
Ben Affleck ka folur hapur për jetën e tij sentimentale, duke pranuar se aktualisht lidhjet romantike nuk janë në krye të prioriteteve të tij.
Aktori 54-vjeçar u pyet për jetën e tij private gjatë premierës në New York të filmit të tij të ri, “Animals”, ku bëri të qartë se vëmendjen kryesore e ka te puna dhe tre fëmijët e tij.
“Nuk ka shumë hapësirë. Nuk jam duke vrapuar pas [lidhjeve]. Thjesht nuk është një prioritet i madh në jetën time”, tha Affleck.
Aktori i “Gone Girl” theksoi se është “mirë dhe i lumtur” si beqar.
“E di cilat janë prioritetet e mia. Nuk mund të kesh dy gjëra që janë më të rëndësishmet në jetën tënde. Për mua, janë fëmijët. Kjo është ajo që ka rëndësi. Dhe më pas është puna ime, të cilën e dua”, u shpreh ai.
Affleck shtoi se nuk është duke kërkuar në mënyrë aktive një lidhje, por nuk është i mbyllur ndaj asaj që mund t’i sjellë e ardhmja.
“Jam aty ku jam dhe jam shumë mirë. Kush e di se çfarë aventurash do të sjellë jeta. Jam i hapur ndaj tyre, por nuk po përpiqem të ndjek apo të kërkoj diçka me çdo kusht”, tha aktori.
Gjatë intervistës, Affleck u pyet edhe për pretendimin e moderatores së “The View”, Ana Navarro, se kishte tentuar ta prezantonte atë me këngëtaren Shakira pas ndarjes nga Jennifer Lopez.
Navarro kishte treguar se ideja i kishte lindur pasi kishte qenë në një koncert të Shakirës në Miami, ku ndodhej edhe Matt Damon, mik i ngushtë i Affleck.
“Ben Affleck dhe Matt Damon janë miqtë më të mirë”, kishte thënë Navarro, duke shtuar se pas ndarjes së Affleck dhe Lopez dhe ndarjes së Shakirës nga bashkëshorti i saj, mendonte se të dy mund të ishin një çift i mundshëm.
Por Affleck e mohoi se kishte dëgjuar më parë për këtë.
“Dëgjoj gjëra të tilla, sinqerisht, fillimisht nga njerëz si ju. Nuk e kam dëgjuar kurrë në jetën time. Njerëzit bëjnë thashetheme. Shumë gjëra shpiken”, tha ai.
Ben Affleck ka qenë i martuar dy herë. Ai u martua me Jennifer Garner në vitin 2005 dhe çifti u nda në vitin 2015, ndërsa divorci u finalizua në vitin 2018. Të dy kanë tre fëmijë së bashku: Violet, 20 vjeç, Seraphina, 17 vjeç dhe Samuel, 14 vjeç.
Në vitin 2022, Affleck u martua me Jennifer Lopez, me të cilën kishte qenë i fejuar edhe në vitin 2002. Dyshja u nda në vitin 2024, ndërsa divorci u finalizua në fillim të vitit 2025.