaj objekteve energjetike ruse kanë rezultuar veçanërisht efektive, duke kufizuar kapacitetet e Rusisë për përpunimin e naftës dhe duke shkaktuar probleme në tregun e brendshëm të karburanteve. Moska u përgjigj duke kufizuar eksportet e naftës, duke shtuar presionin mbi tregun ndërkombëtar, i cili tashmë po përballet me vështirësi për shkak të luftës në Iran.

Sipas raportimit, ndikimi i zhvillimeve në çmimet e karburanteve në SHBA duket se ka qenë një nga faktorët kryesorë në vendimin e Trump.

Axios shkruan se presidenti amerikan i kishte kërkuar Kievit të ndalte në mënyrë të njëanshme sulmet ndaj rafinerive ruse, pasi besonte se ato po kontribuonin në rritjen e çmimeve që paguajnë konsumatorët amerikanë.

Propozimi i Zelenskyt që Trump nuk e pranoi

Zelensky i kishte propozuar Trumpit, si dhe të dërguarve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, një marrëveshje reciproke për infrastrukturën energjetike.

Konkretisht, ai kishte deklaruar se Ukraina ishte e gatshme të ndalte sulmet ndaj rafinerive ruse nëse Rusia ndërpriste goditjet ndaj centraleve elektrike ukrainase.

Megjithatë, Trump nuk e pranoi këtë propozim. Sipas zyrtarit amerikan, presidenti i SHBA-së nuk i konsideronte të barasvlershme dy kategoritë e sulmeve dhe kërkonte që Kievi t’i ndalte goditjet pa i kushtëzuar ato me një angazhim të ngjashëm nga Moska.

Prapaskenat e bisedimeve tetë orëshe në Miami

Tensionet arritën kulmin gjatë bisedimeve të së premtes në Miami. Gjatë rreth tetë orëve diskutime, Steve Witkoff dhe Jared Kushner informuan delegacionin ukrainas se Donald Trump do të zhvillonte një bisedë me Vladimir Putinin dhe se kishte ndërmend të lehtësonte sanksionet ndaj eksporteve ruse të naftës dizel.

Sipas Axios, negociatorët amerikanë u thanë përfaqësuesve ukrainas se vendimi ishte marrë pasi Kievi nuk iu përgjigj thirrjeve të përsëritura të Uashingtonit për t’i dhënë fund sulmeve ndaj rafinerive.

Një zyrtar ukrainas pretendoi madje se gjatë diskutimeve ishte paralajmëruar mundësia që Trump të ndërpriste shkëmbimin e informacionit të inteligjencës amerikane me Ukrainën, nëse do të vijonin të njëjtat taktika. Pala amerikane mohon se është bërë një kërcënim i tillë.

Sipas zyrtarit amerikan, Witkoff dhe Kushner rikujtuan se SHBA-ja i siguron Ukrainës armë dhe informacione të inteligjencës. Ata argumentuan se, në kuadër të këtij bashkëpunimi, Kievi nuk duhet të ndërmarrë veprime që rëndojnë barrën mbi konsumatorët amerikanë.

Siç u shpreh i njëjti burim, sulmet ndaj rafinerive “i shkaktojnë dhimbje Rusisë, por i shkaktojnë dhimbje edhe SHBA-së”.

Marrëveshja u arrit ndërsa diskutoheshin përpjekjet për t’i dhënë fund luftës

Mosmarrëveshja për naftën u shfaq në një moment kur të dërguarit amerikanë kishin nisur një raund të ri bisedimesh me zyrtarë ukrainas dhe evropianë për një marrëveshje të mundshme për t’i dhënë fund luftës.

Në qendër të diskutimeve në Miami ishin garancitë e sigurisë që SHBA-ja, Evropa dhe NATO-ja mund t’i ofrojnë Ukrainës në kuadër të një marrëveshjeje të ardhshme.

Palët diskutuan gjithashtu propozime të reja për çështjet territoriale, si dhe një plan më të gjerë për periudhën pas luftës në Ukrainë. Ky plan do të përfshinte financimin e rindërtimit, rimëkëmbjen e Forcave të Armatosura ukrainase dhe mënyrat për të përballuar deficitin buxhetor të shkaktuar nga lufta.

Në tryezë ishin edhe një udhërrëfyes për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, marrëdhënia e saj e ardhshme me NATO-n dhe mundësia e krijimit të një kuadri të ri sigurie mes Evropës dhe Rusisë.

Witkoff dhe Kushner paraqitën gjithashtu marrëveshje të mundshme energjetike me Rusinë, për të cilat Uashingtoni beson se mund të ndihmojnë në uljen e çmimeve ndërkombëtare të energjisë dhe, njëkohësisht, të shërbejnë si nxitje që Moska të bëjë lëshime në negociatat e paqes.

Putini nuk u angazhua për rifillimin e negociatave

Pavarësisht marrëveshjes për naftën dizel, Vladimir Putin nuk u angazhua për rifillimin e menjëhershëm të negociatave me Ukrainën.

Gjatë një bisede telefonike rreth 90-minutëshe me Trumpin, presidenti rus shmangu dhënien e një përgjigjeje konkrete lidhur me rikthimin në tryezën e negociatave.

Këshilltari i tij për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, argumentoi se sulmet e fundit ukrainase në Moskë dhe qytete të tjera ruse, gjatë zgjedhjeve parlamentare në Rusi, “minuan mundësinë e rifillimit të menjëhershëm të procesit të negociatave”.

Sipas Ushakovit, Putini deklaroi se Moska “do ta mendojë se kur mund të rifillojnë negociatat”.

Pavarësisht tensioneve të reja mes Uashingtonit dhe Kievit, Witkoff dhe Kushner po shqyrtojnë mundësinë e udhëtimit drejt Moskës dhe Kievit javën e ardhshme, për të vijuar kontaktet mbi planin e ri amerikan.

Megjithatë, marrëveshja për naftën ruse hap një front të ri në negociatat tashmë të vështira. Ukraina beson se lehtësimi i sanksioneve energjetike e forcon ekonomikisht Rusinë, ndërsa administrata Trump i jep përparësi frenimit të çmimeve të karburanteve në SHBA dhe përpiqet të përdorë marrëveshjet energjetike si instrument negociues ndaj Moskës./tch

Të këshilluara

ide

Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Qoftë zarat e partisë së vet që i hedhin vickla, qoftë qytetarët që e fishkëllejnë në rrugë, qoftë prokurorët e trimëruar të SPAK që janë afuar në oborrin e tij apo gazetarët ndërkombëtarë që e barabisin me kumbarin tregojnë një gjë, se kurba politike e Edi Ramës ka prekur fundin. Rrëfimi i propagandës së tij tashmë ka mbaruar.

16:19 Andi Bushati

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

91.65

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Qoftë zarat e partisë së vet që i hedhin vickla, qoftë qytetarët që e fishkëllejnë në rrugë, qoftë prokurorët e trimëruar të SPAK që janë afuar në oborrin e tij apo gazetarët ndërkombëtarë që e barabisin me kumbarin tregojnë një gjë, se kurba politike e Edi Ramës ka prekur fundin. Rrëfimi i propagandës së tij tashmë ka mbaruar.

16:19 Andi Bushati

Me sytë katër

PAPARAZZI