
Inter rikthehet te fitorja në Serie A, falë suksesit të pastër 3-0 ndaj Parmës në “San Siro”, në kuadër të javës së gjashtë të kampionatit. Ajo që bie në sy është se pas disa javësh në heshtje ose pothuajse pa u vënë re, VAR-i rikthehet në qendër të vëmendjes në Serie A. Këtë herë, gjithçka ndodh në “San Siro”, gjatë ndeshjes Inter-Parma. Në minutën e 16’ të pjesës së parë, Diego Carlos ndërhyn gabimisht ndaj Pio Espositos, por arbitri Bonacina lejon vazhdimin e lojës. Pak çaste më vonë, Paterna, i cili po ndiqte ndeshjen nga qendra VAR në Lissone, e thërret arbitrin te monitori. Vendimi për të akorduar penallti ishte i pritshëm.
Sucic, Calhanoglu dhe Thuram i prishin debutimin Alberto Gilardinos në stolin e skuadrës emiliane, ndërsa Cristian Chivu sheh ekipin e tij të kalojë në avantazh që në minutën e 13-të. Corvi dhe Keita bëjnë një gabim të rëndë dhe Sucic përfiton, duke ia rrëmbyer topin belgut dhe duke mposhtur portierin kundërshtar. Kalojnë vetëm pak minuta dhe VAR-i thërret arbitrin për t’i treguar një faull në zonë të Diego Carlosit ndaj Pio Espositos. Bonacina i rishikon pamjet në monitor dhe akordon penallti për zikaltërit. Calhanoglu, i rikthyer pas dëmtimit, e shndërron atë në golin e dytë të Interit në minutën e 19’. Corvi i afrohet pritjes, por nuk mund të bëjë asgjë përballë goditjes së fuqishme me të djathtën të mesfushorit turk. Pak çaste më vonë, portieri i Parmës ndërhyn sërish me sukses, duke ndalur një goditje të Dimarcos.
Megjithatë, lojtarët e teknikut Chivu janë të papërmbajtshëm dhe në minutën e 31’ shënojnë edhe golin e tretë me Thuram. Sulmuesi francez shërbehet nga Mkhitaryan dhe e dërgon topin në shtyllën e largët me një goditje të saktë, si në bilardo. Pas vështirësive të shfaqura shpesh në pjesët e para të ndeshjeve të fundit përpara pushimit të kombëtareve, Interi këtë herë dominon ndaj Parmës dhe e siguron praktikisht fitoren që përpara pushimit mes pjesëve. Në fraksionin e dytë, skenari mbetet i njëjtë. Corvi i mohon golin Pio Espositos që në fillim të pjesës, ndërsa në minutën e 74’ Spence debuton me fanellën zikaltër. Parma krijon një mundësi të mirë për të shënuar një minutë më vonë, por Romero nuk e gjen kuadratin. Sulmuesi i miqve shpërdoron edhe një tjetër rast në fundin e takimit. Inter shkon kështu në kuotën e 16 pikëve dhe vazhdon të kryesojë renditjen.
GENOA 2-1 FIORENTINA
Java e gjashtë e Serie A nis me fitoren e Genoas, që mposht Fiorentinën 2-1 dhe siguron suksesin e parë në këtë kampionat. Ndeshjen në stadiumin “Luigi Ferraris” e vendosin golat e Osmajicit dhe Messiasit. Me këtë fitore, Genoa barazon pikët me Fiorentinën, pasi të dyja skuadrat kanë nga katër pikë në renditje. Vendasit e nisin shumë mirë takimin përpara tifozëve të tyre dhe kalojnë në avantazh në minutën e 7’. Ellertsson shërben bukur për Osmajicin në qendër të zonës dhe ish-sulmuesi i Preston North End duhet vetëm ta dërgojë topin në rrjetë.
Tetë minuta më vonë, i njëjti futbollist malazez asiston për Messiasin, i cili dyfishon shifrat. Në minutën e 20’, Gnonto shënon golin që mund t’i rikthente menjëherë Fiorentinën në lojë, por rrjeta anulohet për shkak të pozicionit jashtë loje të Betos në fillim të aksionit. Më pas, Ranieri dhe Oulai janë pranë golit, përpara se në minutën e 73’ të vijë autogoli i Vasquezit. Kapiteni i Genoas devijon pa dashje në portën e tij krosimin e Gimenezit, duke rihapur ndeshjen. Në minutën e 84’, Ndour godet shtyllën, ndërsa Bijlow shpëton pas topit të kthyer. Ky është rasti i fundit i madh i takimit, përpara se arbitri të vërshëllejë tri herë dhe të konfirmojë fitoren 2-1 të Genoas.