
SRF, transmetuesi publik mediatik i Zvicrës gjermanofone i ka kushtuar një shkrim situatës politike në Shqipëri. Shkak është bërë pjesëmarrja e kryeministrit Edi Rama në ekspozitën e “ArtBasel” dhe në anën tjetër protestat që vijojnë.
“Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama është nën presion të madh: Protestat vazhdojnë prej javësh. Demonstruesit kërkojnë dorëheqjen e tij. Ndërkohë, Edi Rama po e shijon veten si artist në Bazel” –thuhet në shkrim.
Shkrimi nënvizon edhe kritikat që mori Rama në Shqipëri për këtë udhëtim.
“Që nga e marta, një video me dridhje e bërë me celular ka qarkulluar në mediat sociale që e tregon atë në një pritje në Bazel” – shkruan media zvicerane që thekson se komentet që e kanë shoqëruar videon, e quajnë Ramën tradhtar ose hajdut.
“Rama i ka marrë seriozisht kritikat. “Unë kurrë nuk kam udhëtuar privatisht duke përdorur fonde qeveritare - e njëjta gjë vlen edhe për familjen time” – citohet deklarata e Ramës.
“Ai deklaroi se ishte ftuar privatisht në Art Basel. Rama vazhdoi duke thënë se askush nuk do të gjente në xhepin e tij para që nuk i kishte fituar me ndershmëri. Me shumë mundësi ai e shkroi këtë për shkak të skandaleve të korrupsionit brenda rrethit të tij të ngushtë politik”- shkruan SRF që më pas kujton se kryeministri shqiptar është diplomuar për art.
“Edi Rama ende kultivon imazhin e tij si një artist jokonformist dhe një shpirt i lirë në politikë”, - thotë korrespondenti i jashtëm i SRF-së, Janis Fahrländer. Politikani ende kënaqet duke ekspozuar punën e tij ndërkombëtarisht, siç po bën aktualisht në Art Basel. Rama njihet për thyerjen e normave, siç bëri në samitin e BE-së kur përshëndeti krerët e tjerë të shteteve evropiane të veshur me atlete të bardha.
Megjithatë, Rama po e ka gjithnjë e më të vështirë ta menaxhojë këtë imazh: Ai ka qenë në pushtet në Shqipëri për më shumë se 12 vjet dhe partia e tij socialiste kontrollon shtetin, vazhdoi Fahrländer. Për më tepër, ai perceptohet gjithnjë e më shumë si autoritar dhe sulmon gjyqësorin dhe median.
Panairi i artit mbron vendimin e tij për të ekspozuar veprën. Edi Rama është në "Art Parcours" jo si politikan, por si artist, dhe vepra e tij prezantohet nga "Galerie Société".
“Pjesëmarrja e tij nuk duhet interpretuar si një miratim nga Art Basel i zhvillimeve politike në Shqipëri apo gjetkë”, tha një zëdhënës i Art Basel. “Po ashtu, kjo nuk përfaqëson mbështetje ose miratim të ndonjë qeverie, pozicioni politik apo posti publik.”
Me sa duket, Art Basel nuk ka frikë se vepra e artit mund të vandalizohet në shenjë proteste. Ata nuk kanë ndërmend t'i ofrojnë asaj mbrojtje të veçantë, edhe pse nuk ndodhet në sallat e panairit, por në tokë publike, mbyllet shkrimi i RSF. ©Përshtati në shqip LAPSI.al