Flash

Teuta arratiset, Skënderbeu fundoset nga gabimet: durrsakët fitojnë edhe me 10 lojtarë

Teuta po konfirmon javë pas jave se ka hyrë në këtë sezon me ambicie të qarta. Skuadra durrsake shfrytëzoi faktorin fushë dhe mposhti 2-0 Skënderbeun në “Niko Dovana”

Lapsi.al 10 October 2026

Teuta arratiset, Skënderbeu fundoset nga gabimet: durrsakët

Teuta po konfirmon javë pas jave se ka hyrë në këtë sezon me ambicie të qarta. Skuadra durrsake shfrytëzoi faktorin fushë dhe mposhti 2-0 Skënderbeun në “Niko Dovana”, në një ndeshje ku efikasiteti në pjesën e parë dhe aftësia për të administruar avantazhin bënë diferencën. Tri pikët e çojnë Teutën në kuotën e 16 pikëve, duke e konsoliduar në krye të “Abissnet Superiore” me katër pikë më shumë se ndjekësit Egnatia dhe Dinamo.

Ndeshja nisi sipas skenarit më të mirë për vendasit. Në minutën e 16’, Sherif Kallaku u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke i dhënë Teutës avantazhin dhe duke e detyruar Skënderbeun të ndryshonte qasje. Durrsakët nuk u mjaftuan me golin e parë dhe vazhduan të kërkonin hapësira për të goditur sërish. Këmbëngulja u shpërblye në minutën e 32’, kur Pedro dyfishoi shifrat, duke i dhënë skuadrës së tij një avantazh të rëndësishëm përpara pushimit. Në goditjen e sulmuesit vendimtar ishte gabimi i portierit Alia, që i shpëtoi topi nga duart, duke lejuar të përfundonte në rrjetë.

Për Skënderbeun, sfida u kthye në një tjetër provë të vështirë, ku rastet për t'u rikthyer në lojë nuk u shoqëruan me konkretizim. Momenti që mund të ndryshonte rrjedhën e takimit erdhi në minutën e 60’. Korçarët fituan mundësinë për të ngushtuar diferencën nga pika e bardhë, por Bismark nuk arriti ta shfrytëzonte penalltinë i ndalur nga Bernardoni. Situata u bë edhe më zhgënjyese për Skënderbeun, pasi Zenullari e dërgoi topin në rrjetë pas rikthimit të tij në zonë, por goli u anulua nga arbitri Jorgji për pozicion jashtë loje. Kështu, skuadra korçare humbi mundësinë për të rihapur realisht ndeshjen, ndërsa Teuta përfitoi nga këto momente për të ruajtur qetësinë dhe kontrollin e rezultatit.

Megjithatë, sfida nuk ishte pa vështirësi për durrsakët. Në minutën e 74’, Boçi u ndëshkua me karton të kuq dhe vendasit u detyruan të përballonin minutat e mbetura me një lojtar më pak. Në këtë fazë, rëndësi mori jo vetëm rezultati, por edhe aftësia për të ruajtur organizimin dhe për të mos i dhënë kundërshtarit hapësira për të përfituar nga epërsia numerike. Teuta e përmbushi këtë detyrë dhe e mbylli takimin me fitoren 2-0.

Për ekipin durrsak, ky sukses ka vlerë të dyfishtë: tri pikët e mbajnë në krye të renditjes dhe tregojnë se mund të menaxhojë edhe një fund ndeshjeje të komplikuar. Në krahun tjetër, Skënderbeu largohet nga Durrësi me shumë pikëpyetje. Penalltia e humbur dhe goli i anuluar ishin episode vendimtare, por problemi më i madh mbetet pamundësia për të shfrytëzuar momentet që mund ta rikthenin në garë.

Pas javës së gjashtë, kontrasti mes dy skuadrave është i qartë: Teuta kryeson me 16 pikë dhe po ndërton një pozicion të fortë në garën e kreut, ndërsa Skënderbeu mbetet në vendin e parafundit me vetëm tri pikë. Për korçarët, nevoja për të reaguar po bëhet gjithnjë e më e madhe, pasi çdo tjetër hap fals rrezikon ta thellojë edhe më shumë krizën e rezultateve.

Të këshilluara

ide

Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Qoftë zarat e partisë së vet që i hedhin vickla, qoftë qytetarët që e fishkëllejnë në rrugë, qoftë prokurorët e trimëruar të SPAK që janë afuar në oborrin e tij apo gazetarët ndërkombëtarë që e barabisin me kumbarin tregojnë një gjë, se kurba politike e Edi Ramës ka prekur fundin. Rrëfimi i propagandës së tij tashmë ka mbaruar.

16:19 Andi Bushati

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

91.65

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Qoftë zarat e partisë së vet që i hedhin vickla, qoftë qytetarët që e fishkëllejnë në rrugë, qoftë prokurorët e trimëruar të SPAK që janë afuar në oborrin e tij apo gazetarët ndërkombëtarë që e barabisin me kumbarin tregojnë një gjë, se kurba politike e Edi Ramës ka prekur fundin. Rrëfimi i propagandës së tij tashmë ka mbaruar.

16:19 Andi Bushati

Me sytë katër

PAPARAZZI