
Orest Balla, i arrestuar për tentativën e mashtrimit ndaj presidentit të FSHF-së, Armand Duka, duke u shtirur si Taulant Balla, ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve.
Sipas deklarimit të tij, ai kishte marrë një mesazh në Instagram nga një person i panjohur, i cili i kishte premtuar 2 mijë euro në këmbim të një komunikimi me një person tjetër.
Balla ka pretenduar se më pas, një person i kishte shkuar me makinë dhe i kishte dhënë një numër telefoni, përmes të cilit kishte komunikuar me djalin e Armand Dukës, i cili në të vërtetë ishte agjenti i policisë.
Ai ka deklaruar gjithashtu se nuk e njihte më parë të arrestuarin tjetër, Edison Korra.
Nga ana tjetër, Edison Korra ka dhënë një version tjetër të ngjarjes. Ai ka pretenduar se ishte kontaktuar nga Orest Balla në një lokal, ku ky i fundit i kishte kërkuar të merrte një porosi.
Dëshmitë e dy të arrestuarve janë kontradiktore, ndërsa hetuesit dyshojnë se ata nuk po tregojnë të gjithë të vërtetën për rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, komunikimi me vetë Armand Dukën dyshohet se është kryer nga një person tjetër, përmes mesazheve në aplikacionin Signal.