
Tre persona janë plagosur nga një sulm me thikë në një kolegj në Varshavë. Mes të plagosurave janë dy vajza 17-vjeçare dhe një grua 24-vjeçare. Sipas Reuters, autori i dyshuar është një student 21-vjeçar. Të plagosurat janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dy prej tyre nuk kanë pasur nevojë për shtrim në spital.
Ky është sulmi i tretë në institucionet arsimore të Polonisë brenda pak ditësh. Të enjten, një 15-vjeçar vrau një punonjës shkolle dhe plagosi dy mësues. Një ditë më parë, një 19-vjeçar plagosi 10 persona në një tjetër shkollë. Pas incidenteve, policia ka shtuar masat e sigurisë në të gjithë vendin. Autoritetet raportojnë se kanë kontrolluar rreth 50 mijë objekte dhe kanë arrestuar 76 persona, kryesisht adoleshentë të dyshuar për kërcënime në internet.